Maqedoni, nuk ka marrëveshje për Prokurorin Special

Edhe takimi i sotëm i grupit punues për prokurorin special nuk solli ndonjë vendim konkret apo të paktën përafrim të qëndrimeve mbi këtë çështje.

Mësohet se dy partitë maqedonase LSDM dhe VMRO- DPMNE janë përplasur mbi përbërjen e këtij institucioni. LSDM është shprehur për formim të prokurorisë speciale ku  prokurori do të kishte edhe zëvendësin e tij dhe njerëz që do ta ndihmonin në punë.

VMRO ka insistuar që të zgjidhet vetëm prokurori I cili do të shfrytëzonte resurset dhe buxhetin e prokurorisë publike. Qëndrimet e tilla diametralisht të kundërta lanë nën hijë optizimin e djeshëm të liderit të LSDM-së Zoran Zaev i cili deklaroi se marrëveshja do të arrihet për disa ditë.

Emërimi i prokurorit special është njëra ndër temat më të nxehta për të cilat do të duhet të merren vesh katër partitë politike. Kanë mbetur vetëm dhjetë ditë për tu marrë vendimi përfundimtar. Propozimet paraprake mbi prokurorin special kanë qenë të ndryshme.

Për dallim nga LSDM e cila ka propozuar ndryshime të ligjit për prokurori publike, VMRO – DPMNE ka kërkuar që çështja e prokurorit special të rregullohet me akte nënligjore, në kuadër të ligjit aktual.

BDI ishte e mendimit që të përpilohej ligj special. Grupet e punës gjatë javës hapën temat edhe mbi modelin zgjedhor si dhe listat zgjedhore, edhe pse me disa përparime po ende pa marrëveshje konkrete

Lajme të ngjashme

Back to top button