Maqedoni, betejë për sistemin e ri zgjedhor

Partitë politike kanë shpalosur tashmë qëndrimet e tyre sa i përket sistemit zgjedhor, i cili, sipas tyre, duhet të ndryshojë në një sistem të ri më efikas të caktimit të deputetëve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 24 prillit të vitit të ardhshëm, shkruan REL.

Propozimet e tyre janë krejtësisht të kundërta me njëra-tjetrën.

Nga partia Bashkimi Demokratik për Integrim që udhëhiqet nga Ali Ahmeti, thonë se me rëndësi është që ndryshimet të miratohen me konsensus ndërmjet partive, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohen zgjedhje të lira dhe demokratike.

“Kodi Zgjedhor duhet të miratohet me konsensus mes partive, pasi përvoja e deritashme ka treguar se kur këto ndryshime bëhen me konsensus, atëherë arrihet cilësia edhe qëllimi që Kodi Zgjedhor të garantojë një sistem zgjedhor stabil, por gjithashtu të garantojë edhe zgjedhje të lira dhe demokratike. Ne, disa herë e kemi promovuar idenë e sistemit proporcional me lista të hapura që, në njëfarë forme paraqet edhe kombinim mes sistemit aktual dhe sistemit të shumicës”, thotë Abdilaqim Ademi, sekretar i përgjithshëm i BDI-së.

Sa i përket çështjes së njësive zgjedhore, Ademi thotë se Bashkimi Demokratik për Integrim insiston që për momentin të ngelen gjashtë njësi zgjedhore, por në bazë të analizave dhe vendimeve që mund të merren në kuadër të grupeve punuese, BDI-ja, sipas ti,j mund të përkrahë edhe modelin për tri njësi zgjedhore.

“Sistemi me një njësi zgjedhore favorizon partitë më të mëdha politike maqedonase, ndërsa do të diskriminoheshin partitë më të vogla, në veçanti partitë më të vogla shqiptare, pasi me numrin e votave nuk do të arrinin të kalonin pragun zgjedhore prej 5 për qind, meqë ky census do të vendosej në rast se Maqedonia do të ketë vetëm një njësi zgjedhore“, shton Ademi.

Lidhja Social-Demokrate e opozitës, ishte e para e cila doli me propozimin për ndryshimin e sistemit zgjedhor duke mbështetur partitë e vogla për një njësi zgjedhore, sipas sistemin proporcional.

“Ne, jo vetëm që do të mbështesim propozimet e tilla për një njësi zgjedhore, por do të jemi pjesë e bisedimeve të grupeve të punës. Partitë e mëdha ndoshta mund të humbin ndonjë deputet nga një model i tillë, por do të fitonte demokracia në Maqedoni, pasi e drejta e përfaqësimit të Kuvend do t’u mundësohej edhe partive më të vogla”, deklaron, kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Por, kërkesës së opozitës, kryeministri iu përgjigj me një ofertë të re, sistemin e shumicës, i cili ishte zbatuar në zgjedhjet e para pluraliste në vitet ‘90.

Mendoj se aplikimi i sistemit klasik të shumicës do të kishte vlerë më të madhe pasi në shprehje do të vinte kualiteti i kandidatëve për deputet. Pra, nëse ndryshojnë sistemin e votimit, atëherë VMRO-ja do të kërkojë sistemin e shumicës dhe ajo atë proporcional“, thekson kryeministri Nikolla Gruevski.

Modeli zgjedhor ka nxitur reagimin edhe të njohësve të çështjeve juridike.Osman Kadriu, ligjërues i së Drejtës kushtetuese, thotë se modeli i tanishëm zgjedhor duhet të ndryshojë dhe, sipas tij, më demokratik, për vendin dhe qytetarët, do të ishte aplikimi i sistemit të shumicës.

“Sistemi i shumicës garanton kualitet të kandidatëve për deputetë, pasi elektorati i njeh më mirë kandidatët e propozuar dhe të bëjë zgjedhjen e kandidatëve që meritojnë t’i përfaqësojnë interesat e tyre në Kuvend”.

“Sistemi proporcional vlerësoj se këtë nuk e mundëson, pasi qytetarët duhet të votojnë për partinë, ndërsa fare pak është i njoftuar me kandidatët apo përgatitjen dhe kualitetet e kandidatëve që duhet t’i përfaqësojë ata në institucionin ligjvënës“, vlerëson Kadriu.

Lajme të ngjashme

Back to top button