Kurz kërkon ndihmën e Ballkanit perëndimor për ta zgjidhur krizën e emigrantëve

Ministri i Punëve të Jashtme në Austri, Sebastian Kurz ka dalë me një propozim për të zgjidhur problemin e emigrimit ilegal, duke propozuar nisjen e një bashkëpunimi të gjerë policor me mbështetjen e autoriteteve të Ballkanit perëndimor.

Kurz ka thënë poashtu se nëse është e nevojshme, shtetet që ballafaqohen me këtë problem të ndihmohen edhe financiarisht, transmeton Indeksonline.

Ai ka propozuar një set prej pesë pikash në mënyrë që të evitohet problemi i valës së madhe të emigrantëve që kanë përfshirë shtetet e Ballkanit dhe Evropën.

Kurz ka thënë se shkak i emigrimit masiv janë luftërat në shtetet përkatëse, shteti fanatik islamik, situata e paqëndrueshme, shtetet jofunksionale dhe autoritare, mungesa e perpspektivës socio-ekonomike etj.

Duke u bazuar në këtë, Kurz ka kërkuar qasje unike, përgjatë vijës nga udhëtojnë emigrantët, duke filluar me masa afatshkurtëra emergjente si dhe angazhim afatgjatë multilateral.

Kurz mbi krizën e emigrantëve ka thënë se nuk mund të gjendet zgjidhje me qasje individuale, por se kjo çështje duhet të shtrohet në Këshillin e Kryetarëve të Shtetit dhe ministrave të brendshëm të BE-së, dhe sa më shpejt duhet që të nisin të zbatohen politika gjithpërfshirëse të BE-së.

Rrugët kryesore të depërtimit të emigrantëve janë ato përmes Mesdheut lindor dhe qendror, si dhe Ballkanit perëndimor.

Nëpër rrugët e Mesdheut qendror nga janari deri në qershor kanë depërtuar mbi 91,300 refugjatë, ndërsa brenda të së njëjtës periudhe në rrugët e Mesdheut lindor kanë depërtuar 1320,000.

Kurz ka bërë thirrje për aksion ndërkombëtar kundër Shtetit Islamik, duke thënë se Austria do ta mbështeste këtë aleancë që do të udhëhiqej nga BE-ja.

Lajme të ngjashme

Back to top button