REFORMA ZGJEDHORE – SI FUNKSIONON SISTEMI I SHUMICËS

Në suaza të bisedimeve për tejkalimin e krizës politike është hapur edhe tema e reformimit të sistemit zgjedhor. Një ndër opsionet që shqyrtohet është aplikimi i sistemit të shumicës gjatë zgjedhjeve parlamentare, variant që e ka propozuar partia në pushtet VMRO.

Sistemi i shumicës nuk është risi në Maqedoni. Me këtë sistem janë mbajtur zgjedhjet e para dhe të dyta parlamentare, gjegjësisht në vitet 1990 dhe 1994. Në vitin 1998 është aplikuar sistem i përzier, ku 85 deputetë janë zgjedhur me shumicë ndërsa 35 me lista proporcionale. Në botë sistemi është më i popullarizuar në vendet anglosaksone, si në SHBA, Britani të Madhe dhe Kanadë.

Si funksionon Në zgjedhje me sistem të shumicës vendi do të ndahej në 120 njësi zgjedhore. Në secilën njësi kandidohen individë, qoftë të propozuar nga parti politike, qoftë si të pavarur. Pra këtu nuk kemi të bëjmë me lista kandidatësh e partish, por votuesit votojnë direkt për një person, ngjashëm siç bëjnë gjatë votimeve për kryetar komune. Zakonisht kërkohet që kandidati të jetë banor i njësisë ku garon, megjithëse kjo specifikohet më saktë me ligj. Deputet zgjidhet kandidati që siguron më tepër vota.

Sistemi i shumicës ka variante të ndryshme. Në versionin më të thjeshtë, të njohur si First-Past-The-Post apo sistem plural, deputet zgjidhet kandidati me më tepër vota, pa marrë parasysh nëse ka fituar mbi 50% të votave apo jo. Në një version tjetër në rast se asnjëri kandidat nuk merr mbi 50% të votave, dy kandidatët e parë shkojnë në rreth të dytë. Një verzion i tretë është e ashtuquajtura votë alternative. Në këtë sistem ju votoni për kandidatin A, por poashtu tregoni preferencën tuaj për një kandidat të dytë B. Në rast se kandidati A renditet i fundit vota juaj i numërohet kandidatit B dhe eliminimi i këtillë vazhdon derisa njëri kandidat t’i arrijë 50% të votave. Sidoqoftë këto janë vetëm variacione të vogla të të njëjtit sistem, esenca e të cilit mbetet votimi direkt i kandidatëve, përkundër votimit në grup tek sistemet proporcionale.

Sistemi i shumicës ka disa karakteristika të veta dhe jep rezultate specifike, që mund të konsiderohen si përparësi apo mangësi varësisht nga filozofia politike e këndvështrimit. Më poshtë janë disa nga specifikat dhe efektet kryesore të tij.

Zgjedhja direkte e deputetit Specifika kryesore e sistemit të shumicës është se votohet direkt për një individ. Pa marrë parasysh nëse atë person e ka kandiduar ndonjëra parti, ai nuk zgjidhet në kuadër të ndonjë liste apo grupacioni, por si person me emër e mbiemër. Për këtë shkak deputeti pastaj ka relacion direkt me votuesit dhe përfaqëson direkt atë elektorat që e ka zgjedhur. Deputeti zakonisht është banor i njësisë ku zgjidhet dhe duke qenë se njësitë janë të vogla (pasi ka 120 njësi në gjithë vendin) ai nuk mund t’i shmanget kontaktit me votuesit e vet.

