Gjykata refuzon tri kërkesat e Frrokut, dosja drejt Strasburgut

Gjykata refuzoi sërish kërkesën e Mark Frrokut për të ndryshuar masën “arrest me burg”. Deputeti kristiandemokrat Mark Frroku u paraqit sërish në Gjykatën e Lartë dje, ku edhe mori refuzimin e Kolegjit Penal mbi kërkesën e tij për të ndryshuar masën, nga arrest në burg, në arrest shtëpiak, përballë garancisë pasurore prej 10 mijë eurove. Përpara gjykatës ai bëri edhe dy kërkesa të tjerë. Frroku kërkonte të lihej i lirë kundrejt një garancie pasurore, me pretendimin se nuk kishte për t’u arratisur dhe njëherazi të lejohej të udhëtonte jashtë vendit, me qëllim që të marrë pjesë në seancën gjyqësore të datës 19 tetor 2015, që mbahet në Bruksel. Në kërkesën e tretë pala mbrojtëse i kërkonte Gjykatës së Lartë të detyronte prokurorinë që t’iu vinte në dispozicion të gjitha aktet e hetimit, por edhe kjo është rrëzuar poshtë me pretendimin e sekretit hetimor.

Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura pasi prokurorët thanë se në dosje ka elementë që përbëjnë sekret hetimor. Në nisje të seancës u zëvendësua edhe gjyqtari Ardian Nuni me Ardian Dvoranin. Nuni u tërhoq nga trupi gjykues për arsye shëndetësore. Po kështu Mark Frroku deklaroi zëvendësimin e avokatit te tij, Genc Gjokutaj me avokatin Dhimitër Muslia. Për zhvillimin e seancës së djeshme, trupa gjykuese e Gjykatës së Lartë ka lënë pushimet dhe është kthyer vetëm për shqyrtimin e kërkesës nga Frroku. Kjo pasi në të kundërt mund të kalonin afatet ligjore dhe deputeti fitonte lirinë për shkelje procedurale.

Ky vendim i gjykatës për mbrojtjen ka mungesë logjike ligjore që nga njëra anë deputeti Frroku të gjykohet në Belgjikë për një vrasje të 1999 dhe nga ana tjetër ai të hetohet për të njëjtin objekt edhe në Shqipëri. Mbi këtë argument ata kërkuan prej gjykatës edhe dhënie pëlqimi në mënyrë që deputeti të ndjekë në vjeshtë gjyqin që starton kundër tij në gjykatën e Brukselit. Mosmarrja në konsideratë nga Gjykata e Lartë edhe e kësaj kërkese për avokatin është shkelje e të drejtave, çka nënkupton për avokatët, lëvizjen e radhës që është gjykata e Strasburgut. “Nuk ka vendim për transferimin e procedim penal nga shteti kërkues. Shteti kërkues, që është shteti belg, nuk kërkon që çështja penale të fillojë nga ana e prokurorisë. Është e çuditshme që përfaqësuesi i akuzës përpara gjykatës pohoi se Shqipëria ka ratifikuar një marrëveshje me shtetin belg, po shteti belg nuk e ka ratifikuar këtë, është jo normale. Neni 6 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, neni 3, pika a, b dhe c jep garanci procedurale, jo vetëm ndaj deputetit po çdo person që gjykohet për një çështje”, tha avokati Saimir Visha.

Frroku akuzohet nga drejtësia belge për vrasjen e shqiptarit Aleksandër Kurti në vitin 1999 në Bruksel si dhe shfrytëzim prostitucioni. Ndërsa autoritetet shqiptare, veç inskenimit të atentatit me deputetin Doshi, kanë depozituar kallëzim penal ndaj deputetit edhe për 4 vepra të tjera penale, “refuzim për deklarim pasurie”, “deklarim i rremë pasurie”, “fshehje pasurie”, si dhe “pastrim i produkteve të veprës penale”. Burime nga Prokuroria bëjnë të ditur se bëhet fjalë për një pasuri prej rreth 3 milionë dollarësh e deputetit Frroku, e përbërë nga para cash si dhe pasuri e patundshme apo edhe biznese.

Çështja Frroku drejt Strasburgut

Avokati mbrojtës, Saimir Visha deklaroi se vendimi i Gjykatës së Lartë shkel të drejtat e deputetit Mark Frroku dhe për këtë do t’i drejtohet Strasburgut. “Do ta çojmë çështjen në Strasburg, me rrëzimin e kërkesave ka shkelje proceduriale. Do të provojmë që ne nuk po i fshihemi drejtësisë belge. Nuk ka logjikë që në Belgjikë për të njëjtën çështje të jemi të pandehur ndërsa në Shqipëri të ndalohemi. Ne kërkonim një vendim të gjykatës belge, që s’ka vendim për transferimin e çështjes penale. Do kërkojmë ndëshkimin e shtetit shqiptar, i cili me vendimin e tij për të mos lejuar Frrokun në Belgjikë kufizon dhe pengon të drejtat e sanksionuara në Konventën Europiane. Vendimi nga shteti shqiptar është nul”, tha ai.

Lajme të ngjashme

Back to top button