Vizioni M, dorë e zgjatur ndaj atyre që kanë më shumë nevojë

Fati i emigrantëve të huaj, që kalojnë nëpër Maqedoni është njëkohësisht një test provues për qytetarët vendas, nga i cili del në pah humanizmi. Kështu shumë vendas bujarë solidarizohen në mënyrë individuale, por gjithashtu po realizohen edhe aktivitete të organizuara nga shoqata të ndryshme. Me këtë rast për Portalb foli Valon Sakipi, kryetar i Shoqatës kulturore Vizioni-M, Dega Kumanovë.

“Ka 3 muaj që kur kanë filluar të vijnë emigrantët masovikisht dhe prej atëherë edhe ne si shoqatë kulturore kemi filluar aktivitet për t’u dalë në ndihmë. Që prej fillimit kemi bashkëpunuar me shoqata të ndryshme, do ta theksoja shoqatën humanitare “Merhamet”, kemi bashkëpunuar edhe me shoqatën “Drita” nga Tetova dhe shoqata të tjera maqedonase, donatorë të ndryshëm, të cilët lajmërohen vazhdimisht.”- tha ai.

“Fillimisht gjatë Ramazanit kemi organizuar iftare të përbashkëta me emigrantët, kur ato ishin të vendosur në xhami. U kemi dërguar rroba dhe gjëra të tjera të nevojshme. Dërgojmë pako ushqimore për emigrantët në Gjevgjeli e i presim në Tabanoc 2-3 trena brenda natës. Trenat sipas orarit duhet të arrijnë në ora 8:30, 11 në mbrëmje dhe 3 pas mesnate, por shpesh ndodh që të vonohen me orë të tëra. Vazhdimisht ndërrohemi, i presim si grup prej 5-10 personash, na bashkohen individualisht kumanovarë, që nuk janë pjesë e ndonjë organizate, po edhe  aktivistë nga Shkupi e Tetova.”- sqaroi Sakipi.

Tabanoc, 14 gusht 2015
Tabanoc, 14 gusht 2015

I pyetur rreth përshtypjes së parë që të lënë emigrantët sapo zbresin nga treni, ai tha: “Kur zbresin nga treni emigrantët janë të hutuar: nuk e njohin vendin, nuk e dijnë se ku janë e ku do të shkojnë… nuk e kanë idenë se çfarë i pret.” “Duken të lodhur, por para së gjithash, ata kanë nevojë për informata”– theksoi.

Sakipi njoftoi se shpërndajnë kryesisht pako ushqimore, ujë, qumësht për fëmijët, që sipas tij  “thuajse për çdo natë vijnë rreth 100 fëmijë nën moshën 1 vjeçare”; rroba të dorës së dytë, që i kanë dhuruar qytetarët vullnetarisht. “Poashtu iu kemi ndihmuar emigrantëve, të cilët i kishin humbur të afërmit, respektivisht atyre që janë në Preshevë iu kemi treguar se familjarët i kanë në Maqedoni dhe iu kemi mundësuar të takohen sërish; të sëmurët i kemi dërguar në spital, ua kemi siguruar hotelin për një natë dhe sërish i kemi kthyer në stacionin e trenit në kohën kur nisej treni për Serbi.”- sqaroi ai dhe njëkohësisht bëri apel te qytetarët që të dhurojnë batanije dhe xhemperë, të cilët janë më se të nevojshme këto netë, që temperaturat po bien.

“Jemi munduar që t’u ndihmojmë emigrantëve edhe kur ishin në Llojan e Vaksincë, kudo që kanë qenë ata, ne kemi shkuar. Derisa të ketë emigrantë, nuk e kemi në plan të ndalemi.”-përfundoi kryetari i Vizioni-M, Kumanovë./Portalb.mk

 

 

Me emigrantët në xhaminë e qytetit, 20 qershor 2015
Me emigrantët në xhaminë e qytetit, 20 qershor 2015

Lajme të ngjashme

Back to top button