Portalb në “Lagjen e Trimave”: çfarë ka mbetur pas tmerrit që përjetuan (FOTO+VIDEO)

Në hyrje të “Lagjes së Trimave” në Kumanovë, më nuk mund të vërehen grumbuj vizitorësh e as të dëgjohen fjalë në gjuhë të ndryshme si para dy muajve.  Aktualisht jehon zhurma e veglave dhe makinave ndërtimore, të cilat me kujdes përdoren nga ndërtuesit e shtëpive të reja, mbi bazë të shtëpive që u shkatërruan gjatë konfliktit të armatosur të 9 dhe 10 majit. Derisa banorët nuk hezituan të rrëfejnë për Portalb gjendjen e tyre aktuale, transparencë shfaqën edhe nga i a.q.“Shtabi i krizës”.

Kështu, Shaban Demiri, përfaqësues i shtabit të lartëpërmendur, konfirmoi  se gjithsej 9 shtëpi po ndërtohen nga themeli, dhe një tjetër fillon të ndërtohet sot, ndërsa 1  po rinovohet. Sipas tij, pritet që në vijim të fillojnë edhe ndërtime të reja, ndërsa thekson “shtëpitë e të arrestuarve as nuk janë vlerësuar e as nuk po ndërtohen”. I pyetur rreth ndihmave të fundit që janë pranuar, ai njoftoi “Ka 10 ditë që kur nuk kemi pranuar ndonjë ndihmë. Më 6 gusht 1 llojanas dhuroi 200 frangë; më 24 korrik nga Këshilli i Xhamisë së Torontos (Kanada) u ndanë nga 200 euro për 19 familje; më 16 korrik Vigan Maksuti, fituesi i koncertit “Flutura” dhuroi 30 000 den.”

Alil Shabani
Alil Shabani

Nga ana tjetër, si banor, Alil Shabani deklaroi se shtëpia e tij ishte krejtësisht e shkatërruar dhe se komisioni kishte vlerësuar se e njejta duhet të rindërtohet prej fillimi. “Ja siç po e shihni jemi duke e ndërtuar, nëse do të mundemi ashtu siç ka qenë, por nëse nuk do të mundemi shëndosh ne. Tani po e ndërtojmë katin e tretë, se edhe më herët tre katëshe ka qenë shtëpia.” Gjatë konfliktit ai nuk ishte në shtëpi dhe thotë se nuk mund të gjejë dot fjalë për ta përshkruar momentin kur për së pari herë ishte kthyer në lagjen e shkatërruar. “U bë gjatë që kur nuk kemi marrë ndihma nga askush”-shton ai.

 

 

Nexhmije Memeti
Nexhmije Memeti

Nexhmije Memeti sqaron se shtëpia e saj një-katëshe ka qenë shumë e dëmtuar dhe se tani me paratë e mbledhura po e rindërton atë  dhe po shton katin e dytë. “Isha te nëna me dy fëmijët, por nuk e harroj kurrë trishtimin që kam ndjerë kur u ktheva, s’kisha ku ta vendos këmbën. Një muaj kam qëndruar te nëna pas konfliktit, sepse kisha frikë mos do të ndodh sërish diçka e ngjajshme. Edhe fqinjët kanë qëndruar gjatë kohë nëpër të afërm.”-u shpreh ajo dhe shtoi: “Kemi pranuar ndihma të shumta: të holla, ushqime, detergjente. Për së fundi herë ndihma kemi marrë para një muaji.”

 

 

Shtëpia e z. Ergin Memeti
Shtëpia e z. Ergin Memeti

Ndërsa kusheriri i saj, Ergin Memeti, i cili me të vëllanë, Memetin kishte qëndruar 12 orë në shtëpi gjatë luftimeve dhe më pas 24 orë në polici, sqaron për Portalb se shtëpia e tyre ka qenë e dëmtuar shumë: “Pothuajse të gjitha muret ishin me plumba, kuzhina lart, kulmi dhe dritarja në katin e parë ishin të dëmtuara prej plumbave.” Sipas tij, gjërat e dëmtuara vlenin më shumë se sa që i kishte vlerësuar komisioni përkatës “Komisioni vlerësoi dëm 2 000 euro, ndërsa vetëm dera e hyrjes ka pasur vlerë prej 500 euro.”- thotë ai dhe shton se ka 3 javë që kur gjysmën e shtëpisë e kanë shkatërruar dhe po e ndërtojnë një shtëpi të re dy-katëshe, ku do të jetojnë dy vëllezërit, si familje 12 anëtarëshe. “Ndihma kemi marrë shumë, prej Zvicre, Gjermanie, po edhe prej Gostivari, Tetove e Struge, më së fundi para dy javësh na ndihmuan disa muzikantë kosovarë”- tha ai me mirënjohje.

Shtëpia e z. Sabi Sulejmani
Shtëpia e z. Sabi Sulejmani

Sabit Sulejmani rrëfen se së bashku me nënën kishin përjetuar tmerr, të ngujuar në shtëpi, deri në ora 4 kur dhe ishin dorëzuar. “Jam punëtor krahu dhe ashtu e siguroj ekzistencën, nuk kam të ardhura të tjera, por nuk ngrita zë edhepse nuk isha i kënaqur nga vlerësimi i dëmit”- thotë 45 vjeçari, i cili për shkak të planit urbanistik në vend të rindërtimit të pjesës së shkatërruar të podrumit dhe dhomës, po e ndërton katin e dytë.

 

 

 

 

Shtëpia e z.Shabi Fazliu
Shtëpia e z.Shabi Fazliu

Shabi Fazliu tani me familjen 12 anëtarëshe po qëndron në një shtëpi të tyre të vjetër derisa të përfundojë së ndërtuari shtëpia e re, që ndërtohet po si shtëpia e djegur 2-katëshe me podrum, që sipas mjeshtrit kryesor pritet të përfundojë edhe një muaj. “Tërë shtëpia ka qenë e djegur. Komisioni na e ka vlerësuar 62 000 euro, kurse vetëm rroba kemi pasur 30 000 euro. Por jam shumë i kënaqur, kishte pasur akoma njerëz të gjallë, prej të gjitha anëve kemi pranuar ndihma të ndryshme!”-tha Fazliu.

 

 

Shtëpia e z. Elmi Sulejmani
Shtëpia e z. Elmi Sulejmani

 

Ndërkohë Elmi Sulejmani, i cili tashmë 32 vjetë jeton në Zvicër me familje, tregon se shtëpia e tij nuk ka qenë po aq e dëmtuar sa shtëpitë e fqinjëve dhe se nuk kanë pasur nevojë për ndihmë po aq sa fqinjët. Megjithatë, ai ndihet i diskriminuar në çështjen e ndarjes së mjeteve: “Kulmin e gjetëm të djegur dhe të dëmtuara mallrat me vlerë prej 20 000 euro që i kishim në nënkulm, por prej vlerësimit të komisionit morrëm 15 444 euro, vetëm 100 dollarë nga ndihmat që janë dhënë dhe 2 000 frangët që i kishim dorëzuar në shoqatën në Zvicër. Aktualisht po ndërtojmë me vetë-iniciativë.”/Portalb.mk

 

“Lagjia e Trimave”, Kumanovë

“Lagjia e Trimave”, Kumanovë

“Lagjia e Trimave”, Kumanovë

“Lagjia e Trimave”, Kumanovë

Lajme të ngjashme

Back to top button