Ndjejmë prandaj dhe jemi

Diell përcëllues mesditeje të digjte lëkurën. Punë riparuese në rrugët kryesore të qonin pastaj në rrugica të tjera të qytetit. Autobusi ndalonte në kthina ku prisnin qytetarët për t’u nisur drejt plazhit. Ishim në Lezhë dhe po kërkonim heroin. E gjetëm shumë pak metra larg një memoriali. Një manastir i vjetër i kishte bërë shtëpinë, ku hija e Shën Gjergjit i bënte hije. Porta masive druri, që ishin hapur që në 1444-tën për Kuvendin, tani qëndronin hapur dhe për ne. Një freski pastaj brenda,sikur simbolika e të Shenjtit të Ujit, të ftonte brenda. Në ballë, na mirëpriste vendvarrimi i Skënderbeut, me përkrenaren dhe shpatën e improvizuar. Aty eshtra nuk kishte. Miti i tij ndërkaq, ishte i pranishëm kudo. Me pus të thellë ndjenjash, ishim, pamë dhe shkuam, me edhe një tullë të shtuar në kujtesën tonë kolektive. Mitet kanë shërbyer me shekuj si ushqim shpirtëror për identitetet e njerëzve.

Dhemë së shumti ato kombëtare. Mirëpo, derisa mitet janë konstruktuar varësisht nevojave të elitave, megjithate, ato janë reale. Shkruesit e kohërave relevante mund t’i kenë zmadhuar, zbukuruar, ndriçuar, mirëpo, ato kanë ekzistuar. Dhe janë pikërisht këto mite që janë ngulitur pastaj në kujtesën kolektive të popujve, për të prodhuar rilindjet kombëtare. Lidhur me mitet, gjithnjë më ka ngjall kureshtje se pse shqiptarët, të paktën shumica syresh, kudo qofshin tokësisht dhe në cilëndo anë të kufirit, shpërthejnë në lot kur shohin flamurin kuq e zi, apo si mban toka kur degjojnë Xhamadanin Vija Vija. A duhet t’i vejmë fajin, apo lavdinë, nacionalizmit në këtë rast?

Përshkak të semantikës, nacionalizmi padrejtësisht stigmatizohet. Jo çdo e keqe e ka burimin në te. Përshkak të po këtij emocioni të fuqishëm sot bota njeh të mira dhe vlera të papërsëritshme artistike, muzikore e letrare. Nacionalizmi nuk ndizte luftërat, por mohimi i të njëjtit. Gjithashtu, nacionalizmi mund të jetë primordial, instinktiv dhe i thellë por akoma i pa venitur. Pikërisht përshkak se është i ndjerë. Prandaj, përpjekjet për shtet-ndërtim e që literatura politike ndonjëherë i konsideron edhe si asimilueset më të mëdha të kombit, duke tentuar që të ndërtohet kështu dhe një identitet i fuqishëm shtetëror, mund të prodhojnë krizë identiteti.

Nacionalizmi, sipas Walker Connor, nuk matet dot. Nuk është gjë që preket dhe si i tillë të vihet në kandar për masën e saktë. Nacionalizmi është psikologjik që burimin e ka në vetëdijen dhe kujtesën kolektive, si dhe në ndjenjën e preardhjes së përbashkët. Është emocion pa-afat dhe i pa-skadueshëm, me shpresë se do të vazhdojë edhe atëherë kur ne të mos jemi më. Duke qenë kategori e etnopsikologjisë, edhe i madhi Freud, ka shënime të paqarta lidhur me definicionin e saktë të këtij sentimenti.

Ajo që mund të bëhet ndërkaq me nacionalizmin, është analiza e faktorëve ndaj të cilëve reagojnë individët më tepër, gjatë përcaktimit të tyre identitar. Dhe kështu, vjen e qartësohet emocioni pastaj me simbolet, mitet, flamurin kuq e zi dhe Xhamadanin. Patriotizmi ndërkaq është tjetër gjë. Gjithnjë sipas Connor, patriotizmi paraqet lojalitetin ndaj shtetit dhe jo kombit siç bën nacionalizmi. Dhe ky patriotizëm matet. Matet me kontributin e qytetarit për të nderuar një “kontratë” juridike me shtetin. Në të paguarit e tatimit, në respektimin e rendit dhe ligjit, në ruajtjen e sistemit. Derisa për kombin ekziston kujtesa afatgjate kolektive, që ndez nacionalizmin, për shtetin, sidomos në rastin e Kosovës, kjo kujtesë kolektive është e shkurtër.

Vetëm në kushte të një martese harmonike midis nacionalizmit dhe patriotizmit, do të mund të lindte një komb-shtet i suksesshëm dhe i përparuar. Sot, Gjermania me Gjermanët dhe Japonia me Japonezët konsiderohen t’i jenë afruar më së shumti kësaj harmonie. Në vijim të ilustrimit të lidhjes së fortë me kombin dhe jo patjetër me shtetin, situata më e re me refugjatët Sirian do të mund të ishte spjegim i mirë.

Refugjatët Sirian derisa braktisin detyrueshëm Sirinë, mbesin të pandashëm me identitetin e ‘’pa-lagur” Sirian gjatë rrugëtimit përmes detërave Greke. Kombi vazhdon të mbetet më afër, nëse jo mu në zemër,figurativisht, dhe shkencëtarisht. Skajshmërisht ndryshe, sot ka kombe që edhe përkundër mirëqenies ekonomike, shprehen vullnetarisht për të braktisur shtetin. Të tillë janë Katalonasit në Spanjë dhe Flamanët në Belgjikë.

Një tjetër teoricient, Benedict Anderson ka “qarë” akademinë me teorinë mbi komunitetin e imagjinuar. Kombi nuk është ai që është, por ai që njerëzit e mendojnë të jetë. Por, ama kjo nuk është argument për t’a konsideruar atë si të pa-qenë. Një disident Ukranias gjatë qëndrimit në burg shkruante: “E di që të gjithë njerëzit krijohen të barabartë.

Arsyeja m’a thotë këtë. Por në të njëjtën kohë, e di që kombi im është unik. Zemra m’a thotë këtë”. (Connor, W. 1994). Historia ëstë bërë nga njerëzit që kanë dhënë jetën jo për ato që janë konsideruar të arsyeshme por për ato që i kanë pas për zemër. Derisa ndjenjat konsiderohen iracionale, teoricientët këshillojnë që gjatë analizës së nacionalizmit, ato duhet të konsiderohen si jo-racionale kundrejt iracionale.

Dhe për mua, emocioni në Lezhë ishte tërësisht joracional. Ishte megjithatë miti që më qonte drejt e në zemër të asaj çfarë jam.

Lajme të ngjashme

Back to top button