fbpx

Seria e gabimeve të BDI-së

Gabimet rëndom paguhen shtrenjtë. Në politikë mbi të gjitha, sidomos gabimet në vendime strategjike. Dua të përmend rastin e bojkotimit që BDI-ja ia bëri presidentit të shtetit Ivanovit, jo vetëm në zgjedhjet presidenciale por edhe bojkotimin gjoja politiko strategjik të mëpasshëm. Nuk e mohoj që presidenti i këtij vendi i ngjan personazheve të Muppet Show, që ndoshta nuk meriton postin të cilin e mban, që ndoshta nuk bën sa duhet për të mirën e të gjithë qytetarëve, por vendimi i BDI-së është spektakolarisht i dështuar, i gabueshëm dhe spekulativ.

Maqedonia ka ambasadorë të saj në ndoshta qindra vende të botës, nuk kam informatë të saktë. E dini sa prej tyre janë shqiptarë? Vetëm dy! Njëri në Francë, tjetri në Danimarkë. Nuk kemi ambasador në Zvicër, nuk kemi ambasador në Gjermani, nuk kemi ambasador në Itali, nuk kemi ambasador shqiptar as edhe në Kosovë apo Shqipëri. Vetëm dy ambasadorë shqiptarë. Mua më duket si një humbje 8-2, me 8 autogola të BDI-së në duelin e tyre specifik me Ivanovin dhe me VMRO-në. Në luftën e tyre me erën. Në moronizmin e tyre politik. Në shkurtpamësinë më të dhimbshme. Të bojkotoni presidentin e një shteti, sepse nuk ju është respektuar një kapric i momentit?! Një kapric që zëvendëspresidenti i shtetit të jetë shqiptar me kushtetutë, kapric të cilin e parashtruan një kohë shumë të shkurtër përpara fillimit të kampanjës elektorale për zgjedhjen e presidentit? Duke patur tërë kohën e botës në mbledhjet e ministrave, takimet e liderëve dhe seancave të parlamentit për ta shtruar si cështje politike dhe multinacionale e cila do të kishte kërkuar vëmendje të vecantë jo vetëm nga politikanët por edhe nga opinioni publik si edhe nga opinioni ndërkombëtar, që aq shumë e respektojnë në kërkesat e tyre. Kaprici momental i ndonjë të mencuri në BDI, ka sjellë që shqiptarët tani të kenë vetëm dy ambasadorë. Edhe në momentin që atyre do ju skadojë mandati, ne nuk do të kemi më asnjë ambasador shqiptar.

Nuk është vetëm shembulli me ambasadorët që mund të përmendet në këtë kontekst, por po i jap një peshë specifike sepse shkon në kundërshtim me politikën integruese europjane të cilën BDI aq fuqishëm e pompozon në programet e veta partiake. Nëse BDI nuk ka ambasadorët e vet në qendrat botërore, si mund të veprojë për interesa kombëtare në planin ndërkombëtar? Me vizitat e kohëpaskohshme të emisarëve evropjanë në Recicë të Tetovës? Ju lutem zotërinj, bëjuni seriozë.

Në këtë epokë kur Maqedonia po thith investimet e huaja, nëpërmjet ambasadorëve të vet dhe nëpërmjet Agjencionit për Investime të Huaja, të monopolizuara nga VMRO-ja dhe maqedonët, nuk është aspak për t’u habitur nga fakti që të gjitha investimet po bëhen në zonat e lira ekonomike të Shkupit lindor dhe të Lindjes së Maqedonisë; që gati të gjithë të punësuarit nëpër ato kompani janë të kombësive joshqiptare; që zona ekonomike në Tetovë ka mbetur gati si shkretëtirë ku nuk afrohet asnjë investitor?! Sinqerisht ndjehem i tërbuar kur dëgjoj për fabrikat që hapen në Shtip, Shkup e Kumanovë. E dij që shumë pak shqiptarë do të punësohen atje. E dij që të mirat ekonomike dhe teknologjike që i sjellin këto investime të huaja do të jenë vetëmse një ëndërr për ne shqiptarët. E gjitha kjo për shkak të paaftësisë së një grupi dembelash mendorë të mbledhur rreth një partie politike që bëjnë vendime konsekutivisht të gabuara, duke mos u dënuar asnjëherë nga elektorati i tyre.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button