Për universitetin “Kirili dhe Metodi” shqiptarët janë të “padukshëm”

Në prag të regjistrimeve, Universiteti “Kiril dhe Metodi nuk ofron asnjë material në gjuhën shqipe. Edhe pse është universitet shtetëror që duhet tu mundësojë studentëve të paktën të informohen në gjuhën amë, UKM bën diskriminim e tyre. Me sa dihet vetëm në katedrën “Gjuhë dhe Letërsi Shqiptare” ka përafërsisht më shumë se 200 studentë shqiptarë, ndonëse ende jemi duke pritur konfirmim nga UKM për numrin e saktë të shqiptarëve në këtë universitet.

Profesorët shprehen për Portalb se kanë tentuar ta përmirësojnë gjendjen por pa sukses, janë studentët ata të cilët duhet të reagojnë. Redaksia e Portalb disa herë kontaktoi me UKM për këtë çështje por nga atje ende nuk kemi prononcim.
UKM Në Kodin Etik të UKM shkruan, “Të gjithë aktivistët, mësimdhënësit, studentët dhe kandidatët shkencor të Universitetit janë të barabartë”. Kjo nuk respektohet, alarmojnë profesorët.

Shqiptarët nuk kanë qendër informimi në gjuhën shqipe, e gjithë administrata dhe shërbimet studentore të Fakulteteve të UKM funksionojnë vetëm në gjuhën maqedonase; shkresat, lutjet, kërkesat, vërtetimet, ankesat dhe shumë dokumente tjera, patjetër duhet të shkruhet vetëm në gjuhë maqedonase; Sistemi elektronik për paraqitjen e provimeve, por edhe fletëparaqitjet dhe i gjithë dokumentacioni përkatës për mbushjen e dosjes së studentëve është e gjitha në maqedonisht; Përveç kësaj, duke filluar që nga ueb faqja zyrtare e Universitetit e gjerë te gjitha faqet zyrtare të fakulteteve që bëjnë pjesë nën ombrellën e tij janë vetëm në gjuhën maqedonase dhe angleze.

“Studentët tanë janë të diskriminuar jo vetëm krahas studentëve maqedonas, të cilët çdo shkresë administrative e plotësojnë në gjuhën e tyre amtare, por edhe krahas bashkëmoshatarët e tyre shqiptarë të fakulteteve të tjerë si në Universitetin e Tetovës apo gjetkë, sepse asnjë shkresë më të vogël nuk kanë të drejtë ta shkruajnë në gjuhën shqipe”, thotë për Portalb, koordinatorja e katedrës “Gjuhë dhe Letërsi Shqiptare”, doc.dr. Ajten Qamili.

I po të njëjtit mendim është edhe shefi i katedrës duke vlerësuar se studentët shqiptar nuk janë të barabartë me ata maqedonas.

“Mendoj se nuk janë të barabartë në shumë aspekte, njëra ndër ato është aspekti i gjuhës, mospërdorimi i gjuhës amtare në procesin mësimor”. thotë prof.dr Agim Leka.

Profesorët përgjegjësinë e kërkojnë nga politikanët shqiptar, dhe institucionet që i udhëheqin ata.

UKM“Përgjegjësinë për këtë diskriminim e kanë politikanët shqiptarë të cilët kur sjellin dhe votojnë ligje, nuk i analizojnë aq sa duhet, pastaj për pasojë lënë zbrazëtira të këtilla”.

Ndërkaq në lidhje me mos punësimin e kuadrove shqiptar nëpër sektorët e Universitetit, profesori Leka kërkon përgjegjësi nga udhëheqësit e institucioneve përkatëse.

“Pse nuk ka rezultat, duhet pyetur autoritet përgjegjëse, veçanërisht këtu do të apostrofoj “Sekretariatin për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit” sepse ata janë kompetentë për këtë çështje. Shpallen konkurse dhe në këto konkurse nuk paraqiten shqiptarë ose ata që janë të pranuar nga sekretariati nuk udhëzohen që të vijnë dhe të punojnë këtu.

Nga katedra GJLSH, kanë bërë përpjekje për përmirësimin gjendjes, por të gjitha kanë qenë të pasuksesshme.

“Një armë e fortë natyrisht se janë studentët, të cilët me peticion mund të organizohen e të bëjnë ndikim tek instancat përkatëse për të ndryshuar diçka, sepse studentët janë faktor i rëndësishëm në shoqëri, kjo është dëshmuar në histori kudo nëpër botë, por edhe te ne para disa muajve” shton profesoresha Qamili për Portalb.

“Nuk duhet lënë gjërat vetëm në një shkresë që e bën drejtuesi i katedrës, patjetër që duhet edhe studentët të organizohen dhe të protestojnë për të drejtat e tyre. Mendoj që studentët bashkërisht me stafin pedagogjik shqiptar, duhet të bëjnë më shumë kërkesa, dhe kjo të mos hasë në “vesh të shurdhër” në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, sepse këta studentë padrejtësisht u neglizhuan duke u referuar pikësynimi i tyre në USHT dhe UEJL”, shton për Portalb, profesor Leka. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button