“Celula”, avokati Alispajiq: Klientët e mi s’janë fajtorë

Rreth dy javë pas operacionit policor të quajtur “Celula”, me të cilin ranë në pranga tetë shqiptarë dhe një maqedonas, ndërsa me vazhdimin e operacionit, disa ditë më vonë, u arrestua edhe një i ri shqiptar, dy prej tyre kanë vendosur të flasin për lidhjet me islamin radikal dhe Sirinë e Afganistanin, lidhjet me të akuzuarit e tjerë, angazhimet e tyre në Shkup dhe provat që ka gjetur policia gjatë arrestimit dhe kontrolleve në shtëpitë e tyre mëngjesin e gjashtë gushtit, shkruan Koha.

Bëhet fjalë për Eroll Rustemin dhe Muhamed Imerin, dy të rinj shqiptarë, të cilët nga qelia e burgut të Shutkës, nëpërmjet avokatit të tyre, kanë mohuar çdo lloj faji ose përfshirje në një strukturë kriminale brenda ose jashtë vendit.

Sipas sqarimeve të avokatit Asmir Alispajiq, i cili është angazhuar nga familjet e dy të akuzuarve për mbrojtjen e tyre, gjatë takimit të parë që u zhvillua të mërkurën brenda burgut të Shutkës, Eroll Rustemi dhe Muhamed Imeri kanë hedhur poshtë çdo akuzë kundër tyre.

“Sot i takova për herë të parë Eroll Rustemin dhe Muhamed Imerin. Nga biseda ime e parë me ta dhe nga mungesa e provave, mund të konstatoj se ata janë arrestuar dhe akuzuar pa faj. E kaluara e tyre dhe angazhimi në punë për të siguruar ekzistencën e familjeve të tyre, të japin të drejtë të mendosh se janë arrestuar vetëm për arsye se kanë shkuar nga pesë herë në ditë në xhami për t’u falur”, tha avokati Asmir Alispajiq.

Lajme të ngjashme

Back to top button