Shkup, sërish gjuha shqipe me gabime! (Foto)

Udhërrëfyesit në gjuhën shqipe nëpër udhëkryqet e kryeqytetit vazhdojnë ende të ngjiten me gabime gjuhësore. Në përshtypjen e parë që fiton secili që i sheh, të shtyjnë të mendosh se ato përkthehen në konsultim me ndonjë kalimtar rasti dhe jo me profesorë të gjuhës shqipe ose dhe përkthyes të mirëfilltë, shkruan Alsat-M.

Shembull konkret është edhe kjo tabelë që, siç duket, për drejtuesit e qytetit të Shkupit, nuk është aspak pengesë që ‘Nënë Tereza’ siç duhet të jetë në shqip të shkruhet si ‘Nëna Terëza’ që humb çdo kuptim, për shkak se ky emër i shkruar në këtë formë, nuk ka asnjë kuptim në gjuhën shqipe.

Përveç gabimeve gjuhësore, në disa nga udhëkryqet e qytetit akoma qëndrojnë të ngjitura tabelat e vjetra udhërrëfyese me mbishkrime vetëm në gjuhën maqedonase dhe angleze, duke u anashkaluar kështu gjuha shqipe. Ndonëse shqipja në nivel të Shkupit konsiderohet si gjuhë zyrtare dhe këtë çështje e rregullon edhe Ligji për përdorimin e gjuhëve. Pos kësaj, gjuha shqipe muajt e fundit paraqitet edhe si pengesë për dikë. Kjo për shkak se thuajse në të gjitha tabelat rrugore të Shkupit, ajo është shkarravitur dhe mbuluar me ngjyrë të zezë.

Lidhur me gabime e tilla, kohë më parë kreu i Qytetit të Shkupit Koce Trajanovski kishte deklaruar se nuk ndjen përgjegjësi personale, pasi sipas tij, përgjegjës për gabimet janë sektorët në kuadër të qytetit, varësisht se për çfarë shkrimi bëhet fjalë.

Lajme të ngjashme

Back to top button