Borxhet e Maqedonisë, me hapat e Greqisë

Pa marrë parasysh se duket sasi e vogël e parave që qeveria merr hua, borxhi vetëm mbushet dhe zmadhohet, paralajmërojnë ekonomistët. Paralajmërimet e tyre vijnë në një kohë kur qeveria ka në plan të marrë hua gati 4 milionë euro nga kreditorë të brendshëm, siç e bëri të njëjtën gjë edhe javën e kaluar. Por nga ky moment e më tutje, duke marrë parasysh se zgjedhjet mbahen në prill, borxhet do të rriten ende më shumë, thotë profesor Abdylmenaf Bexheti, shkruan REL.

“Huamarrja mund të kthehet në praktikë të përditshme, në qoftë se jo javore. Pra, sa do që të duket i vogël borxhi, ai vetëm mblidhet dhe kulmi i arritjes së borxhit do të jetë shumë më i vështirë”, thotë Bexheti.

Në pozitë të ngjashme është edhe ish-deputeti dhe ekonomisti Sllobodan Najdovski, i cili thotë se me sa duket qeverisë i duhen fonde për projektet e saj, edhe pse jemi duke hyrë në një situatë që do të ketë implikime në servisimin e borxhit. Qeveria ka hyrë në aktivitete zgjedhore që kërkojnë mbledhje të fondeve, dhe kjo do të ketë pasoja në kreditimin e korporatave, tha ai.

“Pak nga pak me huamarrje, dhe në fund të vitit ato huamarrje e kalojnë kufirin e borxhit që Maqedonia mund ta menaxhojë”, tha Najdovski.

Ai thotë se mënyra se si i merr borxhet Maqedonia është shumë e ngjashme me mënyrën se si Greqia hyri në krizën ekonomike në të cilën gjendet ajo tani.

“Maqedonia sheh që afati i huamarrjes të jetë sa më larg, që të mos e arrijnë ditën e kthimit të parave të huazuara këta politikanët në mandatin e tyre përderisa janë në pushtet. Kjo është politika tipike të cilën e udhëhoqi Demokracia e Re dhe Pasok në Greqi”, tha Najdovski.

Analizat tregojnë se rriten huamarrjet në afat të gjatë. Që nga fillimi i vitit filloi krijimi i borxhit i cili do të paguhet pas 15 vjetësh. Ka rritje të madhe edhe në borxhet me afat 10 vjeçar, të cilët arritën 67.5 milionë euro. Borxhi i brendshëm i përgjithshëm në tremujorin e parë arriti 1.2 miliardë euro, ndërsa borxhi publik i përgjithshëm është 3.9 miliardë euro.

Lajme të ngjashme

Back to top button