SIMPOSION 

Bisedojmë me miqtë në kopshtin e mrekullueshëm të poetit të njohur shqiptar Lulëzim Haziri: vepra letrare… poezia… proza… gjuha… jeta…

Lulëzimi i cili i di fshehtësitë e  krijimtarisë poetike, është i zënë me cikërrimat që i kërkon mikpritja. Renditen specialitet pas specialiteti në tavolinën e vendosur midis kopshtit të bukur. E shoqja dhe e bija e tij nuk pushojnë së sjelli pjata, gota, shishe.

Gjatë kohë flasim për jetën. A nuk është jeta poezi?

Doemos se po. Vijmë në përfundim se vepra letrare nuk ngrihet nga ndonjë dramë e madhe kolektive, nga ndonjë rrëmujë, luftë, fatkeqësi natyrore. Ato janë punë të gazetarisë. Të historisë. Themeli i letërsisë saj është detaji, cikërrima, gjërat e imta, me të cilat  ndeshet njeriu në jetën e përditshme. Aty lind përshtypja, aty ndizet ndjenja e cila kërkon të shpërthejë, ta nxjerrë në shesh atë cikërrimë që nuk duket nga syri i njeriut – kalimtar i zakonshëm. Një ndjenjë që ta nxit lulja e sapoçelur, era e mirë e barit, qeni si e manifeston gëzimin kur e sheh padronin duke hyrë në kopsht nga dera e madhe, ushtima e grykës së malit, syri i shkruar i ndonjë femre që të del rastësisht para sysh, një fjalë e rastit dhe vargut a tregimit u hapet shtegu dhe ngrihen në shkallën e të bukurës.

Dalëngadalë largohet dielli që i jep barit një ngjyrë berili e terri bie ngadalë.  Fillojnë të dëgjohen fjalët e të grishurve të Lulëzimit. Freskia e kalon kufirin dhe kanoset të bëhet ftohtë. Lulëzimi shkon e ma sjell një xhaketë. Unë rehatohem, të tjerët nuk e ndjejnë të ftohtin. Janë të rinj.

Më kujtohen ditët kur kam qenë në moshën e tyre. Asokohe çuditërisht i përjetoja mbrëmjet, hënën, yjet, ushtimën e grykës së malit, porendet, përrenjtë, shtëpitë e atëhershme të vjetra, plakat që këndonin e që bisedonin dhe vogëlsinë time përballë këtyre mrekullive, të cilat flitnin zëshëm dhe flisnin shqip. Më vjen keq që s’i kam shënuar këta tinguj, këto ngjyra, të cilat tash i ka gëlltitur e kaluara dhe më vijnë vetëm si copa reminishencash. Aty kanë qenë të fshehura dramat, aty kanë qenë vargjet më të bukura, aty ka qenë drita, aty ka qenë mrekullia e mbrëmjes.

Është e pamundur tash të kthehet në plotninë e saj  gjithë ajo pafundësi e bërë prej detajesh, prej cikërrimash, prej fjalëve të gjuhës së bukur shqipe. Shumë kohë ka kaluar më shumë se gjysmë shekulli. Të gjithë aty luftojnë ta mbajnë e ta mbrojnë frymën e gjuhës shqipe për leksikun e saj.. T’i shohësh vetëm Vjollcën dhe Xhumen! Aty është edhe Vigu që tregon interesim serioz për gjuhën shqipe, për letërsinë. Ta shohësh sa e njeh ai filmin. Bisedojmë me të për to, por shakatë e Vjollcës, të Xhumes dhe të Lindës, respekti që na e bën i zoti i shtëpisë me të shoqen e të bijën, na kthejnë aty, pranë tryezës së mbushulluar me specialitete të rralla dhe gotave me verë të rrallë.

Sa njerëz mikpritës. Këtu gjithçka shndërrohet në poezi! Por nata ka rënë. Duhet të kthehemi. Po si ta lëmë gjithë këtë hapësirë poetike. Duke u ngritur nga kjo botë ku dominon era e barit të njomë, Vjollca thotë: “Do të vini pak në tavernën time në Tetovë”. Nuk kundërshtojmë. Duke u kacafytur me përshtypjet e shumta, me gjithë këtë bukuri që e ofron kjo shtëpi, ky oxhak fisnik, më kujtohet një varg i Lulëzimit, mikpritësit tonë e poetit subtil:

Kur mbrëmja ulet këmbëkryq dhe kur dritat çelin sytë…

Pastaj edhe disa vargje:

