Ka ndërruar jetë akademik, Mark Krasniqi

Mbrëmë pas mesnate, rreth orës 00:35 minuta në Qendrën Intenzive të QKUK-së, në moshën 95 vjeçare ka vdekur akademik, Mark Krasniqi.

Ai u shtri në QKUK dy ditë më parë, pas një përkeqësimi të shëndetit, transmeton Botapress.

Mark Krasniqi ishte profesor, shkrimtar dhe akademik.

Lindi më 19 tetor 1920 në fshatin Gllaviçicë (Shëngjon-Kokaj), afër Pejës.

Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, kurse më 1941 gjimnazin në Prizren.

Prej vitit 1941-1943 ka studiuar letërsinë në Universitetin e Padovës (Itali), e prej 1946- 1950 ka studiuar gjeografinë dhe etnografinë në Universitetin e Beogradit.

Më 1945-1946 ka qenë gazetar-redaktor i gazetës Rilindja në Prizren, bashkë me Esad Mekulin dhe Omer Çerkezin, kurse prej vitit 1947-1949 ka punuar në Radio-Beograd (Redaksia e emisioneve në gjuhën shqipe) gazetar-redaktor.

Prej 1950-1961 ka punuar në Akademinë Serbe të Shkencave në Beograd si asistent, pastaj si bashkëpunëtor shkencor.

Ka diplomuar më 1950 në Beograd, kurse më 1960 ka doktoruar në Universitetin e Lubjanës.

Prej 1961-1981 ka qenë profesor në Universitetin e Prishtinës, kur pushteti i atëhershëm e përjashtoi nga procesi mësimor.

Ka qenë disa herë prodekan dhe dekan i Fakultetit Juridik-Ekonomik të UP-së.

Ka qenë nënkryetar dhe kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, kryetar i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (1970) dhe kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (1993).

Ishte anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Ka botuar më se 20 libra shkencorë, letrarë, publicistikë dhe tekste shkollore, si dhe ka përkthyer disa romane e përmbledhje poezish nga serbishtja e sllovenishtja në gjuhën shqipe.

Ishte edhe autor i përmbledhjes së poezive për fëmijë “Posta e porositur”. Ka shkruar poezi për fëmijë dhe të rritur, po ashtu është marrë me studime shkencore në lëmitë e gjeografisë dhe etnografisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button