fbpx

Imamët, njerëzit më të besueshëm

Nuk do mend se imamët janë njerëzit më të besueshëm. Këtë fakt e pranojnë pothuajse të gjithë, përfshirë ateistët, më herët edhe komunistët, e dikur këtë e pranonin edhe rankoviqët. Këtë fakt nuk duan ta pranojnë vetëm disa njerëz kryeneç që pretendojnë të jenë ‘laikë’ kurse veprojnë me mendësinë e neo-komunistëve, të cilët duke pasur një çik pushtet në dorë po mendojnë se janë gjithçka. Po mendojnë se siç e kanë zaptuar pushtetin me rrena e dallavere, po ashtu mund të depërtojnë edhe në mendjen dhe zemrat e njerëzve, e të bëhen njerëzit me më ndikim e më të besueshëm. Mirëpo, ja që matematika politike nuk po funksionon njësoj në jetën reale.

E kam potencuar sa e sa herë, se imamët dhe prijësit e fesë, jo vetëm tani, por gjithmonë përgjatë historisë njerëzore kanë qenë njerëzit më të besueshëm tek masa e gjerë. Andaj çdo pushtet, koloni apo qeverisje gjithherë i ka pasur në konsideratë këtë kategori njerëzish duke u munduar që t’i bëjë për vete e të përfitoj nga ta, jo se i duan, asnjëherë, por për shkak se ua dinë peshën dhe ndikimin që kanë në popull apo shoqëri. Kështu vepronin të gjitha ish-pushtetet e instaluara dikur në Kosovë, si Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene para dhe pas Luftës së Parë Botërore. Po ashtu edhe rankoviqët gjatë viteve të pesëdhjeta, pas Luftës së Dytë Botërore. Kështu kanë vepruar edhe komunistët e Titos e të tjerët më radhë.

Kështu vepron pothuajse e tërë bota, përpos diktaturës së Enver Hoxhës dikur në Shqipëri, hapave të së cilës duket se po ecën edhe qeveria kosovare, e cila më së paku ju beson hoxhallarëve dhe më së paku bashkëpunon me ta. Ta them të vërtetën kjo në njëfarë mënyre neve na bënë nder, së paku mua personalisht, sepse bashkëpunimi me njerëz sikur qeveritarët tanë është mjaft i vështirë, për të mos thënë i pamundur. Kjo sepse ata më së paku interesohen për vendin dhe shtetin e tyre. Personalisht nuk do t’i qasesha kësaj tematike po të mos më bënte përshtypje një raport i gazetës prestigjioze gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. Kjo gazetë publikoi një hulumtim të kryer rreth emigrimit të rinisë së Ballkanit drejtë vendeve evropiane, duke vënë në krye të listës se ata që më së shumti duan t’ia kthejnë shpinën atdheut janë shqiptarët nga Kosova dhe Shqipëria. Gazeta gjermane mundohet t’i cekë edhe shkaqet e ikjes së të rinjve nga vendet e Ballkanit, e që natyrisht shkaku kryesor është kërkimi i një jete më të mirë diku në Evropë.

Në mes tjerash gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung” duke iu referuar studimit të Fondacionit “Friedrich Ebert” shkruan: “Prej të gjithë të rinjve të anketuar në Europën Juglindore kosovarët e rinj janë larg më konservatorët. Më së shumti besim ata kanë ndaj ‹liderëve fetarë›, për shembull imamëve”. Këtë fjali shumë të vogël të kësaj gazete, që në fakt është në kontekst të hulumtimit e jo në theks të veçantë, disa medie tona e vunë si kryetitull të atij hulumtimi të kryer nga Fondacionit “Friedrich Ebert”. Kjo në fakt më befasoi për të mirë duke me mbjellë përshtypjen sesa objektiv janë të huajt e sa të hutuar janë disa të vetëquajtur analistë e hulumtues nga mesi ynë. Ky është një realitet që nuk ka asgjë për tu habitur. Ani pse disa qarqe sikur po përpiqen ta radhisin këtë fakt brenda gjërave negative e jo të mira për shoqërinë tonë. Në veçanti kur kemi në konsideratë se gazeta lokale që këtë fakt e kishte vendosur si kryetitull është shumë e njohur si kundër islame dhe çdo gjëje që ka të bëj me muslimanët.

