Çmitizimi dhe damkosja e figurave kombëtare!

Filozofi gjerman Fridrih Nice shkruan “Te ҫdo popull, qofshin të mëdhenj ose të vegjël, jo ҫdo shekull por ҫdo epokë lindin gjeni, shpirtra të lartë dhe njerëz të mëdhenj. Ata natyra i ka gdhendur i ka ndërtuar me një stil dhe vision të lartë. Janë të fortë, të pathyeshëm të patundur. Këta heronjë kanë bërë historinë e njerëzimit, si “Ҫezari dhe Napoleoni”. Për nga madhështia edhe te popujt e vegjël siҫ ishtë populli shqiptar në Gadishullin Ballkanik, kishte lindur një Ҫezar ose Napoleon.

Ky Ҫezar dhe Napoleon i vogël për popujt e mëdhenj ishte Gjergj Kastrioti Skenderbeu. Ai shekuj me rradhë si ҫdo figurë dhe personalitet botëror, do të mbetet mit i kombit shqiptar që historia e ka vulosur njëherë e përgjithmonë. Mirëpo, pas pluralizmit, në skenë dolën ҫmitizues, ҫkombëtarizues, lajkatarë që vuajnë nga kompleksi i inferioritetit dhe kriza e identitetit. Këta individë gjuanin me impulse malinje, hidhnin baltë mbi figurat më të shquara të kombit shqiptar, siҫ është Skenderbeu, nënë Tereza dhe Ismail Kadare. Ata sipas tezave të tyre orkestrojnë urrejtje, përbuzje dhe neveri. Një nga postulatet kryesore të propagandës ishte ҫmitizimi dhe damkosia e figurës së Skenderbeut. Sipas tyre Skenderbeu, ishte me origjinë sllave që për serbët është një medalje dhe dhuratë. Vërtet që Gjon Kastrioti, i ati i Skenderbeut ishte martuar me Voisllava Tribalda.

Në kohën e mesjetës, ballkanasit me etni dhe besime të ndryshme, ishin heterogjenë nuk ekzistonte steriliteti etnik, ndërmjet popujve ballkanas. Feudalët, sipas dokeve mesjetare kishin martesa të përziera. Ata akoma vazhdojnë me intriga fyerje më groteske, duke akuzuar, që luftërat, kanë qenë luftëra të kryqëzatave që Skenderbeu nxiti eksodin dhe mbrojti krishtërizmin. Këta specie të brishta dhe vulgare vazhdojnë të hedhin baltë edhe mbi nënë Terezën. Vallë ҫfarë mëkati kishte bërë kjo bamirëse dhe humaniste, që e donte njerëzimin më shumë se shpirtin e saj, që i lulëzonte shpirti për paqe, urtësi dhe drejtësi, ku thoshte: mos u bëni tjerëve atë që nuk do për vete. Në revistën më prestigjoze gjermane “Der Spigel” kam lexuar: Nënë Tereza kishte pohuar: unë jam krishtere unë jam muslimane unë jam hindu unë jam budiste.

Ata akuzonin nënë Terezën, se gjatë ceremonisë së ҫmimit Nobël, i kishte ardhur turp të tregonte origjinën e vet shqiptare. Ata vazhdojnë duke i vënë epitete antishqiptare, shpifje, etiketa dhe fyerje. Vazhdojnë edhe për shkrimtarin dhe romancierin me fenomen botëror, figurën më brilante të kombit shqiptar Ismail Kadare. Ata akuzonin Kadarenë që ka qenë i privilegjuar nga diktatori Enver Hoxha. Kur shteti ishte në kaos dhe para humnerës ai iku në Paris. Këta shkojnë edhe më larg, merren me jetën e tij private, duke i bërë fyerje, që i thyejnë të gjitha normat civilizuese, etikën dhe moralin njerëzor.

Në vjeshtën e vitit të kaluar isha ulur si ҫdo herë, në një tryezë duke pirë kafe dhe biseduar. Filluan fyerjet dhe sharjet ndaj Ismail Kadaresë. Njëri, duke qeshur me ngazëllim, tha: I mjeri, u plak duke pritur ҫmimin nobël. Unë iu drejtova dhe i thashë, se edhe pas vdekjes ndahen ҫmimet. Shumë popuj dhe shtete ëndërronin për të fituar këtë medalje. Ҫmimi Nobël është një medalje epope dhe krenari për kombin shqiptar, sesa për vetë shkrimtarin.

Duke u parë njëri me tjetrin, me një injorancë, përbuzje dhe shumë arrogancë u sollën edhe me mua. Epo mirë thashë: gjithë kjo urrejtje dhe neveri, a i keni lexuar veprat e Kadaresë, pasi këtu në Zvicër, ka shumë lexues, që e admirojnë shkrimtarin. Njëri me ironi shtoi: As që kemi nevojë ti lexojmë. Arsyeja dhe shkaku është që këta organizma dhe specie, së pari nuk e njohin vetveten, njerëzimin dhe botën që i rrethon. Këta janë tepricë dhe mikrobe në planet. Në moment, më erdhën ndërmend vargjet e Horacit
Ai që s’di gjë nuk merr asgjë
Ai që s’di gjë nuk jep asgjë
Ai që s’di gjë nuk do asgjë
Ai që s’di gjë nuk vlen asgjë

Më në fund u largova pa u pershendetur dhe i shqetësuar, u pendova, edhe pse ato pak fjalë që thashë, ishte kot. Emanuel Kanti ka në maximë “ky dru i shtrembër, që nuk drejtohet kurrë”. Nganjëherë duhet larguar nga turma, pasi ata janë kope, dhe veprojnë vetëm me instikt. Pasi dola në natyrë, për të thithur ajër të pastër, për tu qetësuar dhe relaksuar, prapë mu ҫel truri, kisha lexuar dikur një frazë nga Sadiu, në veprën e tij “Gjulisten”, ku shkruan: I lashë shokët e Damaskut, në mënyrë që të jetojë me kafshët e mia.

Lajme të ngjashme

Back to top button