Maqedonia duhet ta ndjek modelin kroat zgjedhor, të fillohet nga pika zero

“Maqedonia është shtet që nuk i implementon rekomandimet e BE-së, ajo e ka zhvilluar një variant të sistemit populist autoritar, prandaj tani, nuk mundet aq lehtë që me 3 reforma gjithçka të kthehet në normalitet” tha profesori universitar Lubomir Frçkovski, në debatin e sotëm publik me temë “Si deri te zgjedhjet e lira: përvoja të Kroacisë dhe Maqedonisë nga perspektiva krahasimtare” që u organizua nga OJQ CIVIL në Shkup.

Në këtë debat morën pjesë dy ekspertë nga GONG (OJQ nga Kroacia), Dragan Zeliq dhe Aleksandra Joziq-Ilekoviq, të cilët biseduan për përvojat e Kroacisë, ndërkaq për ato të Maqedonisë ka folur profesori universitar, Lubomir Frçkoski, njofton Portalb.

Dragan Zeliq më tepër u ndal në pjesën e kurimit të problemit apo në riparimin e defekteve të procesit zgjedhor.  Ai përmendi disa pika kryesore që sipas tij do të çojnë në zgjedhje të lira dhe demokratike. Ndyshimi i i rregullativës, vullneti politik, presioni nga qytetarët dhe OJQ-jat, roli i BE-së, ndihma nga bashkësia ndërkombëtare, por dhe zhvillimi të kulturës politike do të çojë në një gjendje më të mirë se sa e tanishmja. Zeliq e sheh si problem mjaft serioz edhe çështjen e mediave, sipas tij, për të funksionuar një shtet demokratik, mjetet e informimit duhet të jenë të lira dhe të pa uzurpuara nga subjektet politike.

Frçkovski, në vazhdim të debatit i përmendi një sërë manipulimesh dhe parregullsi që ndodhin në Maqedoni. Sipas tij shteti duhet të kthehet në pikën zero që të fillojë gjithçka nga fillimi.

“Duhet të ketë administratë të pavarur; nuk mundet që e tërë administrata të jetë instalim i pushtetit; ridefinim për ligjin e zgjedhjes së anëtarëve të KSHZ-së që momentalisht janë aktivistë të partisë në pushtet; pastrim të Listës Zgjedhore duke shkuar derë më derë për t’i vërtetuar se a janë të vërtetë njerëzit që ndodhen në listë apo vetëm përdoren pë numra të votave, e dimë rastin me 150.000 votuesve të vdekur, e dimë rastin me letërnjoftimet dhe pasaportat false, e dimë gjithashtu rastin e Pustecit, pra një numër i konsiderueshëm i votave janë fiktive, pos asaj; MPB të pastrohet nga disa sektorë që funksionojnë për qëllimet e pushtetit, ridefinim të ligjit për zgjedhje të prokurorëve; Gjykatë të pavarur; liri për mediumet si dhe pastrim në servisin publik (RTVM) prej ndikimeve partiake, duhet të fillojmë gjithçka nga pika zero që të mundemi prej themelit t’i ndryshojmë gjërat” tha ai.

Në pyetjen se sipas tij grupet punese a kanë mundësi që të merren vesh për Prokurorin Special, Frçkovski shtoi se asnjëherë “Nuk munden të merren vesh për Prokurorin Special sepse ajo do të thotë që Qeveria duhet të merret vesh që në nëntor të ketë 5 akuza për 5 njerëzit kryesor të saj: Gruevskin, Mijallkovin, Gordanën, Janakievskin dhe Protugjerin, gjë që nuk është e logjikshme.

Sipas Aleksandra Jeziq, edhe Kroacia ka pasur probleme në procesin zgjedhor, por me vullnet politik mund të ndryshohen gjerat. Jeziq gjatë këtij debati i tregoi përvojat e Kroacisë se s’i e kanë zgjedhur problemin me “votuesit e vdeku”, financimin jo transparent të fushatave, pastrimin e Listës Zgjedhore. Ajo gjithashtu e tregoi modelin e anëtarëve të KSHZ-së së Kroacisë e cila e zbaton formatin 3+6, ku tre anëtarë duhet të jenë ekspertë ku dy ndër ta duhet të jenë jurist, ndërkaq gjashtë anëtarët tjerë zgjedhen nga partitë, tre nga blloku i pozitës dhe tre nga ai i opozitës.

Në debatin e sotëm gjithashtu prezantuan diplomat nga ambasada e Kroacisë, e përshëndeti këtë debat Ambasadorja Danijella Brishiq, duke shtuar se bashkëpunimi është çelësi i zgjedhjeve të problemeve, kombinimi i përvojave është i  nevojshëm si për Maqedoninë ashtu edhe për Kroacinë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button