Në këso rrethanash deputetët janë përfaqësues më të denjë të popullit pasi fjalën decisive në zgjedhjen e tyre e kanë votuesit. Elitat partiake nuk mund të eliminojnë politikanë që i konsiderojnë si konkurrentë ose të papërshtatshëm, pasi ata lehtë mund të kandidohen dhe të fitojnë vetë. Në vitin 1998 për shembull PPD nuk kandidoi deputetin e deriatëhershëm Nazmi Maliqi, por ai u kandidua si i pavarur dhe mposhti PPD-në dhe PDSH-në bashkërisht (megjithatë zgjedhjet më pas u shpallën të pavlefshme disa herë, derisa u zgjodh kandidati i PDSH). Para ca viteve në SHBA senatori Xho Liberman fitoi në zgjedhje të përgjithshme, edhe pse nuk u kandidua dhe u kundërshtua nga partia e tij demokrate.

Demokracia e brendshme në parti Në sistemin proporcional deputeti duhet t’i ketë punët mirë me kreun partiak në mënyrë që të futet përsëri në lista në pozicion të garantuar. Kjo gjë bën që deputetët në sistemin proporcional të jenë tejet të dëgjueshëm dhe servilë. Përkundrazi në sistemin e shumicës e vetmja garancë për t’u rizgjedhur deputet është përkrahja e njësisë që të ka zgjedhur më parë. Në rrethana të caktuara kjo mund t’a detyrojë deputetin të del edhe kundër partisë amë, nëse kjo është kërkesë e votuesve të tij. Prandaj sistemi i shumicës detyrimisht shpërblen deputetë me egon dhe qëndrimet e veta politike, gjë që promovon demokraci të brendshme nëpër parti dhe në parlament. Nuk është e rastit që rebelime brenda partive dhe votime kundër qëndrimit të përgjithshëm të partisë ndodhin më shpesh në vende ku aplikohet sistemi i shumicës, si në kongresin amerikan apo parlamentin anglez.

Përfaqësim adekuat i çdo zone gjeografike Edhe nëse nuk përcaktohet ashtu me ligj, deputeti zakonisht është banor i zonës ku zgjidhet. Në njësi të vogla me zgjedhje direkte është vështirë që një politikan për shembull nga Kërçova të kandidohet dhe të fitojë në Strugë. Kështu sistemi i shumicës garanton se secila zonë gjeografike do të jetë e përfaqësuar në mënyrë adekuate, gjë që nuk mund të thuhet për sistemin proporcional. Në parlament zona përfaqësohet me gjithë karakteristikat e saj. Deputeti i një zone urbane për shembull do të interesohet më tepër për çështje të arsimit, shëndetësisë, administratës, planifikimit urban etj., pasi sipas të gjitha gjasave votuesit e tij janë të këtyre profesioneve. Deputeti i një zone rurale mund të interesohet për bujqësi, të lobojë për subvencione e kështu me rradhë. Këtë gjë nuk e garanton sistemi proporcional ku secili deputet përfaqëson çdokënd dhe askënd.

Deputetë bëhen ata që i zgjedh populli Në sistemin proporcional partitë fituese zakonisht emërojnë disa deputetë të tyre në poste tjera (kryeministër, ministra, drejtorë etj.). Mandatin e tyre në parlament pastaj e marrin persona që vijnë me rradhë në listë, e që realisht nuk kanë fituar në zgjedhje. Kështu në parlament në çdo moment ka rreth 20-30 deputetë që nuk janë të zgjedhur. Ky fenomen nuk është i mundshëm në sistemin e shumicës. Nëse ndonjëri deputet kalon në post tjetër, për vendin e tij duhet të organizohen zgjedhje të reja. Me sistemin e shumicës deputetë në çdo moment janë ata që i ka zgjedhur populli në votime.

Mospërfaqësimi adekuat ideologjik Teoretikisht një parti mund të fitojë me një votë dallim në çdo zonë dhe me një përparësi totale prej 120 votash të fitojë të gjitha vendet në parlament. Megjithëse rezultate të tilla praktikisht nuk arrihen kurrë, rreziku i sistemit të shumicës është se mund të lë fare pa përfaqësim parti që marrin numër të madh votash. Rreziku nga djegja e votave aq i përfolur tek sistemi proporcional është shumë herë më i madh te sistemi i shumicës. Më rëndë kalojnë partitë që kanë mbështetje të gjërë, por jo të thellë; që kanë shumë votues, por të shpërndarë nëpër gjithë vendin. Partitë tematike, si për shembull partitë ekologjike, vështirë mund të zënë vende deputetësh me sistemin e shumicës.

