Maqedoni, katër vite radhazi ulet numri i firmave

Në Maqedoni gjithnjë e më shumë qytetarët hezitojnë të hapin biznese të reja. Këtë e vërtetojnë analizat e Bankës Popullore të Maqedonisë, por edhe të dhënat statistikore, të cilat tregojnë ulje të dëshirës për sipërmarrësi. Trendi i uljes së iniciativës për sipërmarrësi në Maqedoni shpjegohet nga njohësit e kësaj problematike me orientimin e të rinjve që të emigrojnë jashtë shtetit, problemet e ndryshme që përcjellin kompanitë e mëdha, mungesën përkrahjes më të madhe institucionale për fillimin e biznesit, si dhe rregullat e lojës për një kohë më të gjatë të biznesbërjes, faktorë këto që ndikojnë mjaft në vendimin për hapjen e firmave të reja, shkruan Koha.

Analiza e BPRM-së tregon se kriza ekonomike në periudhën e kaluar ka ndikuar dukshëm në ngadalësimin e sipërmarrësisë në Maqedoni.

“Trendi i uljes së iniciativës sipërmarrëse ka vazhduar edhe në vitin 2014. Kështu numri i personave të ri juridik të themeluara shënon rënie për katër vite me radhë, ndërsa në vitin 2014 është ulur për 1.4 për qind, që shkaktoi edhe ulje të butë në numrin e përgjithshëm të personave juridik aktiv. Nga ana tjetër, vitet e krizës pa rritje ekonomike, akoma manifestohen ndaj sektorit korporativ, që shikohet përmes rritjes së personave juridik ndaj të cilave është hapur procedurë falimentuese, si dhe përmes rritjes së shkallës së përafërt të personave të falimentuar që në vitin 2014 ishte 3.8 për qind, apo për një për qind më e lartë se në vitin 2013”, thuhet në analizën e BPRM-së kushtuar rrjedhave financiare dhe ekonomike në Maqedoni. Gjithashtu për uljen e aktivitetit ekonomik në vend flet edhe tkurrja e bizneseve në vend, ku në vitin 2014 në Maqedoni ishin aktive 70659 subjekte afariste, që në raport me 75497 biznese aktive në vitin 2010, paraqet një ulje prej afër 5000 biznesesh në katër vitet e fundit.

Mungesa e përkrahjes më të madhe institucionale për fillimin e biznesit dhe rregullave të qarta të lojës për një kohë më të gjatë të biznes bërjes ndikojnë mjaft në vendimin e sipërmarrësve të rinj që të investojnë mjetet dhe aftësitë e tyre në hapjen e një biznesi të ri thonë konsulentët e biznesit. Ndryshe, rritet numri i sipërmarrësve në Maqedoni që hapen biznese prej zori në raport me mundësitë.

Në Maqedoni në vitin 2013 rreth 61 për qind e sipërmarrësve të anketuar kanë deklaruar se janë të motivuar për nisjen me biznes nga zori. Kjo shkallë në raport me vitin paraprak apo 2012-ën kur ishte 52 për qind  shënon rritje prej 9 për qind të bizneseve të hapura nga zori tregon analiza e GEM apo Hulumtimit global për sipërmarrësin.

Lajme të ngjashme

Back to top button