Ditë e mirë është kur e sodit i qetë vesën në merimangë… 

Ditë e mirë është kur asnjë hije nuk më ndjek… 

Ditë e mirë është kur shkruaj nokturno pastaj bie fle… 

Çfarë detajesh madhështore e qëndisin poezinë e Lulëzimit, çfarë cikërrimash që e bëjnë paskajshmërinë e bukurisë. Dhe, e sheh se poezia është aty rreth nesh, por poeti nikoqir e inventiv ka bërë që mbrëmja të ulet këmbëkryq dhe dritat e rrugës që ditën rrinë me sy mbyllur, poeti natën ua zbyll sytë, siç do të kishin thënë arbëreshët tonë ,këta heronj të kulturës dhe të gjuhës shqipe.  Pastaj, ta shohësh vesën e kristaltë kah kalon merimanga pranë saj, ta përjetosh vetëm një ditë kur hijet e hafijet nuk i ke prapa dhe përfundimisht dita mbyllet me aktin solemn të të shkruarit nokturno para se të bjerë poeti të pushojë dhe t’i shfletoj ëndrrat të cilat e bëjnë mozaikun e botës shqiptare të ngritur në shkallë universale. Talenti i Lulëzimit.

“A nisemi për Tetovë”?

“Nisemi”…

Atje në tavernën e bukur të Vjollcës i shpalojmë tregimet e Çehovit, romanet e Bullgakovit, të Lorensit, Grejvsit, Lorensit dhe të Kadaresë së paanshkalueshëm e të shumë të tjerëve. Pastaj e shprehim habinë për vendosmërinë e Qoses për të polemizuar me Kadarenë. Rivalitet i kotë, thotë Xhumja. Vjollca pajtohet. Janë këto dy vajza që lexojnë shumë. Shpirti i tyre është poezi.

Përsëri hapet biseda për gjuhën. Fjalori i gjuhës shqipe. Unë them: shqipja, për fat të keq nuk ka fjalor. Kemi mbetur me fjalorin e kohës së Enverit, ku një e treta e fjalëve janë, ndoshta, terminologji e marksizëm leninizmit. Mungojnë aty pezhorativat me prapashtesën sh: gungsh, fiksh, voksh… Mungojnë kompozitat e tipit prishaplang, sosapunë etj. Vigu e luan kokën në shenjë pohimi, por e shoh se ai bredh diku nëpër shtigjet e thella të gjuhës sonë.

Vjollca, Xhumja dhe Vigani gjithmonë dalin me ndonjë befasi nga bota e letërsisë. Të tretë e kanë syrin gjilpërë. Lindita flet për fatkeqësinë që mitet shqiptare kanë mbetur pa u mbledhur dhe tregon madhështinë e miteve helene dhe kelte.

Pastaj e shikojnë Lulëzimin si është veshur me elegancë, kurse mua më troket në kujtesël poezia e Lulëzimit Dhoma e fshehtë. Sa miq të zgjedhur ka në vargjet e kësaj poezie: Mikalangjeloja, Migjeni Kadareja, Markezi, Martin Camaj. Po Lulëzimi nuk mundet pa këta njerëz, nuk mundet pa fjalën e shkruar, prandaj shoqërohet me këtë rreth poetësh ambiciozë. Dhe, të gjithë këta hyjnë padiktueshëm nëpër fletët e librave të tij, ku zbukurohen me ndjenjë fisnike të poetit Lulëzim Haziri.

Derisa Lulëzimi i hap dyert e shakasë në këtë grup të rinjsh ambiciozë, mua më ndjekin vargjet e tij me titull Letër Redaktorit 

Si duket redaktor

Ti vërtet tallesh me vargjet e mia

Ruaju vargjeve të rebeluara

Mos të ta hanë tavolinën e punës.

Revoltë, ironi, vargje që ecin nëpër një sintaksë të kristaltë shqipe.

E ndjej hukamën e grykës mbi Tetovë që flet se nata po rrëshqet nga mëngjesi.

A shkojmë?

Ngrihemi të hidhëruar me kohën që na ikën duarsh aq shpejt.

Duke dalë më pajtohemi me Xhumen se jeta është vlera më e lartë që një herë i falet njeriut. Dhe, pse mos ta shfrytëzojmë me poezi. A nuk duken jeta e poezia si sinonime?

Lindita thotë:

Të kishim ndenjur edhe pak…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button