(Pa)barabarësia e njësive zgjedhore Në vitet e 90-ta kur zbatohej sistemi i shumicës në Maqedoni, njësitë zgjedhore shqiptare kishin dy-trefish më tepër votues se disa njësi maqedonase. Ndodhte që një deputet shqiptar të zgjidhej me 15.000 vota, përderisa një tjetër nga Maqedonia Lindore zgjidhej me 5.000 vota. Sidoqoftë ky problem mund të zgjidhet lehtë nëse në ligj përcaktohet që dallimi maksimal mes njësisë më të madhe dhe më të vogël mos jetë më tepër se X%.

Gerrymandering Nëse nuk mund të bëjnë dredhi me numrin e votuesve, partitë në sistemin e shumicës kanë tendenca të krijojnë njësi zgjedhore që nuk kanë asnjëfarë logjike gjeografike. Varësisht nga kalkulimet e tyre në terren, ata mund të krijojnë njësi të holla e të gjata ku përfshijnë sa më shumë partizanë të tyre, duke krijuar kështu zona ku e kanë fitoren e garantuar. Kësaj tendence nuk kanë mundur t’i ikin as demokracitë më të përparuara. Vetë fjala e ka prejardhjen nga senatori amerikan Elbridge Gerry i cili në vitin 1812 kishte arritur të krijojë një zonë tamam për veten. Zona i ngjante një salamanderi (lloj zhapiku), fakt që u bë objekt talljeje nga kundërshtarët e tij politikë.

Ndryshe nga pabarabarësia e numrit të votuesve që lehtë mund të matet dhe rregullohet me ligj, pabarabarësia gjeografike është shumë më e rëndë për t’u definuar dhe korrigjuar. Nëse zbatohet sistemi i shumicës në Maqedoni, ai me siguri do të përmbajë plot njësi të çuditshme gerrymanderiane.

Partitë e vogla/pakicat Sistemi i shumicës mund të jetë fatal për pakicat, qofshin ato politike, nacionale, fetare, sociale etj. Nëse pakicat janë të shpërndara në gjithë vendin, ata mund të mbesin pa përfaqësim edhepse mund të jenë në numër të madh. Praktikisht nëse nuk janë shumicë në një vend të vogël të caktuar, ata nuk kanë asnjë gjasë për të fituar ndonjë vend deputeti. Më mirë kalojnë pakicat që janë të koncentruara në hapësirë relativisht të vogël. Për shembull pakica rome me siguri do të fitojë një apo dy vende, por turqit, serbët, vllehët rrezikojnë të mbesin pa asnjë deputet. E njëjta vlen për partitë e vogla, që për shpëtim do të detyrohen të bëjnë koalicione me partitë e mëdha.

Numri i deputetëve shqiptarë A priori nuk mund të thuhet nëse numri i deputetëve shqiptarë do të jetë më i madh ose më i vogël me sistem të shumicës. Gjithçka do të varet nga mënyra se si do të definohen njësitë zgjedhore, gjegjësisht sa njësi do të bëhen të tilla që shqiptarët të jenë shumicë. Në zonat e përziera do të luajnë rol edhe koalicionet dhe varianti i sistemit të shumicës, gjegjësisht nëse do jetë sistem First-Past-The-Post, i shumicës absolute apo votës alternative. Në të kaluarën shqiptarët me sistem të shumicës kanë patur maksimum 23 deputetë, por në rrethana ku ka patur pabarabarësi të madhe të votës dhe ku numri i votuesve shqiptarë ka qenë më i vogël.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button