Maqedoni, përfundoi sezoni turistik, mendime të ndara për suksesin e tij

Fillimi i muajit shtator shënon përfundimin zyrtarë të sezonit turistik. Qyteti i Ohrit, destinacioni kryesor turistik në Maqedoni është zbrazur pothuajse i tëri nga turistët, të cilët gjatë sezonit kishin mbushur hotelet dhe apartamentet private. Çarshia me pak kalimtarë, restorantet pa vizitorë, dhe pronarët e anijeve të cilët në mungesë të klientëve ofronin çmime dukshëm më të ulëta se sa ato gjatë sezonit, vetëm se vërtetojnë këto pohime.

Tregtarët lokal të cilët shesin suvenire, në bisedë për Anadolu Agency (AA) shprehin mendime të ndara rreth asaj se nëse ky sezon turistik ka qenë i suksesshëm apo jo. Disa kanë mbetur të kënaqur nga numri i turistëve që si rrjedhojë u ka mundësuar më shumë shitje dhe përfitim, disa të tjerë thonë se numri i turistëve nuk ka qenë dhe aq i kënaqshëm, por të gjithë ndajnë mendimin se Ohri mundet më shumë. Bashkëbiseduesit shprehen se pjesa dërmuese e vizitorëve vinin nga Turqia, Holanda dhe nga vendet tjera të Ballkanit.

Dame Srbinovski, që merret me shitjen e suvenireve, thekson se Ohri është një qytet turistik që tërheq vizitorët, por thotë se në krahasim me vitin e kaluar ka pasur më pak turistë, gjë të cilën e shpjegon me shitjet e ulëta. Ai shpreson që viti i ardhshëm të jetë një vit më i mbarë.

“Turqit janë blerësit më të shumtë, por vërej se shitja ka rënë. Mesatarja e qarkullimit ditor arrin rreth 50 euro”, thotë Srbinovski, duke shpjeguar se kulmin e ka arritur në korrik, ndërsa këto ditë siç thotë sezoni është duke përfunduar dhe dukshëm vërehet rënie e qarkullimit ditor, për shkak të pranisë së dobët të turistëve.

Ndryshe nga Srbinovski, Fatmire Ajdari, e cila është e specializuar në shitjen e bizhuterive thotë se ky sezon përfundoi më mirë se i kaluari.

“Këtë vit kishte një përmirësim të sezonit turistik. Kishte nga Turqia, por kishte edhe nga vendet e tjera të Evropës, përfshirë mërgimtarët të cilët jetojnë në Australi, Amerikë dhe Evropë. Ata më tepër duan të blejnë diçka që është autentike, dhe këtë e gjejnë te perla e Ohrit. Por ne kryesisht merremi me përpunimin e filigranit, për të cilën ka një interesim të veçantë tek turistët e huaj”, shpjegon Ajdari sipas së cilës paralajmërimet se kriza politike në Maqedoni dhe rasti i Kumanovës mund të ndikojnë në sezonin turistik, nuk janë realizuar tërësisht.

“Mund të them se nuk u vërejt dhe aq shumë ai incident, ndoshta sepse ishte fillimi. Kishte edhe të huaj të cilët deklaruan se nuk e kanë parapëlqyer Ohrin për pushime për shkak të sigurisë, por kishte të tillë që deklaruan se agjencitë turistike nuk kanë parapëlqyer t’i dërgojnë në Ohër”, deklaron Ajdari.

Ndërsa Petari, shitësi i ushqimeve të shpejta, për AA shprehet se kulmi i sezonit turistik është nga 31 korriku deri më 10 gusht, dhe siç shprehet, pas kësaj periudhe qarkullimi ditor është standard.

“Sigurisht që Ohri është i bukur. Bukuritë e tij janë të shumta. Liqeni është një nga arsyet e para pse turistët vizitojnë këtë qytet, por mund të them se edhe çarshia jonë është e bukur, si dhe njerëzit janë miqësorë dhe komunikues. Për këtë arsye turistët duan të vijnë këtu”, thotë Petari.

– Në qytetin e Ohrit vërehet prani e vogël e turistëve –

Fatmir Kaziu nga Tirana së bashku me familjen e tij ishte njëri nga ata pak turistë që shëtisnin në qytet. Ai tha se është hera e parë që viziton Ohrin, i cili i ka pëlqyer jashtëzakonisht nga aspekti infrastrukturor dhe nga ai i pastërtisë, por ankohet në çmimet e larta. “Nga Pogradeci erdhëm në Ohër, pastaj do të kalojmë në Shën Naum. Është vend shumë i bukur, por është tepër i shtrenjtë në krahasim me bregdetin shqiptar. Këtu do të kalojmë vetëm disa orë dhe do të vazhdojmë për në Shqipëri”, shprehet Kaziu.

Njëjtë sikurse Ohri edhe në qytetin e Strugës vërehet përfundimi i sezonit veror. Banorët pohojnë se janë ditët e fundit të sezonit turistik, mërgimtarët kanë lëshuar qytetit dhe qyteti është i zbrazët. Duke theksuar se ky sezon nuk ishte shumë më i mirë në krahasim me sezonin e kaluar, shpresojnë që viti i ardhshëm të jetë më i mirë.

Ndërkohë autoritetet e vendit thonë se Maqedonia në vazhdimësi shënon rritje të numrit të turistëve krahasuar me vitin 2013 dhe 2014. Ministri i Ekonomisë së Maqedonisë, Bekim Neziri, tha se të dhënat e fundit tregojnë se gjashtë muajt e parë të këtij viti në total turizmi është rritur për 6.5 përqind. Siç tha ai, vendi shënon rritje të numrit të turistëve të huaj për 11.6 përqind, ndërsa ka shënuar rënie të atyre vendor për 2.9 përqind.

Lajme të ngjashme

Back to top button