Pritet të arrijnë edhe 3000 emigrantë drejt Gjevgjelisë

Trageti grek “Elefterios Venizellos” në mëngjesin e sotëm në Pirea ka bartuar 2489 të ikur nga Siria, të cilët janë vendosur në Lezbos. Ata në ditët e fundit kanë arritur në Greqi me 14 anije nga Turqia. Mediumet greke lajmërojnë se të ikurit janë bartur nga Pirea në stacionin hekurudhor  të Selanikut prej ku do të bartën në Polikastro, në afërsi të kufirit greko-maqedonas. Sipas njoftimeve nga Greqia, kjo valë e re e rreth 3000 emigrantëve duhet të arrijë sonte në kampin e Gjevgjelisë, njofton Plusinfo.

Të paktën deri në mëngjes mund të ketë krizë emigrante, pastaj të ikurit prej kufirit greko-maqedonas dhe serbo-maqedonas  për pak kohë do të zhvendosen në shtetet e para fqinje të Evropës, Bullgarisë dhe Hungarisë.

Mbrëmë në kufirin serbo-hungarez ka arritur vala e parë me rreth 1000 të ikur, të cilët para dy ditëve e lëshuan Maqedoninë. Rruga e tyre drejt Hungarisë deri më tani është në pikëpyetje, sepse Hungaria e ka rrethuar kufirin me mur. Por, ashtu siç kanë lajmëruar të ikurit për Tanjug dhe për RTS, ata shpresojnë se në dy ditët e ardhshme do ta kalojnë kufirin dhe do të jenë të lirë në udhën e tyre drejt Evropës Veriore.

Sot edhe nesër pritet që në kufirin serbo-hungarez të arrijnë më shumë se 2000 të ikur. Hungaria tanimë e ka filluar ndërtimin e murit në kufirin me Serbinë për ta ndaluar hyrjen ilegale të emigrantëve në vendin e saj. Muri është 4 metra i lartë dhe 175 kilometra i gjatë, punimet për ndërtimin e këtij muri do të përfundojnë më 31 gusht. Këto ditë janë më të shpeshta apelet e përfaqësuesve të BE-së për ndihmë të Greqisë, Maqedonisë dhe Serbisë, “Për rrugën e Ballkanit Perëndimor të të ikurve nga Siria, Iraku dhe Afganistani” dhe për definimin e politikës së unionit për të ikurit.

Lajme të ngjashme

Back to top button