Miratohet Ligji i ri për Shërbimin e Jashtëm

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të mërkurën ka miratuar Ligji i ri për Shërbimin e Jashtëm të Kosovës. Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, njëherësh ministër i jashtëm tha se Kosova është duke zhvilluar një politikë të jashtme dinamike, me qëllim të fuqizimit të vazhdueshëm të shtetësisë edhe nëpërmjet anëtarësimit në mekanizma ndërkombëtarë.

Ai ka thënë se për këtë qëllim është parë e arsyeshme që të punohet edhe në krijimin e një baze moderne ligjore, e cila rregullon në afat të gjatë funksionimin e shërbimit të jashtëm të Kosovës dhe i shërben profesionalizimit të mëtutjeshëm të këtij shërbimi të rëndësishëm për mbrojtjen dhe promovimin e interesave të vendit tonë.

“Pra, ligji bën rregullim më të qartë dhe gjithëpërfshirës të pozitës së personelit të shërbimit të jashtëm dhe qartëson dallimin mes diplomatëve të karrierës dhe shërbyesve civil të cilët janë të punësuar në MPJ. Me anë të tij forcohen kriteret për pranimin në shërbimin e jashtëm, ndërsa sistemi i gradave dhe i procesit të gradimit të diplomatëve të karrierës është bërë më i qartë dhe përmes tij do të përmirësohet edhe trajtimi i diplomatëve të karrierës dhe të anëtarëve të familjeve të tyre”, tha Thaçi.

Ai ka treguar se është krijuar edhe programi i bursave i Ministrisë së Punëve të Jashtme si instrument i rëndësishëm i promovimit të vendit tonë, si dhe është krijuar edhe pozita e Inspektorit Diplomatik, detyrë e të cilit është që të fuqizojë mbarëvajtjen dhe menaxhimin efikas të misioneve diplomatike dhe konsullore dhe në këtë mënyrë të rritet llogaridhënia brenda shërbimit të jashtëm të Kosovës.

Lajme të ngjashme

Back to top button