Politikani duhet të jetë nën presion, por jo me teza të pakonfirmuara

[Recension: Heshtja e çuditshme e Ermira Mehmetit!]

Gazetari me të drejt ngre pyetje publike për përgjegjësinë e politikanëve. Kështu tregohet pavarësi ndaj qendrave të pushtetit, që është ndër karakteristikat kryesore të vendeve demokratike.

downloadLinku deri te artikulli origjinal: Heshtja e çuditshme e Ermira Mehmetit!

Data dhe koha e publikimit: 31.08.2015

Data e recensionit: 02.09.2015

Recensent: Xhenis Sulimani

Lajmi që po e recensojmë ngre çështjen e mosparaqitjes publike të deputetes Ermira Mehmeti mbi zhvillimet e fundit politike, duke u bazuar në prononcimet e saja të fundit- kritike ndaj Qeverisë.

“Pa marrë parasysh nëse ka qenë në Uashington, Nju Jork, Paris, Londër, Strasburg ose Berlin, deputetja e BDI-së Ermira Mehmeti ka qenë aktive me paraqitjet e saj në mediume. Nëse nuk ka pasur deklarata në mediume, ka qenë aktive përmes postimeve në rrjetet sociale. Mirëpo që nga 29 korriku i këtij viti, kur bëri një postim për idenë e universitetit shtetëror në Shkup, ajo është pasivizuar tërësisht, duke bë një pauzë që nuk është karakteristike për të edhe në kohë pushimesh. Nuk ka pasur paraqitje as në media, e as në rrjetet sociale.”

Gazetari me të drejt shtron pyetjen e heshtjes së një politikaneje aktive dhe tregon për aktivitetin e saj paraprak, por që lajmi të fitonte në proporcionalitet do të duhej që të përfshihej edhe një qëndrim i Ermira Mehmeti mbi çështjen që ka parashtruar gazetari.

Teksti që të ishte i plotë dhe brenda standardeve gazetareske do të duhej të përfshinte qëndrimin e deputetes. Publiku nuk ka idenë as nëse është bërë përpjekje. Ka raste kur politikanët nuk përgjigjen në pyetjet e parashtruara, në një rast të tillë kjo duhet t’i bëhet e ditur publikut.

Siç qëndron i tillë, teksti mbetet tendencioz, aq më tepër që gazetari ka paraqitur dyshime për të cilat nuk ka edhe aq dëshmi.

“Paraprakisht ajo në disa paraqitje kishte sulmuar ashpër kryeministrin Nikolla Gruevski duke e quajtur edhe diktator. Për këtë arsye në opinion janë paraqitur dyshime se tërheqja është për shkak të presionit që i kanë bërë përkrahësit e VMRO-së dhe Gruevskit në radhët e BDI-së, që njihen si “fraksioni DUI”, raporton “lajmpress.com”.”

Opinioni ka mbetur pa përgjigjen e dyshimit nëse deputetja Ermira Mehmeti hesht “për shkak të presionit”. Si i tillë teksti mbetet spekulativ dhe ndonëse pyetjet e ngritura me të drejtë, mbetet përshtypja se me qëllim nuk ka pasur qëndrime të deputetes.

Në këto raste, kur informacioni është me interes të shoqërisë, opinioni duhet të dijë për aktivitetet dhe përgjegjësitë e politikanëve, gazetari është i obliguar të precizojë se bëhet fjalë për informacion të pakonfirmuar.

Opinioni e kupton qartë kur teksti është tendencioz dhe në të tilla raste humbet besueshmëria ndaj medies dhe gazetarit.

Lajme të ngjashme

Back to top button