Maqedonia në ditë të vështira

Deputetët e opozitës gjatë ditës së djeshme u kthyen në Parlament e Republikës së Maqedonisë në pajtim me marrëveshjen e Përzhinos për tejkalimin e krizës politike.

Mirëpo njohësit e çështjeve politike nuk shprehen optimist lidhur me këtë, pasi që thonë që pozita nuk tregon interes për tejkalimin e krizës.

Profesori universitar Mersel Bilalli thotë se pozita nuk është e gatshme të bashkëpunojë për realizimin e marrëveshjes.

“Kthimi në parlament i opozitës është obligim që rrjedh nga Marrëveshja e Përzhinos dhe kjo është detyra më e lehtë e paketit të kësaj marrëveshje. Për fat të keq edhe këtu ishte prezent satanizimi si nga mediumet ashtu edhe nga pushteti, duke i akuzuar për marrje të rrogave pa punë. A në fakt injorojnë vjedhjen e përmasave shekullore të pushtetit aktual duke i sjellë njerëzit gjer në buze ambisi. Pushteti paraprakisht ka miratua shumë ndryshime në ligje me qëllim të fshehjes së gjurmëve nga krimi i organizuar. Ai vazhdon të shpërdoron mjetet e qytetarëve, kurse në anën tjetër përmes metodave fashiste satanizon oponentët politik”, tha për Portalb, Bilalli.

Ai shtoi se gjatë muajve në vijim mund të presim ndonjë dramatizim të situatës, pasi që nuk është optimist që punët do të shkojnë mirë.

“Kështu siç veprohet nuk jam aspak optimist se punët do të shkojnë mirë. Përkundrazi, pres muajve të ardhshëm të dramatizohen. Në fakt edhe ashtu asnjë diktaturë kriminale nuk është rrëzuar pa dhunë. Mendoj se edhe ky pushtet duhet të rrezohet sa më shpejtë, pasi çdo vonesë mund të na kushtojë shumë shtrenjtë”, shtoi Bilalli.

Profesoresha Mirjana Maleska kritikon kulturën politike duke komentuar kështu deklaratën e kryeministrit Nikolla Gruevski lidhur me kthimin e opozitës në Parlament

“Pas kthimit të opozitës në Parlament duhet të ketë bashkëpunim dhe nuk duhet të veprohet ashtu siç bëri kryeministri duke thënë me sarkazëm që opozita duhet ta fiton rrogën, por ja që kjo është kultura jonë politike. Bashkëpunimi duhet të jetë i ndërsjelltë e sidomos nga ana e pozitës me qëllim që të realizohet marrëveshja e Përzhinos, sepse pozita është ajo që është mësuar të punojë pa bashkëpunim dhe pa përgjegjësi”, tha për Portalb, Maleska.

Ajo shtoi se nuk e di se a do të jenë në gjendje palët që të zbatojnë këtë marrëveshje, andaj thotë se na ngelet të presim dhe të kujtojmë se ajo është mënyra e vetme e daljes nga kriza politike që ka kapluar tani më një kohë të gjatë Maqedoninë./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button