Kush janë përçarësit fatal të shqiptarëve?!

Populli i ngjan një deti të madh, pastërtia dhe qetësia e të cilës varet nga përbërësit e brendshëm (populli) dhe faktorët e jashtëm (“miqtë” dhe armiqtë ndërkombëtar).

Populli shqiptar disa herë gjatë historisë ishte në prag të realizimit të aspiratave të tija shekullore për çlirim dhe bashkim të trojeve të veta, por pikërisht shkaku i përçarjeve brenda popullatës, të ardhura si rezultat i ndikimeve nga përçarësit e brendshëm dhe armiqve të jashtëm shpesh e kemi huqur cakun final.

Për fatin e keq të popullit tonë, “patriotët” më të mëdhenj na dalin përçarësit më të rrezikshëm, në emër të një patriotizmi të rrejshëm luftojnë atdhetarët e vërtetë dhe veprimtarët më të devotshëm, duke shkaktuar kështu dilema dhe konfuzion të vazhdueshëm në mesin e popullatës përmes lojës së “patriotit dhe tradhtarit”!

Uniteti shqiptar i fillim viteve të ’90-ta në Kosovë, i arritur si rezultat i një lidershipi të urtë dhe të mençur në njërën anë (Ibrahim Rugova) dhe luanëve të pajtimit të gjaqeve në anën tjetër (Anton Ceta, Zekiria Cana, Dom Lush Gjergji e shumë të tjerë), e kishin çmendur pushtuesin serb dhe mahnitur opinionin evropian.

Në këtë periudhë kohore, ishin me dhjetëra fshatra në Kosovë, ku policia pushtuese serbe kishte humbur kontrollin e plotë në shumicën e territorit të Kosovës, nga frika e shkuarjes së patrullave policore në fshatrat etnike shqiptare.

Rugova ishte i mençur e fjalë pak, në urtësinë e tij profetike përfshihej e gjithë filozofia e popullit shqiptar. Nuk ka fjalë apo veprim që ai e ka përdorur në politikë pa e shoqëruar me filozofinë dhe traditat e popullit shqiptar (dhurimi i gurëve të çmuar personaliteteve më të shquara botërore).

Urrejtja është DIKTATORI më i keq i shpirtit të njeriut dhe shoqërisë njerëzore!

Përçarësit fatal të kombit përdorën fyerjet, shantazhet, linçimet në stilin e diktatorëve, puçistëve… vetëm për të shkaktuar urrejtje ndaj figurave më të ndritura dhe më të dashura në mesin e popullatës shqiptare nuk lanë gjë pa thënë e shkruar kundër tyre.

Shqiptarët nga fundi i viteve të ’80-ta ishin mësuar të dëgjojnë urtësinë, fisnikërinë, maturinë e Rugovës, nuk ishin mësuar ta dëgjojnë perverzitetin dhe ligësinë e pseudointelektualëve dhe pseudopatriotëve shpirtligë të kohës!

Ibrahim Rugova si askush tjetër më parë në historinë e kombit shqiptar arriti të bashkojë shqiptarët në një front të përbashkët rreth lëvizjes paqësore për çlirim nga pushtuesit shekullor serb. Në fakt, kjo ishte vepër madhore në rrugën e nisur drejt bashkimit kombëtar.

Pavarësisht kontestimeve të kundërshtarëve politik, Ibrahim Rugova mbetet udhëheqësi më i madh i shqiptarëve i të gjitha kohërave, së paku derisa të dalë një engjëll tjetër për të dëshmuar dashurinë dhe përkushtimin ndaj atdheut, të dëshmojë se ka fuqinë dhe aftësinë e bashkimit të trojeve shqiptare.

Kush e mendon se interesi i shqiptarëve është bashkimi kombëtar, atëherë le ta kujtojë Ibrahim Rugovën arkitektin e shtetit të Kosovës, dhe aq më lehtë do t’i kuptojë kush janë përçarësit fatal të shqiptarëve të këtij fillimshekulli!

Përçarësit fatal të shqiptarëve janë kudo dhe kahëdo; në pushtet dhe opozitë, në akademi të shkencave, në universitete dhe shkolla, e të mos flasim për partitë politike që udhëhiqen nga karrieristët, matrapazët politik të cilët gjatë fushatave zgjedhore shahen dhe përlahen, “kacafyten” mes vete sikurse të ishin ujqër të uritur në grabitjen e gjahut (votën e qytetarëve), për t’u bërë përsëri bashkë pas zgjedhjeve në ndarjen e pushtetit, duke lënë të ndarë dhe përçarë, të pashpresë dhe panderë popullatën e varfër shqiptare.

Menjëherë pas marrjes së pushtetit fillon pasurimi i tyre në emër të popullit, keqpërdorin pushtetin në emër të shtetit, duke punësuar familjarët e tyre dhe militantët partiak, servilet e puthadorët, qofshin edhe analfabet në postet kyçe të shtetit, duke injoruar aktivistët dhe veprimtarët më të devotshëm partiak të cilët i hedhin si limonin e shtrydhur pavarësisht votave të marra nga qytetarët e vendit, braktisin elektoratin të cilit i grabitën votën me premtimin në mashtrim për mirëqenie dhe punësim!

Liderët partiak janë ndarësit dhe përçarësit më fatal të shqiptarëve, shkatërruesit dhe denigruesit e subjekteve politike, të cilët dallohen nga njëri-tjetri vetëm nga emrat që mbajnë por jo edhe nga veprimet e tyre, të shndërruar në varrmihës të shtetit të për interesa personale, njerëz pa integritet moral, servil ndaj ndërkombëtarëve, të pabesë ndaj bashkëkombësve të vet, të cilëve nuk ju intereson jeta e qytetarëve as fati i vendit të vet, janë të gatshëm të bëjnë kumbari mejo-shqiptarë, të sakrifikojnë edhe të ardhmen e shtetit për mbajtjen apo marrjen e pushtetit!

Vallë a duhet të presim akoma të na vijnë në krye të shtetit përçarës fatal, lider të radhës të korruptuar dhe shantazhur me gojën plotë premtime, të cilët pasi të marrin pushtetin i harrojnë të gjitha premtimet duke zvenitur shpresat e qytetarëve!

Gjithsesi JO, vendit i duhet një fillim i ri, një lëvizje e re politike me njerëz të ri, gjak të ri dhe të pastër kombëtar që do ta shpëtojë Kosovë nga katandisja e mëtutjeshme e kësaj klase të shëmtuar kusarësh politik.

Lajme të ngjashme

Back to top button