5 fakte mbi atë që fshihet pas konfliktit të fundit mes dy Koreve

Pas kërcënimeve të Phenianit për forcat ushtarake koreanojugore është shpallur gatishmëria numër 1, në mënyrë që të parandalohen pasoja të padëshiruara që lidhen me ndonjë sulm të mundshëm frontal nga Koreja e Veriut. Megjithëse në prag lufte, paradoksalisht bisedimet mes dy vendeve nuk kanë vonuar të zhvillohen. A e dëshirojnë këto dy vende vërtet një luftë të re?

Duket sikur po përjetojmë një situatë vërtet të rrezikshme. Veriu ka kërcënuar së fundmi Korenë e Jugut me një luftë totale. Është pasojë e një konflikti të vjetër, të riformatuar prej disa javëve e që duket se po zien së fundmi më me forcë në kufijtë mes dy vendeve, duke arritur pikën e tij kulmore.

Pas kërcënimeve të Phenianit për forcat ushtarake koreanojugore është shpallur gatishmëria numër 1, në mënyrë që të parandalohen pasoja të padëshiruara që lidhen me ndonjë sulm të mundshëm frontal nga Koreja e Veriut, pavarësisht se nën hijen e luftës, paradoksalisht bisedimet mes dy vendeve nuk kanë vonuar të zhvillohen.

Për ta zhvendosur diskutimin përtej tyre, le të mësojmë pesë fakte që lidhen me konfliktin më të fundit mes dy vendeve që këmbëngulin prej më shumë se 60 vjetëve në “të drejtën” e tyre të pacenueshme.

  1. Përse po veprohet me paramendim?

Tensionet janë ashpërsuar ditët e fundit. Koreja e Veriut i vendosi trupat e veta në kufi me fqinjin jugor në gatishmëri të lartë gjatë së premtes së shkuar dhe kërcënoi me një sulm mbi pozicionet koreanojugore. Kërcënimi erdhi pas një këmbimi zjarri mes njësive të artilerisë të të dyja vendeve të enjten e javës që shkoi, në kufirin mes tyre. Seuli ia hedh fajin Phenianit për atë që po ndodh.

Ndërsa Koreja e Veriut është e shqetësuar nga programet propagandistike të shfaqura në mediat koreanojugore, të cilat duket se Seuli zyrtar i ka sponsorizuar masivisht pas plagosjes së ushtarëve koreanojugorë nëpërmjet minave të vendosura nga koreanoveriorët – sipas pretendimeve të Seulit.

Regjimi në veri ka frikë se mos ushtarët e tij të kufirit, dobësohen moralisht nga këto akte – e kësisoj vendosin ta braktisin detyrën dhe vendin e tyre përgjithnjë.

  1. Koreja e Veriut ashpërson retorikën

Në një ashpërsim të toneve të veta, Koreja e Veriut kërcënoi madje me nisjen e një lufte të re. Ushtria dhe populli jo vetëm që janë gati për hakmarrje, por “nuk e përjashtojnë edhe dhënien e jetës për ngadhënjim në një luftë të re”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme koreanoveriore, të transmetuar nga mediat zyrtare në Phenain të shtunën.

  1. Përse bëhet fjalë

Koreja e Veriut ndihet e kërcënuar edhe nga mbajtja e disa manovrave që zgjatën disa ditë mes forcave ushtarake amerikane e atyre koreanojugore. Pheniani i përshkroi manovrat si përgatitje të një invazioni amerikan të veriut të Gadishullit. SHBA dhe Koreja e Jugut sidoqoftë, kanë këmbëngulur në karakterin mbrojtës të këtyre manovrave.

Njësitë ushtrimore ushtarake që u ndërprenë të mërkurën, sipas njoftimeve nga pala amerikane, nisën sërish të premten. Ndërprerja duhej të shërbente që të koordinoheshin veprimet me Korenë e Jugut, u tha në deklaratën amerikane. Të shtunën, tetë luftanije koreanojugore e amerikane demonstruan bombardimin e pozicioneve armike në një seancë të gjerë veprimesh stërvitore.

  1. A dëshiron vërtet njëri nga dy vendet luftë?

Nuk është hera e parë që dy vendet “armike” përplasen me njëra-tjetrën. Përkundrazi, Veriu dhe Jugu në një situatë të ngjashme, shumë serioze, në vitin 2010 ishin shumë pranë nisjes së një lufte të re.

Pesë vjet më parë, Koreja e Veriut mbyti një anije të Jugut dhe qëlloi në një ishull të zotëruar nga Jugu. Katër vetë humbën si pasojë jetën. Ky ishte një incident tepër serioz, edhe më serioz në fakt se ky që po përjetojmë këto ditë. Incidenti serioz, megjithatë, nuk përfundoi në luftë. Kjo dëshmon se asnjëra palë nuk është vërtet e interesuar të shpërthejë lufta.

Koreja e Veriut e di se një invazion i tillë s’do të kishte gjasa të mbahej gjatë më këmbë – SHBA do të mbështesnin Jugun, sidoqoftë me çdo mjet për të ruajtur sovranitetin e vet. Edhe Koreja e Jugut dëshiron të shmangë me çdo kusht një përshkallëzim të situatës, duke u bazuar më shumë në mjete diplomatike për zgjidhjen e problemeve dhe te bashkëpunimi ekonomik.

  1. Këmbimet e zjarrit në kufi, ndoshta një lojë

Propaganda e Koresë së Veriut po përqendrohet në thelb në forcën e ushtrisë së saj. Gjithnjë e më shumë, regjimi në Phenianit po i drejtohet popullit, duke e cilësuar atë si të pamposhtur, me referenca historike – dhe që në rast ekstrem do të jetë i gatshëm ta mbrojë atdheun e vet. Kërcënimet janë një demonstrim i forcës në fakt ndaj popullit të vet – dhe i përkasin edhe kalkulimeve të bëra mirë nga Koreja e Veriut, pra janë pjesë e vjetër e stilit të saj të lojës.

Përshkallëzimet e situatës si kjo e kohëve të fundit, kanë sjellë gjithnjë më pas një afrim diplomatik – duke ecur sipas motos: “Para se të bisedohet, zbrazet mirë karikatori deri në fishekun e fundit”.

Kështu duket se po ndodh edhe në rastin më të fundit. Përfaqësues të lartë të të dyja shteteve, janë takuar në kufi për të zhvilluar bisedime. Janë në fakt të parat të këtij lloji qysh prej një viti. Vetëm fakti se ata janë mbledhur të bisedojnë në tavolinë, në enklavën e Panmunjom, në kufirin ku në vitin 1953 iu dha fund luftës në Gadishullin Korean, është një fitore më vete. Një rezultat pozitiv i tyre ende nuk është i njohur – por takimi të jep shpresa për një përmirësim të qëndrueshëm.

Shënim: Artikulli i mësipërm, është botuar dje në “Huffington Post”, para se të njoftohej lajmi për arritjen e marrëveshjes mes dy Koreve.

Lajme të ngjashme

Back to top button