Matematika zgjedhore: 3+3+3 për KSHZ-në dhe 2+2 për Listën e Zgjedhore

Grupi punues i partive politike, nënshkrues të Marrëveshjes së Përzhinos, sot nuk do të kenë takim, ndërkaq nesër do të vazhdojnë me çështjen rreth Listës Zgjedhore dhe votimit të diasporës.

Partitë më të mëdha janë marrë vesh rreth zgjedhjes së anëtarëve të KSHZ-së dhe e kanë pranuar propozimin e LSDM-së sipas së cilës ata do të zgjedhen sipas formulës 3+3+3, apo tre anëtarë të jenë nga radhët e pushtetit, tre të opozitës dhe atyre t’u bashkohen tre ekspertë të cilët do të zgjedhen me 2/3 e votave në Parlament.

Partitë politike ende janë larg marrëveshjes për votimet e diasporës dhe kanë përparim të vogël rreth çështjes për Listën Zgjedhore.

Sipas burimeve partiake, në grupet punuese mësojmë se LSDM është për regjistrimin aktiv të votuesve, me regjistrim të detyrueshëm. PDSH ka propozim, regjistrimi i votuesve në Listën Zgjedhore të jetë i kombinuar. Sipas burimeve të Portalb, ajo nënkupton që në afat prej katër muajve, të zhvillohet në dy faza, në fazën e parë në afat prej dy muajve, të bëhet regjistrimi i qytetarëve të rritur në terren, pra derë më derë, ndërkaq në fazën e dytë ne afat prej dy muajsh të lihet hapësirë për regjistrimin e detyrueshëm të tyre.

BDI është për pastrimin e Listë Zgjedhore, ndërkaq VMRO-DPMNE është që të ngelet parimi i tanishëm për votimin e diasporës në tre njësi zgjedhore, nga ana tjetër LSDM thotë që diaspora duhet të votojë , por vlera e votuesve që janë shtetas të R.M.-së dhe që jetojnë jashtë shtetit të jetë e barabartë me atë të votuesve që jetojnë në Maqedoni.

Gjithashtu, larg është marrëveshja rreth zgjedhjes së Prokurorit Special, LSDM po kërkon prokuror që do ta ketë pozitën e një institucioni të veçantë, të pavarur nga Prokuroria Publike dhe ingerencat t’i caktohen me ligj të ri për prokuror special, ndërkaq VMRO-DPMNE është për zgjedhjen e Prokurorit në kuadër të Prokurorisë dhe ligjit të tanishëm.

Lajme të ngjashme

Back to top button