Roja bregdetare italiane shpëton mbi 2000 emigrantë në brigjet e Libisë

Më shumë se 2000 emigrantë dhe refugjatë janë shpëtuar nga Roja Bregdetare italiane pak nga brigjet e Libisë, në një prej operacioneve më të mëdha ditore të kryera deri më sot ndaj trafikimit të qenieve njerëzore. Njoftimi për ndihmë erdhi njëkohësisht nga mbi 20 varka, raportoi agjencia e lajmeve AFP.

Deri më sot, më shumë se 2000 njerëz kanë humbur jetën nëpër ujërat e Mesdheut, gjatë përpjekjeve të tyre për të mbërritur në brigjet europiane me varka të tejmbushura dhe aspak të përshtatshme për lundrim, teksa kërkojë t’u shpëtojnë zonave të luftës dhe varfërisë në Lindjen e Mesme apo edhe Afrikën Veriore.

Kanali kryesor i trafikimit të refugjatëve apo emigrantëve të paligjshëm është ai mes Libisë dhe Italisë, një prej më të ngarkuarve gjatë kësaj periudhe vere, si dhe më i preferuari i trafikantëve për t’i kaluar klandestinët në Europë.

Nga 264 mijë e 500 emigrantë që kanë kaluar Mesdheun gjatë këtij viti sipas Kombeve të Bashkuara, rreth 104 mijë kanë zbritur në territorin italian, ndërsa 160 mijë të tjerë janë dërguar në Greqi, si në pjesën kontinentale, ashtu edhe nëpër ishujt e shumtë të saj.

Dy anije të marinës italiane u përfshinë në përpjekjet për shpëtim të së shtunës. Duke iu përgjigjur SOS-it të një varke druri në rrezik mbytjeje, “Cigala Fulgosi” arriti të shpëtonte 507 persona, ndërsa “Vega” plot 432 të tillë, bën të ditur Marina e Italisë.

Në operacion janë përfshirë edhe anije të tjera të vogla italiane, ashtu sikurse dhe anija luftarake norvegjeze “Siem Pilot”, e cila është dislokuar në ujërat e Mesdheut si pjesë e misionit të patrullimit “Triton” të Bashkimit Europian. Një anije, që i përket grupit humanitar të “Mjekëve pa Kufinj” shpëtoi 311 emigrantë përfshi edhe një fëmijë të sapolindur.

Lajme të ngjashme

Back to top button