Një i vdekur dhe mbi 100 të plagosur nga protesta në Ukrainë

Këtë të hënë Parlamenti i Ukrainës ka votuar në favor të ndryshimeve kushtetuese. Këto ndryshime u sigurojnë një status special rajoneve lindore të dominuara nga prorusët. Një total prej 265 deputetësh votuan pro në parim të projektligjit, 39 më shumë nga sa kërkohej për ta miratuar atë.

Por përçarjet në kampin properëndimor dhe protestat e dhunshme nëpër rrugë treguan se këto ndryshime do të përballen me një rrugë tepër të vështirë përpara sesa të kthehen në ligj. Një person që ishte në turmën e nacionalistëve ka hedhur një granatë, dhe si pasojë ka humbur jetën një person dhe kanë ngelur të plagosur rëndë 4 policë dhe pjesëtarë të Gardës Kombëtare.

Protestuesit kanë demonstruar jashtë Parlamentit kundër projektligjit të “decentralizimit”, që presidenti Petro Poroshenko dhe qeveria e tij kërkojnë ta shtyjnë përpara, si pjesë e një rrugëzgjidhjeje për t’i dhënë fund rebelimit të separatistëve në lindje.

Sipas gardës Kombëtare e Ukrainës të paktën 50 gardistë janë plagosur, prej të cilëve 4 me plagë tepër të rënda, nga shpërthimi. Ish-kryeministrja Yulia Tymoshenko, foli kundër ndryshimeve dhe ka ngritur dyshime nëse Poroshenko do të jetë në gjendje për të siguruar 300 votat e nevojshme për të, në mënyrë që të kalojë në raundin e dytë dhe të fundit, më vonë nga fundi i vitit.

Miratimi i ligjit për dhënien e statusit special për rajonet e Donjeckut dhe Luhanskut, të cilat kontrollohen në pjesën më të madhe nga separatistët e mbështetur nga Rusia, është një element kyç në marrëveshjen e paqes të arritur në Minsk të Bjellorusisë, gjatë shkurtit të këtij viti, njofton Shekulli.

Lajme të ngjashme

Back to top button