Kur shet moral pronari i bordellos

Në vitet e ‘80-ta, në qytetin tim jetonte një plak i pensionuar para kohe për shkak të problemeve shëndetësore. Asokohe flitej kudo për spiunët e ish pushtetit – gurubitë, shvepsat, insektet marmallatore… dhe meqë plakut s’ia ndinte fare për pasoja, njerëzit e pyesnin:

  • Xhi do vu bajshe argjatëve të dushmajve tuan, po t’kishe mundsaj?
  • Do ua kajsha n… me shpatën e Skenderbegjit: fap-fap-fap, se çatë e kan hak pisat.

Kështu shprehej plaku një dajm për mashat mbrojtëse të duarve të pista të pushtetit antishqiptar, por, një ditë e modifikoi përgjigjen:

  • Jo! Sën sosi punë me shpatën e Skenderbegjit. Jan’ ba shaum e duhet t’i fshaj, t’i korri me kombaj, zhinge-zhinge-zhunge…

Natyrisht, nuk jam për herrjen e metilit shoqëror me shpata e kombajna, sepse, ma ka mësuar jeta: kur Zoti vendosi të krijojë njerëzit mbi shpatullat e disave e mbështeti më gjatë dorën dhe i bëri të mbarë. Ata të tjerët i la plot gunga, si drunj mali, sepse është i gjithfuqishëm dhe i di punët e Tij. Hile nuk bëri gjithsesi, prandaj bota nuk është uniforme. Prandaj ka ditë dhe netë, dritë dhe erësirë, diej dhe thengjij. Hile nuk u bëri as drunjve të shtrembër me shumë firo, tallpave, qyskive, gurrëve të varrit. I Madhërishmi krijoi kokat sipër qafave tona dhe na dha mundësi përzgjedhjesh e riparimesh të udhëve të jetës.

Pra, nuk preferoj disiplinimin e budallenjëve me almiset e plakut të stërlodhur gërdishë, ama logjika e tij më mban larg emrash konkretë të qelbësirave, për aq kohë sa të ligat tona kanë për adresë dukuritë oqean.

Besoj, kjo duhet të vlejë veçanërisht për ata që shpërfaqin me kompetencë mendimet mbi fenomenet shoqërore, politike,  kulturore, letrare…, pa vënë në shërbim meskinllëqet e shpifarakëve (pobratinëve të gurubive të djeshëm), të shumuar si shtogu n’m…, të cilët kanë mision katranosjen e gjithsecilit që ka arritur të dëshmohet me vepra konkrete në profesion, pavarësisht stërkalave të helmta, që në fakt bien mbi surratet e atyre që aftësitë e munguara i kompensojnë duke fyer ata që kanë lexuar më shumë se një libër. Kjo, sepse fjala është për mizëri tatabitash, që s’herren dot as me almiset e plakut të qytetit tim.

Misionarët përbaltin antipodet e tyre që u janë bërë tollosum – makthe që u faniten në ëndrra kudrash. Ata hungërrijnë harbueshëm, pa çka se nuk i njohih personat që fyejnë. Ata shanjë pa asnjë shkas nënat e njerëzve të konceptuar si armiq të përbetuar, që thua ti ua kanë vrarë djemtë e hasretit, po ne duhet ta kuptojmë se kjo është detyra e tyre, që synon të lë shqiptarët pa asnjë kokë të vlefshme, pa asnjë kuotë që bën imazhin e etnisë, pa asnjë shpresë për të ardhmen.

Paranjerëzit shajnë madje dhe institucione të rëndësishme për të nesërmen tonë në këto hapësira. Shajnë njësoj si ndyrësirat e enciklopedisë shovene të kojshisë çdo nismë të vlefshme. Shajnë idiotshëm, jo për të mobilizuar forcat e etnisë për dalje nga gjendjet e pakënaqshme, po për t’u tebdilosur me rrobat e shpëtimtarëve të arsimit, shkencës, kulturës shqiptare. Shajnë sepse kanë një siklet, që kërkon pak mendje Fanoliane, i cili na mëson të kruajmë pak Nastradinët postmodernë, pronarët e këlbazave ngjyrë shtonash, për t’kuptuar pse-hin e një fjale, një gjesti, një veprimi animal.

Thënë shkurt: ata shajnë sepse paguhen për të sharë. Shihni sa peshon për ta shkrimtari më i madh shqiptar Kadareja – njëri prej më të mëdhenjve përpara të cilit përkulet bota letrardashëse. Ata janë të pashembullt, të paskrupullt, të papërgjegjshëm, të pallogaritshëm, të pandërgjegjshëm, të paedukuar, të paqytetëruar, të pakulturuar, të paarsimuar, të pamoralshëm, të pasjellshëm, të pa-miq, të pa-atdhe, të patakt, të pasens, të pashije, të paaftë… Janë monstra për të cilët njerëzit besojnë se nuk i mban varri – pronarë bordellosh që shfrytëzojnë tezgat e lira shqiptare për t’shitur moral.

Po s’besuat, lexoni me vëmendje shkarravinat e tyre trapa-trupa, prej nga do ta kuptoni se është fjala për qenie me përmasa papuçoresh, për analistë/ opinionistë me misione të dëmshme, po, fatmirësisht: ahistorike dhe të dështuara .

Prandaj them: prej pronarëve të bordellos, që vetëm n’Shqiptari kanë të drejtën e shitjes së moralit, duhet të tuteni, jo kur ju përbaltin, po, ruajna Zot!, kur bën vaki ju lavdërojnë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Komentet

  1. Te lumte dekan. Tekst madheshtor. Por ç’t’i besh kur pisat jo vetem nuk lexojne por edhe nuk deshirojne te degjojne fjale te tilla. Kot u hudh margaritare deleve, ato vetem u marrin ere dhe vazhdojne te kullosin. Pershendetje.

Back to top button