Stop “ekspertëve” të rremë të teksteve shkollore

U bënë shumë vite qëkur disa “shkencëtarë” maqedonas i mbajnë peng nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit shqiptarë me tekste fyese  shkollore. Rasti i fundit lidhet sërish me tekstet mësimore të Gjeografisë dhe Historisë për nxënësit shqiptarë të shkollës fillore, ku përsëriten budallallëqet për gjoja shqiptarët ardhacakë dhe maqedonasit autoktonë e pasardhës ilirësh?!

Fjala është për veprim të qëllimshëm dhe shumë të dëmshëm për ardhmërinë, sepse me mekanizma të tillë nuk ndërtohet mirëbesimi i aspiruar (a thua vetëm pro forma?) ndërmjet dy komuniteteve kryesore të vendit.

Së këndejmi, reagimet e njerëzve që kërkojnë ndërprerjen e vakisë së përsëritur të poshtërrimit shqiptar përgjatë 25 viteve të fundit – të vetmit komb që i pranoi maqedonasit pa asnjë kusht dhe ashtu siç kanë qejf ata, pa u vajtur mendja se “shkencëtarët” e indoktrinuar me nasihate garashaninësh, nuk do të jenë falënderues për mirëkuptimin dhe tolerancën tonë gati naive, po, përkundrazi, do ta konceptojnë këtë si punë borxhi.

Sidoqoftë, ka ardhur koha t’u thuhet BOLL!  përpiluesve të këtillë të teksteve shkollore, sepse u bë shumë, sepse vetë “shkencëtarët” e dëshmojnë paaftësinë e tyre për t’ia dalë mbanë punës fisnike të përpilimit të një teksti njësoj të pranueshëm për të gjithë që jetojnë në këtë vend. Tani, besoj, janë përmbushur kushtet që tekstet në fjalë t’i përpilojnë autorët shqiptarë, ata që nuk do të luajnë cic-mic me ndjenjat etnike, racore, religjioze… të fëmijëve. Pa marrë mësyshë vetveten, duhet ta pranojmë se, për momentin, nuk kemi ekspertë të nivelit të finlandezëve (të njohur për tekste të përkryera shkollore dhe jo vetëm…), por kemi gjithsesi kuadro të nivelit të bashkëvendasve tanë (nuk e kam për nivelin mizerje të përpiluesve të teksteve në fjalë…) dhe për këtë as mos të dyshojë kush.

Është momenti i mbramë për t’stopuar vakitë fyese të “shkëncëtarëve” me misione të mbrapshta. Të tillëve duhet thënë troç se kanë ngatërruar shkencën me matrapazllëkun dhe kanë lënë delet mazun maje bjeshke. Atyre duhet t’u thuhet hapur e vërteta e shqiptarëve të shtetit tonë të dashur, që vazhdon t’na trajtojë (edhe me fajin tonë) si të ishim maxhirë që kemi ardhur sot e do të shkojmë nesër andej nga kemi ardhur. Ata duhet pyetur në nivele institucionale:

  • Nëse shqiptarët janë harbutë, siç prezantohen nëpër tekste shkollore, përse ua përvetësojnë personalitetet historike si Lekën e Madh, Skëndërbeun, Nënë Terezën… dhe personalitete të tjera të gjalla e të vdekura, që kanë lënë gjurmë në këto hapësira dhe kanë bërë atë që nuk po arrijnë ta bëjnë të tjerët?
  • Nëse shqiptarët janë ardhacakë, kush ishin ata që në këto territore bënë kryengritjet më masive ndaj pushtuesve të huaj, ta zëmë, në sh. XVII dhe XIX?
  • Kanë dëgjuar ata, fjala vjen, për luftën heroike të Dervish Carës (1843-47), të shtrirë nga Ohri gjer në Vrajë, në një kohë kur “vendorët” bënin sehir, apo nuk dinë gjë si gjithë injorantët me tituj kallpë shkencorë?
  • A mund ta sqarojnë ata me argumente si mund të organizohet një luftë e armatosur me afro 200.000 ushtarë në total nga një masë ardhacakësh të posavendosur, jo në një fshat a qytet të vetëm, po në një territor boll homogjen prej mijëra vendbanimesh?
  • A e dinë ata se personalitetet shqiptare te shekujve të shkuar veten e quanin maqedhonas, kurse të folmen e tyre shqipe në këto troje maqedhonishte?
  • A e dinë ata se në Maqedoni jetojnë edhe mijëra shqiptarë të besimit ortodoks, të cilët sot flasin hapur për gjenocidin shpirtëror të ushtruar ndaj tyre?
  • A e dinë se miliona shqiptarët që jetojnë aktualisht në Turqi dhe gjithandej botës nuk kanë shkuar atje për punë qejfesh?
  • Përse përpiluesit e librave shkollorë nuk flasin, fjala vjen, për historinë e freskët të vendosjes së mijëra egejëve pikërisht në qytetet e mbipopulluara si Tetova e Gostivari, me gjithë takamin e privilegjeve të mundshme (shtëpi në lagje te veçanta, banesa, vende pune…)?
  • Dhe krejt në fund: a e kuptojnë ata budallallëkun gjigant me të cilin para së gjithash mohojnë vatveten, sepse duke iu referuar histioriografisë garashaniniste mbi shqiptarët, e pranojnë mosegzistencën e vetvetes, sepse ajo historiografi ne shqiptarëve na trajton të paktën si ardhacakë, kurse maqedonasit nuk i bën beli fare?

Ma merr mendja se këto gjëra i dinë mirëfilli “shkencëtarët” varrmihës të ardhmërisë evropiane të këtij vendi, po ne nuk duhet t’na preokupojë kjo gjë një jetë të tërë. Fëmijët tanë janë më të shenjtë se shkarravinat e tyre, ndaj duhet gjetur zgjidhja e pranueshme dhe e përhershme, për t’mos i lënë edhe më tej pengje përrallash të stërnjohura.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button