Organizata të Shoqërisë Civile në Maqedoni, thirrje liderëve politikë për transparencë me marrëveshjen e arritur

Organizatat e Shoqërisë Civile, anëtare të Platformës së luftës kundër korrupsionit dhe të projektit “Rrjeti 23”, në një konferencë për shtyp të mbajtur në Shkup iu bënë thirrje liderëve të partive politike për transparencë dhe pjesëmarrje në procesin e miratimit të vendimeve në lidhje me marrëveshjen e nënshkruar nga liderët partiak më 2 qershor dhe 15 korrik të vitit 2015, raporton Anadolu Agency (AA).

Nga Platforma e luftës kundër korrupsionit, Slagjan Penev, theksoi se Platforma e luftës kundër korrupsionit dhe “Rrjeti 23” u bëjnë thirrje të gjitha palëve të përfshira në procesin e miratimit të vendimeve për çështjet e përcaktuara në Marrëveshjen e liderëve të partive politike dhe kuadrat e tyre për transparencë dhe përfshirje të shoqërisë civile dhe të gjitha palët e interesuara.

“Ne, organizatat anëtare në këto dy rrjeteve, mendojmë se implementimi i marrëveshjes është i domosdoshëm. Në këto momente kyçe për të ardhmen e vendit tonë është e nevojshme procesi të jetë i hapur dhe të sigurohet përfshirja dhe kontributi i shoqërisë civile, si dhe subjektet e tjera të interesuara”, deklaroi Penev.

Nga ana tjetër, përfaqësuese nga “Rrjeti 23”, Malinka Ristevska-Jordanova, tha se ky proces i cili tashmë është duke u zhvilluar është shkak i krijimit të kësaj situate urgjente, veçanërisht faktit që vendi është në një krizë në të cilën sipas saj, është e nevojshme dhe e rëndësishme pjesëmarrja e shoqërisë civile.

“Ne e kuptojmë këtë krizë edhe si një mundësi që nuk duhet humbur. Shoqëria Civile në Republikën e Maqedonisë tashmë ka një traditë të gjatë, por tani ne duhet të tregojmë vullnetin dhe kapacitetin në bazë të vlerave demokratike që ndajmë, për të kontribuar në mënyrë konstruktive për monitorimin dhe hartimin e politikave në lidhje me prioritetet e reformave urgjente, si dhe me marrëveshjen në Përzhino”, deklaroi Ristevska-Jordanova.

Përfaqësuesit e Organizatave të Shoqërisë Civile shprehën gatishmëri për të kontribuar në këtë proces nëpërmjet ekspertizës, analizave, raporteve dhe publikimeve të rëndësishme për çështjet në Traktatin mbi partitë politike, si dhe në monitorimin e organeve kryesore të pavarura të tilla si Këshilli Gjyqësor, Këshilli i Prokurorëve Publik, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, si dhe institucione të tjera të rëndësishme.

Projekti “Rrjeti 23” është implementuar gjatë periudhës maj 2014 – korrik 2015, nga ana e Institutit për Politikë Evropiane, Qendrës për menaxhim me ndryshime dhe Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut në Republikën e Maqedonisë, financuar nga Bashkimi Evropian dhe Ambasada e Mbretërisë së Holandës. Rrjeti 23 synon përmirësimin e ndikimit të Organizatave të Shoqërisë Civile në procesin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian përmes përfshirjes aktive në monitorimin dhe vlerësimin e politikave, si dhe zbatimin e legjislacionit të Bashkimit Evropian, duke u fokusuar në Kapitullin 23 – Gjyqësore dhe të drejtat themelore.

Platforma e luftës kundër korrupsionit në Maqedoni është themeluar më 9 dhjetor të vitit 2014 nga 15 Organizata të Shoqërisë Civile. Kjo platformë synon të bashkëpunojë me të gjitha palët e prekura, përfshirë edhe institucionet shtetërore, partitë politike, bashkësinë e biznesit dhe bashkësinë ndërkombëtare, duke monitoruar dhe analizuar kuadrin ligjor, politikat dhe veprimet, me qëllim për zvogëlimin e korrupsionit dhe rritjen e ndërgjegjësimit për luftën kundër korrupsionit.

Lajme të ngjashme

Back to top button