Rruga e Kombit: Më 15 tetor shpallet kompania fituese

Më 15 tetor Ministria e Infrastrukturës do të shpallë kompaninë fituese që do të marrë në koncesion Rrugën e Kombit. Ministri Edmond Haxhinasto, deklaroi se në garë janë katër kompani të huaja dhe se prioritet do t’i jepet asaj kompanie që do të ofrojë kërkesën për subvencion më të ulët nga ana e shtetit. Për 35-vjet kompania fituese do të ketë nën administrim këtë rrugë, ndërsa qytetarët do të paguajnë 5 euro për kalimin e saj.

“Kemi katër kompani në garë dhe me 15 tetor do të kemi fituesin e menaxhimit dhe të ndërtimit të përfundimit të Rrugës së Kombit. Llogaritja është bërë 5 euro për të kaluar rrugën përfshirë edhe TVSH, që është më e ulët sesa mesatarja rajonale për tarifa të ngjashme. Elementi dallues në këtë garë do jetë kompania që do të ofrojë kërkesën për subvencion më të ulët nga ana e shtetit. Angazhimi i shtetit të jetë më i vogli. Katër kompanitë janë të huaja, janë të lidhura me nënkontraktorë shqiptarë. Koncesioni do të jetë për një periudhë 35 vjeçare”, tha Haxhinasto për emisionin “ Tonight Ilva Tare”.

Haxhinasto tha gjithashtu se Shqipëria me Malin e Zi kanë bërë një kërkesë të përbashkët për të tërhequr financim për fizibilitetin e projektit Adriatiko-Jonian. Sipas tij, një vëmendje po i kushtohet edhe projektit të hekurudhës, Durrës –Lin.

Lajme të ngjashme

Back to top button