VMRO e BDI nuk duan regjistrim pasi është ulur numri i maqedonasve dhe shqiptarëve

Regjistrimi do të tregonte se po ulet përqindja e shqiptarëve, ndërsa numri i maqedonasve është ulur në mënyrë drastike. Kjo ishte njëra nga tezat kryesore nga tribuna e sotme “ Maqedonia sot”, në organizim të iniciativës “8 shtatori”.

Sipas profesorëve Ljubomir Frçkovski dhe Stevo Pendarovski, edhe pjesa maqedonase dhe ajo shqiptare në Qeveri, kanë interes që mos të mbahet ky regjistrim.

“Pa cituar numra, shqiptarët janë shumë më pak se sa përqindja që kanë pasur në 2002, me një rënie prej 20 përqind në nivel të kryeqytetit, por në nivel shtetëror Maqedonasit kanë një rënie drastike, dhe kjo sjellë pasoja politike”, tha Pendarovski.

“Regjistrimin e ndaluan për shkak të absurditetit të rezultateve që nuk u konvenonin të dyja palëve dhe askush nuk ka interes të vazhdojë me një aktivitet të tillë” tha profesori Ljubomir Frçkovski.

Për Edmond Ademin, Marrëveshja e Ohrit (MKO) e ka humbur kuptimin pasi që nuk ka përmbajte por vetëm formë, ajo përdoret si mjet për punësime partiake.

E kam thënë dhe e përsëris se nënkryetar i Qeverisë, më saktë, zëvendës ministri për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit duhet të jetë i nacionalitetit maqedonas. Ndoshta në këtë mënyrë MKO do të shikohej me sy ndryshe, ndoshta implementimi i saj do të ishte më efikas pasi që në këtë mënyrë si që është sot, kemi situatën kur maqedonasit thonë se me MKO-në shqiptarët morën çka deshën ndërsa maqedonasit humbën. MKO nuk e plotësoi qëllimin për të cilin u nënshkrua por sot është kthyer në një mjet punësimi të personave që i përkasin një partie politike. MKO nuk krijoi shtet multietnik por shtet të ndarë binacional. Aktualisht Maqedonia është e përçarë në dy shtresa dhe atë në etnike dhe partiake. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button