Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Tahiri: Për krizën e refugjatëve duhet zgjidhje europiane

Në një konference për mediat të mbajtur sot, ministri i Brendshëm i Shqipërisë ka komentuar zhvillimet e fundit rreth krizës së refugjatëve në rajon, konkretisht në Maqedoni, por edhe fenomenin e azilkërkuesve nga Shqipëria, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke i ndalur në situatën e refugjatëve në vendin fqinj në Maqedoni, Tahiri ka deklaruar se Shqipëria nisur nga kjo situatë ka marrë të gjitha masat e duhura në kufi. Sipas tij kjo situatë përbën shqetësim dhe që meriton bashkëpunim mes vendeve të rajonit.

“Situata e ditëve të fundit në Maqedoni por mbi të gjitha dhe situata që tashmë zgjat më shumë sesa 1 vit në disa vende fqinjë me Shqipërinë, të BE-së, që kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë si pritës të parë të emigrantëve nga vendet me kriza të thella shoqërore dhe konflikte të forta, përbën një shqetësim që nuk njeh as kufij shtetërorë e as mjaftohet me zgjidhje të pjesshme apo të izoluara, por kërkon mbi të gjitha një bashkim forcash dhe energjish nga të gjitha vendet e rajonit dhe të BE-së. Gjatë kësaj kohe ka pasur flukse emigratore edhe në Shqipëri, por që kanë qenë në shifra të përmbajtura. Kemi bashkëpunuar intensivisht me agjencitë partnere sepse ne konsiderojmë se kjo situatë nuk meriton vëmendjen vetëm të një vendi, por meriton pa dyshimin bashkëpunimin e vendeve të rajonit, bashkëpunimin ndërmjet nesh dhe vendeve të Bashkimit Europian, pra meriton një zgjidhje europane”- ka deklaruar në konferencën për mediat ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Saimir Tahiri.

Ministri ka deklaruar se, Shqipëria ka marrë të gjitha masat për tu përballur me çdo lloj shqetësimi që mund ti vijë nga kjo situatë. Ai nuk është ndaluar në masa konkrete, por ka shtua se nuk përfshihet vetëm policia e shtetit, ku policia e shtetit është vetëm një hallkë në përballjen e kësaj situate. Ai ka theksuar se shteti shqiptar është i vetëdijshëm që kjo është një situatë që meriton vëmendje nga të gjithë palët, duke shtuar se është kërkuar në mënyrë intensive mbledhja e përbashkët e ministrave të Brendshëm të Bashkimit Europain, ku të përfshihen edhe ministrat e Brendshëm të rajonit

“Kemi bërë thirrje dhe vazhdojmë që të bëjmë thirrje për një qasje të përbashkët, për bashkim forcash dh energjish dhe për zgjidhje të përbashkëta evropiane në nivel vendesh të Bashkimit Europain, por edhe Ballkanit Perëndimor”- deklaroi Tahiri.

Ndërsa për çështjet e kërkimit të azilit nga shtetasit shqiptarë në Gjermani apo edhe vende të tjera, Tahiri ka deklaruar se vazhdojmë me zbatimin e një plani rigoroz për të parandaluar në maksimum mundësinë e largimit nga vendi të shtetasve shqiptarë për të kërkuar, sipas tij në mënyrë të parregullt në vendet e Bashkimit Europian.

Ai ka theksuar se janë të përgatitur për të frenuar dhe parandaluar fenomenin e azil-kërkimit dhe policia e shtetit do të zbatojë një plan masash të detajuara për të adresuar këtë fenomen si në pikat e kalimit kufitar. Tahiri në fund iu ka bërë thirrje qytetarëve të respektojnë kriteret e lëvizjes së lirë në zonën Shengen.

Lajme të ngjashme

Back to top button