Rihapet pas 4 vitesh Ambasada e Britanisë në Iran

Gjatë ditës së diel, ambasada e Britanisë së Madhe në Iran është rihapur, pas afro 4 vitesh. Ajo është mbyllur në vitin 2011 pas mësymjes së protestuesve gjatë një demonstrate kundër sanksioneve të vendosura ndaj Republikës Islamike.

I shoqëruar nga një delegacion udhëheqësish biznesesh, sekretari i Jashtëm britanik, Philip Hammond, ka vizituar Teheranin, për një ceremoni që shënoi rihapjen e institucionit të diplomacisë. Reciprokisht, edhe Irani pritet të rihapë Ambasadën e tij në Londër, transmeton Shekulli.

Që prej vitit 2003, Hammond është i pari diplomat i Britanisë që viziton Iranin, ndërsa vizita e tij vjen pak javë pasi Irani ka nënshkruar një marrëveshje me 6 superfuqitë botërore, me synimin e kufizimit të programit të tij bërthamor kundrejt heqjes së sanksioneve të Kombeve të Bashkuara.

“Vizita e parë ministeriale britanike që prej 2003-shit. Një moment historik në marrëdhëniet mes Britanisë dhe Iranit”, shkruan në “Twitter”¸ me të mbërritur në Teheran Hammond.

Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e rihapjes së ambasadës së Britanisë së Madhe në Iran, Hammond tha: “Rihapja e Ambasadës sonë është një tjetër hap kyç në marrëdhëniet e përmirësuara dypalëshe. Në radhë të parë duam të sigurojmë cilindo se marrëveshja bërthamore është një hap suksesi, duke përfshirë këtu edhe inkurajimin e tregtisë dhe investimeve sapo të hiqen sanksionet. Britania dhe Irani duhet të jenë të gatshme gjithashtu të diskutojnë mbi sfidat me të cilat përballen të dy vendet, përfshi terrorizmin, qëndrueshmërinë rajonale, përhapjen e Shtetit Islamik në Siri dhe Irak, luftën kundër narkotikëve dhe emigracionin”.

Ambasada fillimisht do të kryesohet nga i ngarkuari me punë, Ajay Sharma, por Hammond tha se marrëveshja për ta rritur nivelin e përfaqësimit duke i dhënë statusin e ambasadorit pritet të arrihet në muajt e ardhshëm.

Lajme të ngjashme

Back to top button