Intervista e Ramës: Europa e ka humbur rrugën e saj

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama flet për austriaken “Der Standard”.

Cili është qëllimi i iniciativës për shtetet e Ballkanit Perëndimor në lidhje me të rinjtë nga rajoni për të zhvilluar shkëmbime në të ardhmen?

Unë jam i sigurt që Shqipëria dhe Serbia, apo më mirë shqiptarët dhe serbët, duhet të bëjnë për vendin e tyre atë që bënë për Europën gjermanët dhe francezët. Ne brenda kuadrit tonë mund të bëjmë diçka, gjë që dukej e pamundur. Ne mund ta shndërrojmë këtë fqinjësi ndërmjet nesh në një aleancë strategjike për një të ardhme më të mirë për njerëzit dhe rajonin. Ne mund të jemi besimplotë që nëse Gjermania dhe Franca e bënë këtë për Europën kjo është e mundur. Përse të mos e bënim edhe ne?

Atëherë cili është plani?

Ne duam ta përdorim instrumentin fantastik të shkëmbimit rinor, ashtu siç është ndërmjet Francës dhe Gjermanisë, si një rrugë për përafrime dhe bashkëpunime të tjera, për të ndërtuar një miqësi të vërtetë. Ne nuk kemi shpikur asgjë, por ne kemi vullnetin të mbështetemi tek ky model.

Çfarë do të ndodhë konkretisht ?

Mund të jetë një shkëmbim ndërmjet shkollave, universiteteve, ndërmjet të rinjve të cilët punojnë në administratë. Ne kemi folur për një Projekt të Praktikës – të rinj shqiptarë mund të bëjnë praktikë në Serbi dhe anasjelltas.

Në vjeshtën e vitit të kaluar, ndërsa tifozët serbë iu sulën stadiumit në Beograd dhe keqtrajtuan tifozët shqiptarë, pasi njerëz të panjohur ngritën një flamur të Shqipërisë së madhe në stadium, situata ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve ishte e keqe. Ndërkohë, ju keni folur me Kryeministrin Aleksander Vucic. Si janë marrëdhëniet tani dhe çfarë prisni ju nga bisedat me të në Vjenë?

Magjia e futbollit shkon tej fushës së futbollit, pasi edhe njerëz si ju të cilët nuk pyesin shumë për futboll, por që janë tepër të kujdesshëm, nëse bëhet fjalë për Ballkanin, u kujtohet loja e futbollit, por nuk u kujtohet që disa javë më vonë unë isha në Beograd dhe jam takuar me Vucicin.

Natyrisht që e di këtë.

Dua të them që njerëzve u kujtohen më shumë gjërat e këqija. Por në këtë rast e keqja është shndërruar në diçka të mirë. Ne këtë moment e kemi shndërruar në një mundësi fantastike. Në vend që t’i ktheheshim një pjese të së shkuarës, ne kemi bërë një hap miqësor dhe u takuam. Pastaj ai erdhi në Shqipëri. Vizita e një Kryeministri shqiptar në Beograd ishte e para pas 68 vjetësh. Dhe ishte takimi i parë e një Kryeministri serb në Shqipëri. Ne nuk kemi problem me njëri-tjetrin dhe ne kuptohemi shumë mirë. Ishte tepër sensitive për nevojat e Shqiptarëve të cilët banojnë në Luginën e Preshevës në Serbi. Dhe unë besoj që ai do të bëjë më të mirën e vet, që këtë zonë të marxhinalizuar të kthejë në normalitet, ku shqiptarët të ndihen si në shtëpi dhe jo të pushtuar.

Keni përshtypjen që shqiptarët në Luginën e Preshevës ndjehen të pushtuar?

Asgjë nuk ndryshon në një ditë. Plagët e njëqind vjetëve nuk mund të kurohen brenda një viti. Ka patur shumë përparime, edhe në frontin e dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ne jemi në rrugën e mbarë.

Mungon edhe një pjesë e autostradës që do ta lidhë përfundimisht Beogradin me qytetin portual të Durrësit. Kjo autostradë është një nga projektet e bashkëpunimit rajonal, të cilët kërkohen në kuadrin e procesit të Berlinit. Kur do të përfundojë?

