“Vetura zyrtare në pazar”:  Një mundësi e humbur hulumtimi

[Recension: Zv/ministri “kungull” i BDI-së – FOTO]

Teksti që po recensojmë është një informacion interesant, me interes për publikun sepse ka të bëjë me shpërdorimin e detyrës zyrtare, por që duket se është shpërdoruar për shkak të joshjes nga senzacioni dhe kalimi në ofendime. Përveç asaj që titulli është ofendues, joetik dhe joprofesional, duket që autori ka huqur krejtësisht pyetjet e vërteta, ata të rëndësishmet lidhur me informacionin dhe fotografitë që i ka marrë nga lexuesit.

Zv ministri “kungull” i BDI së – FOTO   ShqipmediaLinku deri te artikulli origjinal: Zv/ministri “kungull” i BDI-së – FOTO

Data dhe koha e publikimit: 24.08.2015

Data e recensionit: 25.08.2015

Recensues: Benjamin Arifi

Sjellja e pushtetarëve dhe sidomos sjellja e zyrtarëve me poste të larta, është me interes për publikun. Sepse jo vetëm që detyrat e tyre lidhen me fatet e njerëzve, por keqpërdorimet janë dhe keqpërdorimi i parave të qytetarëve. Mediet me të drejtë interesohen për ngjarje të tilla.

Në tekstin që po recensojmë autori ka shpërdorur mundësinë që të ngrejë dhe hulumtojë çështjen e keqpërdorimit të veturës zyrtare për nevoja private të zëvendës ministrit.
Një fotografi e veturës në pazar sigurisht që është intriguese, por kërkon një hetim të mëtejshëm për të qenë lajmi i plotë dhe pa atë sensacion që ka dashur të arrijë media.
Duke lexuar tekstin nuk arrin të verifikohet nëse është ajo vërtetë vetura zyrtare e z. Halimi? Sikur të ndiqej vetura vetëm me foto, do të mjaftonte të fotografohej e njëjta para ministrisë, apo duke u përdorur nga zyrtarë të saj. Por edhe pyetje të tjera, a e shfrytëzon zëvendës ministri këtë veturë? Karburantin e ka paguar nga xhepat e qytetarëve, për qëllime biznesesh personale? Këto janë vetëm disa nga çështjet të cilat jo vetëm që nuk janë përgjigjur, por as nuk janë ngritur nga autori.

Lajmi do të ishte po aq i plotë sikur vetura edhe të mos jetë e zëvendës ministrit, por e ministrisë. Asnjë mjet shtetëror nuk mund të vihet në përdorim privat. Një hetim, pasi të verifikohej se vetura është e ministrisë, do të zbulonte edhe kush e ka shpërdoruar postin. Dhe një gjë e tillë sigurisht që përbën lajm.

Përveç veturës, legjitime do të ishte që autori të shqyrtonte edhe aspektin tjetër të informacionit që e transmeton: bizneset e zëvendës ministrit Halimi. Edhe ky element është me interes për publikun. Por nëse nuk ka prova media mbetet vetëm në pjesën e deklaratave që nuk bindin publikun. Në këtë rast, gazetari nuk ka kërkuar dhe prezantuar informacione të mjaftueshme për keqpërdorimin e mundshëm të postit të zëvendës ministrit për transport dhe lidhje, në të mirë të biznesit personal.

Gjithashtu, teksti nuk plotëson një prej parimeve bazë të gazetarisë: nuk është kontaktuar pala e akuzuar. Gazetari nuk ka tentuar të marrë prononcim nga zëvendës ministri, kabineti i tij, apo vetë ministria si për pronësinë e veturës, ashtu edhe për çështjet e tjera që përmenden në tekst.

Autori në fjalë ka humbur një mundësi të mirë për të bërë një lajm të plotë, duke përfshirë të gjitha elementet që kërkon gazetaria profesionale. Ashtu do të fitonte respekt kurse edhe efekti i informacionit do të ishte i plotë.

Lajme të ngjashme

Back to top button