Për injorimin e shqiptarëve reagojnë edhe studentët, UKM hesht

Kaluan gati dhjetë ditë, ende nuk ka asnjë prononcim nga përfaqësuesit e UKM-së edhe pse redaksia e Portalb ka kërkuar ta komentojnë gjendjen dhe situatën e gjuhës shqipe dhe studentëve shqiptarë. Përveç kësaj, ne kemi bërë kërkesë edhe me shkrim që të na sigurohen statistikat për 5 vitet e fundit se sa shqiptarë janë regjistruar në këtë universitet, por deri më tani UKM është në heshtje.

Lajmit të publikuar nga Portalb i janë përgjigjur studentët, duke e komentuar gjendjen e shqiptarëve dhe gjuhës shqipe të mjerueshme.

“Gjuha shqipe duhet të zbatohet jo vetëm në universitete, por në të gjitha institucionet e Republikës së Maqedonisë. Jetojmë në shoqëri multietnike, ashtu siç shqiptarët e mësojnë dhe e zbatojnë gjuhën maqedonase, ashtu edhe maqedonasit duhet ta mësojnë dhe ta zbatojnë gjuhën shqipe”, është deklaruar për Portalb Sara Velkovska, studente në UKM, në lidhje me anashkalimin e gjuhës shqipe nga autoritetet e UKM-së.

Ka reaguar dhe USSH-ja, “Në çdo mundësi ne mundohemi me e ngrit zërin. Për çështjen në fjalë: Si shumë institucione tjera shtetërore, gjithashtu edhe në UKM pandershmërisht përbuzin gjuhën shqipe dhe ne nuk mendojmë që moszbatimi i gjuhës shqipe është pasojë e vetëm e mungesës së kuadrove të punësuara shqiptare, por pasoj e politikës nacionaliste që në vazhdimësi po e zbaton rektorati i këtij universiteti. Disa herë në debate të ndryshme e kemi ngritur zërin që dygjuhësia është e garantuar juridikisht dhe se studentët shqiptarë meritojnë që në dokumentacionin universitar të informohen edhe në gjuhën shqipe, por kemi hasur në vesh të shurdhër”, ka thënë në reagimin e USSH-së, kryetari Arben Hajrullahi për çështjen në fjalë.

Nehar Aliu, student i diplomuar i Fakultetit Juridik të UKM vlerëson se duhet të intervenojë Ministria e Arsimit dhe Shkencës për zbatimin e dygjuhësisë në këtë Universitet dhe kjo gjendje të ndryshohet nëpërmjet institucioneve përkatëse sepse ajo garantohet me ligj. “Çështja e gjuhës shqipe në Universitetin “Kiril dhe Metodi” reflekton inferioritetin e palës maqedonase për të garantuar përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë e dytë zyrtare në R.M. konform marrëveshjes kornizë të Ohrit dhe kushtetutës. Hë për hë kjo çështje lë shumë për të dëshiruar, por besoj se me një intervencë dhe angazhim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës mund të ketë epilog në favor të studentëve shqiptarë që në numër të madh gravitojnë në hapësirat e këtij Universiteti”.

Gjendjen e ka komentuar edhe Mejreme Sinani, studente e shkallës së dytë në Fakultetin e Filologjisë për GJ.L.SH. e cila vlerëson se patjetër duhet të bëhen ndryshime në administratën e fakultetit, “Fakti që në këtë Universitet kemi një katedër që mbanë emrin e gjuhës së dytë zyrtare në vend, patjetër duhet vendosur dygjuhësi në fletëparaqitjet dhe fletëpagesat për studentët shqiptar të cilët realizojnë dhe paguajnë participim në këtë Universitet”, shprehet për Portalb.

Rikujtojmë se ditë ekipi ynë ishte në UKM-Shkup për ta parë nga afër situatën, veç tjerash intervistuam dhe dy profesorë universitarë që e komentuan këtë çështje.

Lajme të ngjashme

Back to top button