Kumanovë, “Ujësjellësi” paralajmëron thellim të krizës me ujin e pijshëm!

Ka një muaj që kur kumanovarët u privuan nga e drejta për furnizim me ujë të pijshëm. Aq shumë iu ishte vështirësuar përditshmëria duke pritur “të vijë uji”, saqë u detyruan të largohen nga vendbanimet e tyre. Më saktësisht, prej dje kur u lëshua uji për të gjithë, qytetarët pavarësisht se druhen e konsiderojnë mungesën e ujit si problem të zgjidhur. Mirëpo për Portalb nga NP “Ujësjellësi” njoftojnë se asgjë nuk është zgjidhur dhe paralajmërojnë se në ditët në vijim ky problem vetëm do të thellohet edhe më shumë.

“Ka tre javë që kur filluan ta ndalin ujin. Ditën e ndalnin, natën e lëshonin. E gjatë një jave ditën kishte ujë, natën jo. Më saktë prej 30 korrikut neve na e kanë ndalë ujin e 3-4 ditët e fundit nuk po e ndalin më.” – tha për Portalb Azra Xheladini, banore e Lagjes Shqiponja, duke shprehur habinë pse lagjia më poshtë nuk ka pasur fare problem.

Të pakënaqur janë edhe banorët e  Lagjes Osogovo. Me ç’rast Mirlinda Rexhepi deklaroi: “U bënë më shumë se një muaj që kur kemi problem me ujin. Kur ka ujë, shtypje s’ka shumë. Vetëm në mëngjes dhe në mbrëmje ka, por me shtypje të vogël.” Problemin e njejtë e kanë edhe banorët e Lagjes Dardania, që siç thonë ata “shtypja e ujit është e dobët, e ndalin shpesh”.

Për këtë çështje foli edhe Gzime Ramadani, “Është sidomos më vështirë për neve, si banorë të banesës sepse nuk kemi burim tjetër të ujit, për dallim prej banorëve të shtëpive, të cilët mund të kenë puse. Për gati një muaj, në mëngjes kishim ujë deri në orën 12 dhe e ndalnin. Ndonjë herë pasdite, në ora 4 ose 5 e lëshonin, por me shtypje të dobët, vetëm sa për t’i larë duart.  E natën, në ora 8:30 a 9 e lëshonin. Por ndonjë natë shtypja ishte e dobët, ndonjë natë e lëshonin në 11 a 12. Me shishet që i mbushnim kur kishte ujë, jemi shërbyer vetëm për nevojat tepër elementare. Dhe çka është më e rëndësishme, pikërisht në këtë të nxehtë kur nevoitet më së shumti uji, jemi detyruar të largohemi nga banesa jonë. Prej të hënën e lëshuan, por dje sërish e ndalën për një orë.”

Samet Fazliu nga fshati Çerkez bëri të ditur se dy herë kishte protestuar me bashkëfshatarët për çështjen në fjalë. “Nuk patëm ujë një muaj, as kushtet minimale higjienike, pikërisht në kohën kur mërgimtarët ishin këtu. Ata u kthyen me shpresë se vitin e ardhshëm nuk do të ketë problem. Kjo gjë as në Afrikë nuk ndodh, ndodh te ne. ” –tha ai.

Për Portalb vetë drejtori i NP “Ujësjellësi”, Goran Stojkovski sqaron se mungesa e ujit është pasojë e mosfurnizimit të tyre me sasinë e duhur të ujit nga ana e Drejtorisë për Ekonominë e ujërave “Fusha e Kumanovës dhe Likovës”.

“Ujin të cilin nuk e përpunojmë e marrim nga Drejtoria për Ekonominë e ujërave “Fusha e Kumanovës dhe Likovës”, me anë të linjës kryesore të furnizimit (me të cilën mund të fitojmë 220 litër/ sekondë), me linjën industriale ( 40 litër/ sekondë) dhe me anë të të a.q. baj-pasit (me anë të të cilit mund të marrim 120 litër/sekondë). Ky baj-pas aktivizohet në muajin prill, kur fillojnë temperaturat më të larta, në mënyrë që të mund t’i plotësojmë nevojat e kumanovarëve. Nga ana e  Drejtorisë për Ekonominë e ujërave “Fusha e Kumanovës dhe Likovës” momentalisht pranojmë 160 litër/sekondë nga linja kryesore dhe vetëm 40 litër/sekondë me baj-pas. Nga dy burimet tona alternative, Bedinje dhe Proevce sigurojmë edhe 100 litër/sekondë. Por nga mungesa e sasisë së nevojshme të ujit të pijshëm që duhet ta marrim nga Drejtoria për Ekonominë e ujërave, 1/3 e Kumanovës përballet me mungesë të ujit (bëhet fjalë për fshatin Çerkez, Babin Doll, një pjesë e Dobrashanit etj) .  Pra mundohemi që të gjejmë zgjidhje të përbashkët me Drejtorinë për Ekonominë e ujërave, dërguam parashtresa në MPB, në Prokurorinë Publike, por absolutisht nuk kemi marrur përgjigje. Pra bëhet fjalë për sjellje të papërgjegjshme dhe jo-kompetente nga ana e “Fushës Kumanovë e Likovë”, ndërmarrje e cila nga një tetori më nuk do të ekzistojë dhe e cila për qëllime personale e le pa ujë tërë qytetin. Nuk besoj se është çështje politike, ata sillen kështu thjeshtë sepse ashtu iu është “tekur”!”

“Nuk është zgjidhur problemi, por ne po mundohemi të menaxhojmë me atë sasi uji që kemi, pra e ndalim ujin në disa pjesë të Kumanovës, për ta lëshuar në pjesë tjera. Këto ndalesa na shkaktojnë shumë defekte. Pra, për ne aktualisht primare është të ketë ujë spitali dhe zjarrëfikësi, sepse është kohë e nxehtë e mund të ketë zjarre dhe spitali mund të ketë intervenime urgjente. Pra po mundohemi të bëjmë “baj-paserë” të brendshëm që të sigurojmë ujë për të gjithë qytetarët. Problemi akoma vazhdon dhe fatkeqësisht do të vazhdojë edhe më tutje. Në periudhën e ardhshme kohore, do të thellohet problemi, deri në momentin që do të formohet një ndërmarrje e re me pronësi shtetërore, që do të udhëhiqet nga një njeri i kuptueshëm, me të cilin do të mund të bisedojmë e të mirremi vesh.”-qartësoi Stojkovski, i cili të mërkurën me informatat e deklaruara do të paraqitet para Komunës së Kumanovës dhe do të kërkojë ndërmarrje të masave për kalimin e gjendjes.

Nga ana tjetër, nga Ndërmarrja për Ekonominë e Ujërave thonë se NP “Ujësjellësi” nuk i ka paguar faturat./Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Back to top button