Lajmi do sa më shumë fakte

[Recension: “Votat i marrin në Shipkovicë ama pare s’japin”]

Që gazetari të kamuflojë një tekst që është një koment, me petkun e lajmit, është gabim shumë i madh profesional në gazetari. Në mediat tona kjo ndodh shpesh. Gazetarët me të drejtë përpiqen të jenë kritik ndaj punës së liderëve politik duke kërkuar përgjegjësi për obligimet që rëndojnë mbi ta. Por pretendimet e tyre mund të përjetohen si boshe nëse nuk trajtohen me burime dhe nuk mbështeten me fakte.

Tetovasot - Votat i marrin ne Shipkovie, ama pare s'japinLinku për te artikulli origjinal: “Votat i marrin në Shipkovicë ama pare s’japin”
Data dhe koha e publikimit: 17.08.2015
Data e recensionit: 20.08.2015
Recensues: Fatlume Dervishi

Qëllimi i gazetarit në lajmin që recensojmë, ka qenë të kritikojë dy liderët e partive më të mëdha shqiptare, Ali Ahmetin dhe Menduh Thaçin, për moskontributin e tyre “me ndihmë morale mos flasim financiare” për banorët e prekur nga rasti i vërshimeve në Shipkovicë. Shqetësimi që ngre gazetari në këtë rast është shumë i arsyeshëm. Ajo që e bën lajmin të mangët është mungesa e burimeve që do të kërkonin atë që ka kërkuar gazetari.

Gazetari në tekt thotë: “Nëse këto vota Ahmetin dhe Thaçin e bënë deputet ku rroga e një deputeti është mbi 1 mijë euro atëherë pse Ahmeti dhe Thaçi nuk dhanë nga një rrogë si ndihmë solidare  nga xhepi i tyre për Shipkovicën?”?

Dhe realisht mund të ishte një pyetje që edhe mund t’iu bëhej liderëve politik. Por për të evituar momentin e përjetimit të një teksti si mendim privat, gazetari do të duhej të merrte, ose të tentonte të merrte përgjigje prej atyre që i përmend.

Kodin e Gazetarëve të Maqedonisë, për këto raste thuhet:

“Gazetari duhet të bëjë dallim mes fakteve dhe mendimeve, mes lajmit dhe komentit.

Gazetarët kanë të drejtë për të pasur mendimin, qëndrimin dhe vlerësimin e tij, por nuk guxojnë që mendimet e tyre t’i kamuflojnë sikur të jenë fakte.

Duhet të jenë qartë të ndara, cilët janë faktet, cilat informacionet dhe cilat janë komente, hipoteza ose qëndrime të autorit për të shmangur dezinforimin dhe manipulimin me publikun.”

Çdo tekst mund të ngrejë dilema të caktuara. Edhe çështje si kjo, se sa në fakt janë bamirës politikanët tanë. Por tekstet e tilla pa i çuar deri në fund, pa marrë përgjigje, mbesin tendencioze dhe nuk arrijnë të informojnë publikun. Do të ishte realisht me interes të dinim nëse liderët politik kanë dhënë ose jo ndihma personale, por këtë gjë nga teksti nuk e marrim vesh.

Forma se si është shkruar teksti, do t’i shkonte mirë rubrikës koment. Në një rast të tillë publiku nuk do të priste të informohej por do ta kishte të qartë se është qëndrim personal i autorit që e ka shkruar.

Lajme të ngjashme

Back to top button