Preshevarët hapin shtëpitë për refugjatët sirianë

Pamjet e fundit nga kufiri greko-maqedonas të mijëra refugjatëve nga zona të luftës në Siri që po tentojnë të sigurojnë një jetë në paqe dikund tjetër, na kanë sjellë në kujtesë përjetimet tona (të shqiptarëve) të hidhura nga koha e luftës në Kosovë dhe konfliktit në Maqedoni, thekson kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, në një deklaratë për medie.

Nuk ka popull në Ballkan që ka përjetuar më gjatë e më rendë jetën e hidhur të refugjatit, sesa populli shqiptar.

Si shqiptarë, kudo që jemi, ne ndihemi të brengosur me fatin e atyre që sot po kërkojnë paqe e strehë të sigurt në prag të tokave tona etnike. Populli shqiptar ndër shekuj është shquar për bujari e fisnikëri, veçanërisht ndaj atyre në nevojë. Si preshevarë, ne sot i kemi zemrat e dyert e hapura për nevojtarët e ikur nga lufta, përkundër një mal problemesh tona që na rëndojnë si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë politik.

Komuna dhe qytetarët e Preshevës, duke i pasur të freskëta kujtimet e së kaluarës sonë jo të largët e të dhimbshme, solidarizohen me refugjatët nga Siria dhe i apelojmë fqinjëve tanë maqedonas që në vend të dhunës dhe trishtimit të mëtutjeshëm të këtyre nevojtarëve, atyre t’iu afrojnë përkrahje dhe mikpritje, përkohësisht, deri sa në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar të gjendet zgjidhje adekuate.

Ne jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka që mundemi në këtë drejtim. Tradita dhe historia jonë nuk na lejojnë t’i mbyllim as sytë, as veshët, e as zemrën kundrejt kësaj krize refugjatësh. Rajoni ynë nuk ka nevojë për ripërsëritje të Bllacës famëkeqe, nga e cila e pësuan shumë gra, të moshuar e fëmijë shqiptarë! – përfundon deklarata e Ragmi Mustafës.

Lajme të ngjashme

Back to top button