PPD: Nuk na habit fakti që BDI kërcënon dhe synon të eliminojë partitë tjera          

Partia për Prosperitet Demokratik ka reaguar ndaj qëndrimit të Bashkimit Demokratik për Integrim për ndryshimin e modelit zgjedhor në Maqedoni.

Sipas PPD, me prononcimin e vet BDI la të kuptohet (me një kërcënim të fshehur!) se do të mund të përkrahte modelin e një njësie zgjedhore me prag zgjedhor prej 5% i cili model në situatën e dhënë do ta shkurtonte votën shqiptare për rreth 60 mijë votuesve, do t’i hidhte nga parlamenti partitë e vogla shqiptare (ëndërr që kahmoti e sheh syçelë Alija) dhe do ta rriste numrin e deputetëve të VMRO-së dhe LSDM-së për 6 deputetë më tepër.

PPD me keqardhje e konstaton se BDI vazhdon edhe më tej të jetë megafon I kërkesave të VMRO-DPMNE në bisedimet katërpalëshe me ekspertin belg Vanhojt për realizimin e marrëveshjes së 2 qershorit, kësaj rradhe haptazi kundër interesave shqiptare dhe në favor të çimentimit të kolltukëve të saja në qeverinë e ardhshme.

“Fakti që për së pari here BDI thirret në listat e hapura zgjedhore është në funksion të zbutjes së revoltave të brendshme partiake fuqia e së cilave e vë në pyetje funksionimin e mëtejmë të kësaj partie. BDI në mënyrë naive doli me një të ashtuquajturën analizë zgjedhore për të bindur shqiptarët në “rrezikshmërinë” e aplikimit të modelit të një njësie zgjedhore (me prag zgjedhor prej 5% sipas propozimit të saj!) duke konstatuar se sikur në zgjedhjet e fundit të aplikohej sistemi i një njësie shqiptarët (lexo:BDI) do të kishin një deputet më pak. Fitore e madhe!” thonë nga kjo parti.

Sipas PPD, BDI me qëllim e fsheh prej opinionit shqiptar se ky model zgjedhor ligjërisht dhe në aspektin kushtetues ka krijuar pabarazi të atilla sa që VMRO-DPMNE ka fituar 5 deputetë me tepër:-një nga pabarazia e votës ku RDK  me 19 mijë vota fitoi vetëm një deputet (ku pragu në njësitë tjera ishte prej 7-9 mijë vota!) dhe tre nga diaspora ku VMRO me 400-500 vota  ose gjithsejtë me rreth 2000 vota në tre njësi zgjedhore  (në njësitë 7,8,9 ) fitoi 3 deputetë!

Partia për Prosperitet Demokratik nga koalicioni qeveritar VMRO-BDI kërkon krijimin e kushteve ligjore e kushtetuare për gara të barabarta dhe sistem të shpërndarjes së barabartë të votave ose shprehur me zhargonin sportiv një linjë të njëjtë startimi për vrapuesit, një startimin vrapimi me fishkëllimë në të njejtën sekondë dhe në cak të parët le të arrijnë ata që janë më të mirë dhe më të përgatitur.

PPD konsideron se opinioni shqiptar nuk duhet trembur me argumentin e  abstenimit masiv të shqiptarëve në zgjedhje sepse abstenimi është i keq njësoj për çdo model zgjedhor; edhe për këtë aktual, edhe për atë që duam ta aplikojmë. Abstenimi i votës nuk është pabarazi zgjedhore por revoltë zgjedhore dhe mungesë oferte politike që BDI e shijoi në zgjedhjet e fundit ku falë abstenimit të shqiptarëve si revoltë e politikës antishqiptare të BDI-së, partneri i saj i koalicionit  VMRO-DPMNE  e mundi katastrofalisht BDI-DUI-in mes Tiranës, Prishtinës, Cyrih-ut, Kopenhagës, Berlinit, Konektikut-it etj, etj.

“PPD gjithashtu konsideron se nuk qëndron argumenti se shqiptarët kanë banesa në Maqedoni por jetojnë jashtë sepse ata atë të drejtë votimi kanë mundur ta realizojnë në diasporë dhe ti fitojnë 3 deputetë por atë nuk e kanë bërë për arsye që i përmendëm më lartë. Dhe as tajmingu i zgjedhjeve të ardhshme nuk është i keq sepse pikërisht në fund të prillit në shtetet perëndimore janë festat e pashkëve dhe festat e majit ku mërgimtarët masovikisht vijnë në shtëpitë e tyre.

Është shumë e qartë se midis VMRO dhe BDI është hartuar taktika kjo e fundit ti sulmojë partitë shqiptare gjoja me argumentin e shqiptarisë dhe të angazhohet për sistemin aktual të 9 njësive zgjedhore, VMRO-DPMNE ti frikojë shqiptarët me sistemin mazhoritar dhe kompromisi të jetë modeli i tre njësive zgjedhore.

Andaj PPD-në nuk e habitë fakti se BDI  synon eliminimin e partive të vogla shqiptare por na habitë fakti se me çfarë “shkence” dhe sistemi të llogaritjes “ekspertët” e saj nxorën rezultat negativ për shqiptarët kur ende nuk është debatuar për atë model zgjedhor dhe model të llogaritjes.” reagojnë nga PPD.

PPD  do të kishte dëshiruar që BDI të ngul këmbë në pragun prej 5% sepse shumë do ta shpejtonte sistemin e bashkimit të opozitës shqiptare gjë që jo vetëm PPD, BESA, RDK, LR-PDSH e synojnë por edhe populli me shpirt e dëshiron.

Lajme të ngjashme

Back to top button