Rama: Kjo është një pyetje të cilën ju mund t’ia bëni Komisarit Hahn që është tepër i vlerësuar prej meje. Bëhet fjalë nëse Europa do të tregojë të njëjtin vullnet që ne kemi treguar. Ishte historike ajo që ne kemi bërë, por njerëzit nuk mund të ushqehen me fotografi historike. E ardhmja e tyre nuk do të jetë më e mirë nëse ata thjesht do të shohin këto fotografi historike. Tashmë është koha, t’u tregojmë njerëzve që do të hapet vërtet një kapitull i ri. Për këtë na duhet Europa dhe që BE-ja këtë të mos ta shohë si “Business as usual” dhe të mos harrojë që këtu është derdhur gjak dhe…

Në fund të fundit bëhet për para nga BE-ja?

Në fund të fundit bëhet fjalë për të qenë strategjikë. Europa e ka humbur rrugën e saj, çka do të thoshte të qenët strategjikë. Nëse Europa do ta trajtonte Ballkanin nga një këndvështrim strategjik, atëhere paratë do të vinin. Nëse Europa vepron vetëm taktikisht, mund të ndodhin përsëri gjëra të këqija.

Sa shqiptarë largohen për shkaqe ekonomike dhe kërkojnë në Gjermani azil? Cilat reforma ekonomike mund të bëni ju në mënyrë që situata të përmirësohet?

Shumë shqiptarë që shkojnë në Gjermani vijnë kryesisht nga Greqia. Ata kanë banuar atje për vite të tëra si emigrantë dhe përpiqen tashmë në Gjermani. Natyrisht që vijnë disa edhe nga Shqipëria, Serbia ose Kosova. Këta njerëz kërkojnë më shumë. Për këtë shkak na duhet ndihmë. Ne nuk jemi magjistarë dhe nuk mund ta ndryshojmë këtë realitet dhe të realizojmë që njerëzit të ndihën mirë, nëse ata shohin në televizor dhe vënë re si jetojnë europianët në BE, nëse përdorim buxhetet tona të vogla. Cilëndo mrekulli që ne të bëjmë, ne nuk mund të realizojmë çudinë, nëse nuk ndihmohemi në mënyrë të vazhdueshme nga Europa. Europa na ndihmon neve më mirë këtu se sa njerëzit të shkojnë atje.

Por cilat reforma ekonomike mund të bëni ju?

Ne bëjmë të gjitha reformat ekonomike që janë të domosdoshme. Por ne jetojmë në një kohë tjetër. Shpejtësia është krejt tjetër. Dhe njerëzit e rinj nuk kanë kohë të presin derisa reformat të japin rezultate. Kjo kërkon kohë. Për këtë shkak na duhet ndihmë dhe shumë më tepër mbështetje nga BE-ja.

Nëse bëhet fjalë për të rinj, ka universitete private në Ballkan me standarde të ulëta por në të njëjtën kohë pak shkolla profesionale. A kërkohen reforma arsimore?

Këto ne i kemi bërë; ne i kemi mbyllur të gjitha universitetet private me standarde të ulura. Për këtë na është dashur Agjencia Kombëtare Britanike për Akreditimin e Universiteteve. Tashmë ne kemi sistemin dual gjerman. Por natyrisht që zbatimi kërkon kohë. Nëse të gjithë të gjithë landet gjermanë do të merrnin përsipër shkollat profesionale në Shqipëri ose do të jepnin diçka për këtë, gjerat do të ishin ndryshe. Dhe kostua do të ishte më e ulët nga ajo që paguajmë tani, nëse parandalimin e kësaj vale emigrimi e shohim si diçka që ka të bëjë me Gjermaninë.

Jeni dakord që Gjermania e përcakton Shqipërinë si një vend origjine i sigurt?

Këtë e mbështes plotësisht.

Do të luani edhe ju futboll në Vjenë me politikanët e tjerë?

Jo, unë nuk jam lojtar futbolli, por lojtar basketbolli. Dhe të tjerët nuk janë kaq të gjatë sa të luajnë me mua. Ose unë nuk jam aq i vogël sa të luaj me ta.

Por atëherë ju mund të luani si portier?

Rama: Jo, nëse luaj dua të bëj gol. Dhe unë nuk mund të …..

Lajme të ngjashme

Back to top button