Mijëra emigrantë hyjnë në Hungari

Pas kalimit të kufirit maqedonas dhe mbërritjes në Serbi, një numër i madh emigrantësh kanë kaluar kufirin hungarez. Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët bëri me dije se mijëra të tjerë pritet të bëjnë të njëjtën gjë.

Mbi 100 mijë imigrantë këtë vit, më shumë se dyfishi i numrit të vitit të kaluar, kanë hyrë në territorin Hungarez. Autoritetet thanë se afro 2 mijë e 100 kaluan kufirin të hënën, numri më i madh në një ditë të vetme.

Hungaria po punon me nxitim për të përfunduar ndërtimin e një gardhi në kufi, për të mos lejuar hyrjen e imigrantëve që përshkojnë Serbinë për të hyrë në një vend anëtar të Bashkimit Evropian.

UNHCR-ja tha sot se parashikon që 3 mijë vetë më shumë në ditë do të kalojnë nga Greqia në Maqedoni në ditët e ardhshme. Agjencia theksoi nevojën për trajtim njerëzor dhe tha se gjendja në Evropë nuk do të ndryshojë përsa kohë nuk ndryshojnë kushtet në Siri dhe Irak, transmeton VOA.

Ndërkohë Francois Crepeau, raportuesi i posaçëm i OKB-së për të drejtat e emigrantëve, tha sot se Evropa po dështon në reagimin e saj dhe i duhet një politikë e re emigracioni.

“Ndërtimi i gardheve, përdorimi i gazit lotsjellës dhe formave të tjera të dhunës kundër imigrantëve dhe azilkërkuesve, ndalimi, mohimi i qasjes tek shërbimet bazë si strehimi, ushqimi ose uji dhe përdorimi i gjuhës kërcënuese ose të urrejtjes nuk do të frenojë ardhjen apo përpjekjet e emigrantëve për të hyrë në Evropë”.

Zoti Crepeau tha se, Evropës i duhet të zbatojë një program për sistemimin e refugjatëve si ata që kanë ikur nga Siria dhe Eritrea, duke thënë se një program i tillë jo vetëm do të ndihmonte vendet të përgatiten për ata refugjatë që do t’i lejojnë të hyjnë, por edhe do të godiste trafikantët që aktualisht transportojnë njerëz nëpër rrugë të rrezikshme për në Evropë.

Organizata Ndërkombëtare e Migrimit thotë se mbi 250 mijë imigrantë kanë hyrë nga deti në Evropë këtë vit, duke zbritur kryesisht në Itali dhe Greqi. Afro 2 mijë e 400 vetë kanë gjetur vdekjen gjatë udhëtimit.

Lajme të ngjashme

Back to top button