Në USHT u përurua salla sportive

Universiteti Shtetëror i Tetovës dhe Qeveria e Maqedonisë, respektivisht Agjencia për Rini dhe Sport me një ceremoni solemne të hënën e bënë përurimin e sallës sportive në kompleksin e Universitetit Shtetëror të Tetovës. Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Vullnet Ameti theksoi se me lëshimin në përdorim të kësaj salle, Fakulteti i Kulturës Fizike i USHT-së në të ardhmen do të realizojë aktivitete të ndryshme sportive.

“Ne drejtuesit e këtij institucioni të arsimit të lartë, e mirëpresim përurimin e kësaj salle, përderisa Fakulteti i Kulturës Fizike i Universitetit tonë, tash e tutje, krahas studimit në fushën e edukimit fizik dhe shëndetësor do të disponojë të gjitha kushtet e nevojshme për të organizuar edhe aktivitete sportive. Në këtë sallë do të zhvillojnë aktivitete sportive edhe studentët e fakulteteve dhe programeve të tjera studimore të USHT-së. Përurimi i këtij objekti sportiv me sipërfaqe prej 1363 m², për ndërtimin e të cilit u angazhuan Qeveria e Republikës së Maqedonisë, përkatësisht Agjencia për Rini dhe Sport dhe Universiteti Shtetëror i Tetovës, do të shërbejë për zhvillimin e procesit mësimor bashkëkohor, sa i përket pjesës praktike”, tha Ameti.

Në përurimin e sallës sportive të USHT-së mori pjesë edhe kryeministri i Qeverisë së Maqedonisë, Nikolla Gruevski.

“Bëhet fjalë për sallë e cila disponon me 500 ulëse speciale, të cilat janë jashtëzakonisht të mira. Salla është tepër e mirë dhe gjithashtu është e përshtatur edhe me mundësi për të luajtur ndeshje më të mëdha sportive, si futboll të vogël, basketboll, hendboll, volejboll, pingpong dhe shumë sporte të tjera”, deklaroi kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdilaqim Ademi tha se Ministria e Arsimit dhe Shkencës investon në objekte të këtilla me qëllim të krijimit të kushteve sa më të mira për mësim.

“Ne si Qeveri e Republikës së Maqedonisë dhe si Ministri e Arsimit dhe Shkencës investojmë në objekte të këtilla me qëllim që nxënësit dhe studentët të disponojnë kushte më të mira për mësim.  Studentët ta gëzojnë sallën e re. Prej këtu të dalin kampionët e ri që do të ndjekin suksesin e studentëve të këtij universiteti, si kampionët Berat Jakupi, Dardan Dehari she shumë të tjerë”, theksoi Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdilaqim Ademi. 

Lajme të ngjashme

Back to top button