Analizë: Nevojiten reforma thelbësore në DSK dhe sistemin e sigurisë

Shoqatat civile duhet të përfshihen në procesin e reformave të Maqedonisë të cilat kanë bazë mangësitë e identifikuara në raportin e Pribes. Shoqatat mund të kontribuojnë në procesin e konsultimit, thonë për Portalb, përfaqësues të organizatës Analitika në Shkup. Më tej, nga analiza që kanë bërë ata rekomandojnë të ketë qasje sistematike ndaj reformave themelore për vendin, sesa të ashtuquajturat ndryshime kozmetike.

“Mekanizmat e kontrollit të brendshëm duhet të forcohen. DSK dhe agjencitë e tjera të inteligjencës duhet të bëjnë plan për transparencë dhe komunikim më të hapur me publikun. Raportet vjetore duhet të bëhen publike.” thonë nga Analitika.

Menjëherë pas kthimit të opozitës në parlament duhet të ri-plotësohen të dy komitetet këshillëdhënëse –  për mbikëqyrjen e punëve të DSK-së dhe Agjencisë së inteligjencës dhe për mbikëqyrje të përgjimeve. Në të njëjtën kohë është e nevojshme menjëherë të sigurohet ekspertizë adekuate dhe mbështetje teknike për deputetët në krye të mbikëqyrjes.

“DSK dhe Agjencia e inteligjencës shpejt duhet t’i dorëzojnë raportet e punës së vitit 2014 dhe programet të punës për vitin 2015. Drejtorët e dy agjencive duhet të jenë të pranishëm në mbledhjet e komiteteve për t’i shpjeguar dokumentet dhe për t’u përgjigjur pyetjeve të deputetëve. Është e nevojshme të arrihet një marrëveshje për zbatimin e vizitave në teren, si dhe mundësinë për të kërkuar raporte konkrete ose informata gjatë vitit, duke krijuar procedura të qarta dhe afate.” thonë nga Analitika.

Disa nga rekomandimet e tyre janë:

Siguria dhe DSK:

Me qëllim për të siguruar vazhdimësinë në punën e komiteteve dhe rregullsinë e operacioneve, të bëhen kuota për numrin minimal të takimeve të mbajtura, për shembull të paktën një herë në muaj apo çdo tre muaj.

Pas zgjedhjeve në prill 2016 komitetet e reja duhet të bëjnë vizita fillestare në të gjithë institucionet të cilat mbikëqyren, ku do të njihen me punën e tyre, pajisjet që do t’i përdorin, dhe kornizën e aplikueshme ligjore. Reciprokisht, shefat e departamenteve po ashtu duhet të vinë në mbledhjet me komisionin.

Është e nevojshme që të sigurohen fonde për përforcimin e të dy komisioneve mbikëqyrëse, veçanërisht në lidhje me ekspertizën shtesë.

Duke pasur parasysh se shumica e takimeve të dy komisioneve mbikëqyrëse zhvillohen mbrapa dyerve të mbyllura, duhet të krijohet mekanizëm për raportimin e publikut.

Institucione të tjera

Institucionet të pavarura mbikëqyrëse, si Avokati i Popullit dhe Zyra shtetërore për auditim duhet t’i përdorin fuqitë e tyre më shpesh në lidhje me sektorin e sigurisë ta përmirësojnë bashkëpunimin me Parlamentin. Nëse është e nevojshme, përfaqësuesit e tyre do të marrin pjesë në mbledhjet e komisioneve mbikëqyrëse.

Prokurori publik ende nuk ka paraqitur asnjë raport mbi përdorimin e masave të posaçme hetimore në parlament. Raportet të cilat mungojnë duhet të paraqiten pa vonesë dhe për to të diskutojnë të dy komisionet mbikëqyrëse. Prokurori publik i Republikës së Maqedonisë duhet të merr pjesë në këto seanca dhe t’iu përgjigjet pyetjeve të deputetëve. Të dhënat statistike mbi përdorimin e masave të posaçme hetimore duhet të jenë në dispozicionin e publikut dhe të jenë të përditësuara rregullisht.

Administrata doganore dhe Zyra e policisë financiare duhet të jenë të pajisura plotësisht dhe të furnizohen me kapacitetin e nevojshëm për monitorimin e komunikimeve. Të konsiderohet mundësia për paraqitjen e raporteve vjetore mbi zbatimin e Masave të Veçanta Hetuese (PIM) dhe monitorimit të komunikimit të komisionit mbikëqyrës përkatës.

Lajme të ngjashme

Back to top button