Kumanovarët: Të ndërmerren masa për të kufizuar kumarin!

Kumanovë, kazino

Në parim, lojërat e fatit në Maqedoni janë të lejuara dhe si të tilla rregullohen me ligj të veçantë, sipas Nenit 17 të të cilit licencë për organizim të lojërave të tilla jep Qeveria. Kështu, në bazë të një hulumtimi të SCOOP, vetëm në Kumanovë, pasi i paguan shtetit shumën prej 72.800 euro, licencë për 6 vite fituan:

  • Kompania për kumar dhe bast “MA GAMING” rr. Marshal Tito, nr 7, (e licencuar më 10 maj 2011);
  • Shoqata për tregti dhe shërbime “Flamingo”, rr. Tode Mendoll, Ndërtesa 1, Hyrja 1, apartamenti 1, (e licencuar më 24 nëntor 2009), ka 2 aparate pokeri;
  • T.SH. “Flamingo”, Plloshtad Nova Jugosllavija, nr.1 (e licencuar më 23 mars 2010);
  • T.SH. “Apeks Mk”, Plloshtad Nova Jugosllavija, nr.2 (e licencuar më 23 mars 2010);

Megjithatë, edhepse legale të a.q. lojëra fati- kumari nga qytetarët vlerësohet si joetik, si i dëmshëm për interesin e përgjithshëm të shoqërisë. Qytetarët me këtë rast për Portalb deklaruan nevojën për marrje të masave për kufizimin e këtyre lojërave, respektivisht për të reduktuar numrin e kazinove ekzistuese.

 

“E shoh të arsyeshme të flitet për kazinot, pasiqë konsideroj se ato janë shumë të dëmshme për të gjithë qytetarët në përgjithësi, po për rininë në veçanti. Të rinjtë fillojnë me lojërat në bastore, ku për bast i vendosin 50-100 den, por pas disa viteve fillojnë t’i vizitojnë edhe kazinot. Kam ndëgjuar se ka raste kur kumanovarët shkojnë edhe në Gjevgjeli, në të a.q. “Las Vegasi i Maqedonisë”, shkojnë me 200 euro për të fituar edhe më shumë, por kthehen pa para, me nervozë e stres. Për fat të keq ka kryefamiljarë shqiptarë, mysliman, që pavarësisht se u ndalohet me fe, rrogën e tërë muajit e humbin brenda një nate në kazino dhe pastaj kanë probleme të ndryshme me familjarët. Gjithashtu kazinot frekuentohen shpesh edhe nga studentët. Kam informata se studentë nga qytete a shtete tjera shpesh kanë problem me sigurimin e ushqimit e nuk arrijnë ta paguajnë qiranë e banesës, pasi që të hollat që prindërit ua japin për dy javë ose 1 muaj i harxhojnë nëpër lojëra të ndryshme të fatit.”– tha Rexhep Salihu, student nga Kumanova.

Kumanovë, kazino

Për këtë çështje foli edhe profesori universitar Mr.sc. Llokman Hebibi, njëherit pro-dekan në USHT, studime të disperzuara në Kumanovë: “Është fakt i pamohueshem se kazinot dhe lojërat tjera të fatit e sidomos bastoret janë mjaftë të përhapura në qytetin tonë, kurse efekti i tyre edhe më tepër negativ është se janë të koncentruara afër qendrave edukativo-arsimore, d.m.th. tërheqin vëmendjen dhe koncentrimin e gjeneratave të reja dhe mendimi im është se duhet të ndërmerren masa të menjëhershme që të zhvendosen kazinot dhe lojërat tjera të fatit sa më larg qendrave edukativo-arsimore, pavarësisht a janë afër shkollave fillore, të mesme apo fakultete. Pavarësisht se kush qëndron prapa këtyre kazinove apo bastoreve duhet të kenë parasysh se efektet negative tek gjeneratat e reja janë me përmasa më të mëdha se përfitimet e tyre.”

