Maqedoni, gazetarët presin si lypsarë para Klubit të Deputetëve!

Ekipet eksperte të VMRO-DPMNE-së, LSDM-së, BDI-së dhe PDSH-së edhe në bisedimet e tyre në Klubin e Deputetëve kanë problem me përqendrimin, prandaj gazetarët lihen të digjen në diell para derës së Klubit të Deputetëve, më shpresë që të paktën gjatë kësaj kohë të rundit të bisedimeve do të marrin ndonjë deklaratë. Çdo ditë, pas tre orëve të kota pritjeje të deklaratave në lidhje me atë se çfarë po ndodh brenda, ata largohen pa të dhëna zyrtare. Të hënën me intervenimin e ambasadorit amerikan Xhes Bejli, gazetarët fituan kafe dhe ujë.

Për injorimin e tyre, gazetarët më parë kanë kërkuar ndihmë nga kryetari i SHGM-së, Naser Selman. Ai është paraqitur në ambasadën amerikane, që të intervenojnë për lëshimin e gazetarëve të hyjnë brenda Klubit të Deputetëve.

“Lajmërohu tani tek Aivo Orav, na shkohet në tualet”, i kanë thënë me shaka, Selmanit gazetarët në telefon.

Siç u është thënë gazetarëve të “Vestit”, dikush nga LSDM ka kërkuar që gazetarët, fotoreporterët dhe kameramanët të lëshohen brenda që t’i presin deklaratat në kushte më  humane. Por, më vonë është parë se për diçka të tillë nuk kanë pasur disponim asnjëri nga ekspertët e pjesëmarrësve të katër partive politike që po i zhvillojnë bisedimet maratonike sepse kanë punuar në zyra me mure qelqi, e jo në ato të mbyllurat ku mbahen takimet e liderëve. Nuk do të ishin të rehatshëm të punonin para gazetarëve, për atë ky mendim u injorua nga ekspertët e bisedimeve.

Deri më tani gazetarët të gjitha takimet i kanë ndjekur në këmbë, para Klubit të deputetëve, në fakt në rrugë. Edhe pse bisedimet po zhvillohen me dyer të mbyllura, partitë as nuk kanë ecur përpara. As nuk janë marrë vesh se si do të pastrohen Listat Zgjedhore dhe si do të bëhet lista e re, as çfarë modeli zgjedhor do të ketë, as kush do t’i ketë kompetencat dhe kush do të jetë pjesë përbërëse e KSHZ-së, as çfarë do të bëhet me votimin e diasporës bile s’është arritur marrëveshje as se sa deputetë do të numëroi Parlamenti i ardhshëm.

Lajme të ngjashme

Back to top button