Deputeti Prenga përleshet me armë e thika për lagunën e Patokut, shtatë të plagosur

ërplasjet për lagunën e Patokut sollën një pragmasakër në Kurbin, ku shtatë persona të dy familjeve Cali dhe Prenga u plagosën me thika e armë zjarri, teksa deputeti socialist i zonës, Armando Prenga, është arrestuar në flagrancë, pasi ndaj tij rëndojnë tri akuza. Përveç deputetit, në pranga janë vënë edhe pesë të tjerë, ndërsa gjendja shëndetësore e dy prej të plagosurve vazhdon të mbetet e rënduar. Mes të plagosurve ndodhet edhe vëllai i deputetit, Eduard Prenga. Sherri kishte nisur fillimisht në ambientet e lokalit të vëllezërve Cali, mes Gjergj Calit dhe deputetit Prenga. Më tej, Cali ka shkuar për të bërë denoncim në polici dhe në rrugën që të çon për në komisariat ndodhi përleshja mes dy familjeve.
Sherri i parë
Përplasja e parë mes Prengës dhe Calit ndodhi në Patok të Laçit, në ambientet e lokalit të vëllezërve Cali. Shkaku ka qenë pikërisht tenderi i shfrytëzimit të lagunës së Patokut nga familja Prenga, teksa më parë aktivitetin e zotëronte familja Cali. Gjithçka është zhvilluar rreth mesnatës së të premtes, pasi kishte mbaruar ndeshja Danimarkë – Shqipëri. Nga të dhënat e deritanishme nga policia mësohet se deputeti Prenga dhe vëllai i tij, Eduardi, janë zënë me pronarin e lokalit, Gjok Calin. Ky i fundit është qëlluar me qytën e pistoletës, nga deputeti Armando Prenga, fakt ky i konfirmuar zyrtarisht edhe nga shefi i Komisariatit të Laçit, Nik Nikolla. Edhe Policia e Shtetit e konfirmon zyrtarisht këtë version.
Përleshja masive
policia ne spitalPas përplasjes në lokal, Gjok Cali lajmëroi policinë dhe u nis për të bërë kallëzim penal ndaj deputetit. Policia thekson se në rrugën që të çon për në komisariat, në momentin që Cali po bënte denoncimin, në ambientet e jashtme, nisi sherri masiv mes dy familjeve. Në debat e sipër, ata janë përleshur me njëri-tjetrin, duke u goditur me mjete të forta dhe me armë zjarri. Policët që ndodheshin në komisariat kanë ndërhyrë menjëherë për të neutralizuar konfliktin. Nga ky konflikt kanë mbetur të plagosur shtatë persona. Të plagosurit janë: Gazmir Jushi, 39 vjeç, banues në Kurbin; Eduard Prenga, 36 vjeç, banues në Kurbin; Tom Cali, 66 vjeç, banues në Fushëkuqe; Gjergj Cali, 55 vjeç, banues në Fushëkuqe; Gjok Cali, 51 vjeç, banues në Fushëkuqe; Nikoll Cali, 53 vjeç, banues në Fushëkuqe dhe Françesk Cali, 30 vjeç, banues në Fushëkuqe. Mjekët konfirmuan se asnjëri prej tyre nuk rrezikon jetën, teksa Tom dhe Nikoll Cali janë në gjendje më të rënduar shëndetësore. Ndërkaq, shefi i Komisariatit të Laçit deklaroi se deputeti Armando Prenga u arrestua në flagrancë për tri akuza: “Plagosje e rëndë, me dashje”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Kanosje serioze për vrasje”. Nga tërësia e veprimeve të para hetimore, për të njëjtat akuza u bë arrestimi edhe i shtetasve Anton Leka dhe Gazmir Jushi.

Lajme të ngjashme

Back to top button