Qëndrimin e Islamit ndaj lojërave në fjalë, për Portalb e sqaroi teologu Juzuf Zimeri:  “Allahu xh. sh. në Kur’anin Fisnik Thotë: ’’O ju që besuat, s’ka dyshim se vera, bixozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar”. Nga ky ajet dhe nga shumë argumente tjera autentike islame, qartë konstatohet se lojërat e fatit, kazinot, bixhozi dhe shumë e shumë vepra tjera të ngjashme janë të ndaluara islamikisht (Haram) dhe konsiderohen mëkate prej mëkateve të mëdha. Thjeshtë trajtohen si vlera satanike. Disa nga arsyet e ndalimit të tyre janë: Rrënimi i besimit të pastër islam, shkelja e kodit moral islam, rrënim i sistemit juridiko administrativ dhe atij ekonomik në islam, rrënimi i shoqërisë duke filluar nga familja e më gjërë, humbje e kohës, që sipas islamit është e shenjtë, ngjallje të urrejtjes dhe armiqësisë mes njerëzve, keqëpërdorim i pasurisë dhe shpenzim në vende joproduktive, shfaqje e parazitizmit dhe pasivizmit duke mundësuar të fitohet nga veprat e ndaluara, dëmtim i vlerave fetare, njerëzore, qytetare e kombëtare. Prandaj e vetmja rrugëdalje që të shpëtojmë prej tyre, është ashtu si porositë Kur’ani fisnik, largimi prej tyre… Sipas Islamit ndalohet edhe thirrja dhe reklamimi i lojërave të tilla, sepse Pejgamberi a.s. thoshte: “Kush i thotë shokut të vetë hajde të luajmë bixhozë, ai ka gabuar andaj duhet të jap lëmosh-sadeka”. Pra përgjegjësinë për hapjen kazinove dhe lojrave të fatit, nuk e bartë thjesht vetëm personi i cili i hapë ato, sepse këto vepra nuk kanë të bëjnë me individë dhe pasojat e tyre nuk i bart vetëm individt i caktuar, por mbarë shoqëria njerëzore, andaj kemi obligim fetar që të gjithë ne me të gjitha format t’iu kundërvihemi këtyre elementeve rrënuese.”Kumanovë, kazino

E pyetur rreth problemeve të njerëzve me shëndetin psikologjik për shkak të kumarit, respektivisht mos-suksesit të tyre në lojëra fati, Lidija Manasievska, psikoterapiste në Psihomodus LM deklaroi: “Kumari është varësi, është impuls me origjinë nga fëmijëria dhe vështirë kalohet. Më së shpeshti me kumarë mirren ato individë, të cilëve në fëmijëri nuk iu është falur dashuria e nevojshme prindërore apo ngjajshëm. Po, këto lojëra janë shumë të dëmshme: njerëzit fitojnë varshmëri, humbin para kot, kanë mungesë mendimesh, mund të bien në depresion e në ankth. Në vit rreth 20 njerëz me probleme të këtilla kërkojnë ndihmë nga unë, pasi veçmë janë në gjendje të vështirë psikologjike, në depresion e në ankth.  Ka 10 vite që punoj me njerëz dhe a e dini se ka edhe të vegjël, fëmijë të shkollave fillore që kanë këtë varshmëri?! Pra shumë nxënës luajnë nëpër bastore e kjo poashtu është lloj kumari.”

Nga Këshilli Komunal i Kumanovës, për Portalb u prononcua Zenun Ismaili, nga RDK: “Kazinot janë nën kompetencë të Qeverisë dhe komuna në këtë drejtim nuk ka asnjë kompetencë, sa kam unë informacion. Gjatë kësaj periudhe që jam këshilltar nuk është permendur asgjë rreth tyre. Po, personalisht mendoj se duhet të merren masa serioze në këtë drejtim: Të vendosen rregulla shumë më rigoroze rreth kazinove në përgjithësi dhe sidomos të ketë fushatë të gjërë mbi rreziqet që bart frekuentimi i kazinove.”

Sidoqoftë, deputetët e pyetur nga zona 2, nga të cilët qytetarët mund të presin inicim të ndryshimeve në Ligjin për lojëra të fatit, nuk patën vullnet të përgjigjen për Portalb.

Sipas hulumtimit të lartëpërmendur të SCOOP, prej vitit 2009 deri në vitin 2015 në Maqedoni nga ana e Ministrisë së Financave janë licencuar gjashtë kazino me 16 filiale dhe madje 59 sallone me aparate për poker./Portalb.mk

Kumanovë, kazino

Lajme të ngjashme

Back to top button