Mu për këtë, vendosa t’i shkruaj këta rreshta për të riafirmuar edhe një herë se hulumtimi gjerman është vërtetë shumë objektiv dhe real. Ai nuk flet vetëm për vendorët por edhe për ndërkombëtarët, duke potencuar se imazhi i ndërkombëtarëve në sytë e kosovarëve të rinj është ‘në fund të pusit’. Ky raport edhe një herë po vërteton atë që kemi potencuar sa e sa herë se imamët janë njerëzit më të besueshëm dhe si të tillë, me lejen Zotit, do mbesin deri në kiamet. Përkundër përpjekjeve të shumta të qeveritarëve tanë, bashkëpunëtorëve të tyre, disa medieve e disa qarqeve tjera për ta ulur ndikimin apo për të nënçmuar personalitetin e figurës së hoxhës apo imamit, influenca e këtij personaliteti falë Zotit vetëm sa po rritet.

Raporti apo studimi në fjalë vetëm sa e dëshmoi këtë fakt pa dashur të anoj as pro e as kundër imamëve. Këtë e kanë dëshmuar edhe shumë anketa vendore për personalitetet më me ndikim në rajon, e dëshmojnë edhe klikimet dhe shikimet e emisioneve apo debateve nëpër yuotube e rrjete tjera sociale. Ndaj, edhe njëherë ftoj secilin udhëheqës, lider politik apo i shoqërisë civile, që ta masë përformancën e vet me shikimet dhe interesimet e popullit për të. Bëhuni origjinal dhe mundohuni ta rrisni shkallën tuaj të besueshmërisë e ndikimit e mos u mundohuni të ulni ndikimin dhe popullaritetin e tjetrit, qoftë ai rival politik apo figurë fetare. Mua nuk me bezdis aspak as popullariteti e as ndikimi i dikujt, përkundrazi unë kënaqëm kur shoh njerëz me ndikim dhe popullaritet në vendin tim, ndaj në këtë le të garojmë e ta shohim më pas rezultatin.

Personalisht nuk kam pranuar e as që pranoj të ngritëm duke shkel tjetrin, për këtë i porosisë të gjithë, le të jetë secili prej nesh vetvetja e mos të bëjmë lojëra fëmijësh, ani pse na janë thinjur flokët. Zoti mos e dhëntë me u lavdëruar me ndikimin dhe përkrahjen që kam në popull, përkundrazi njerëzve u jam mirënjohës dhe shpresoj që edhe hoxhallarët tjerë të kenë ndikim, por edhe njerëzit udhëheqës. Megjithatë, realiteti po e dëshmon se ky popull është popull fetar, e do fenë dhe i beson prijësve fetarë, më shumë sesa atyre politik, andaj këtu nuk ka asgjë të keqe. Përkundrazi le të mësojnë ata që udhëheqin me këtë popull që të jenë sa më afër popullit, tu përgjigjën kërkesave të tyre dhe të ua përmirësojnë kushtet për jetesë. Më këtë u garantoj se fama, ndikimi dhe popullariteti i tyre do të rritën dukshëm. Le të shikojnë në lidhje me këtë modestinë, drejtësinë dhe karizmin e udhëheqësve politik, meshkuj apo femra qofshin, në rajon e më gjerë. Le ta kuptojnë njëherë e përgjithmonë se populli e do vetëm atë që e do popullin dhe interesohet për mirëqenien e tij.

Zoti e drejtoftë parinë tonë në veçanti, po edhe popullin në përgjithësi. Amin

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button