U përurua “Qendra Funerale e Malësisë”   

Në Vuksanlekaj afër Tuzit të martën u lëshua në përdorim Qendra Funerale. Në ceremoninë e përurimit të këtij objekti ishin tubuar banorë të shumtë nga Malësia, e në veçanti ishte i madh numri i bashkëvendësve tanë që jetojnë në mërgim, por, që këtyre ditëve ndodhen në vendlindje. Kjo sipas tyre, ishte ngjarje e shumëpritur e po aq e nevojshme për banorët e atij vendi.

Njëri nga nismëtarët dhe anëtarë i këshillit për ndërtim, Zef Camaj, duke i përshëndetur të pranishmit foli për rrjedhën e ndërtimit të kësaj qendre dhe i falënderoi të gjithë ata të cilët me mjetet e veta kontribuuan në ndërtimin e këtij objekti të rëndësishëm.

Më pas, në emër të Shoqatës “Malësia e Madhe”, nga Nju Jorku, foli kryetari i kësaj shoqate, Wjllo Berishaj, i cili, i autorizuar nga kryetari i Shoqatës “Malësia e Madhe”, Lekë Gjonaj, nga Detroiti, falënderoi të gjithë ata të cilët i dhanë përkrahjen maksimale ndërtimit të këtij objekti. Ai, me fjalë emocionuese, foli për dashurin e madhe të mërgimtarëve tanë kudo që jetojnë, të ndihmojnë vendlindjen e tyre të dashur, për një jetë më të mirë dhe më të bukur në këto treva.

Duke folur në emër të këtyre dy shoqatave, kryesisë dhe anëtarëve të tyre, Berishaj, falënderoi përzemërsisht të gjithë anëtarët e tyre, të gjithë bashkëvendësit dhe dashamirët e shumtë nga viset tjera shqiptare për ndihmesën e dhënë në realizimin me sukses të këtij aksioni. Ai, po ashtu, pohoi se funerali i porsandërtuar është pronë e të gjithë banorëve të Malësisë, pavarësisht përkatësie fetare, krahinore, dallimeve politike apo partiake.

Duke pohuar se mërgimtarët tanë janë të gatshëm gjithmonë të investojnë në këto treva, Berishaj, përsëriti kërkesën që në një të ardhme sa më të shpejtë, interesat e banorëve të Malësisë, të realizohen në “Komunën e plotë të Malësisë, me kryeqendrën e sajë Tuzin, e drejtë që na takon sikur të gjithë popujve tjerë”, theksoi ai.

Berishaj, njoftoi se në aksionet e realizuara në Nju Jork dhe në Michigan, janë grumbulluar gjithsej 275. 000 dollar amerikan dhe , njëkohësisht,  falënderoi këshillin për ndërtim, për menaxhimin me kujdes të këtyre mjeteve në ndërtimin e këtij objekti të rëndësishëm në trevën e Malësisë. Në fund të kësaj ceremonie, foli edhe Pjeter Kolçaj, i cili duke falënderuar të gjithë banorët e Malësisë, bashkëvendësit tanë në mërgim dhe të gjithë dashamirët e shumtë, në veçanti falënderoi përfaqësuesit nga Hoti, Gruda, Koja dhe Trieshi, të cilët udhëtuan për në SHBA, me qëllim të grumbullimit të mjeteve nga bashkëvendësit tanë që jetojnë në mërgim.

Lajme të ngjashme

Back to top button